PIKAT KRYESORE / Bordi i Paqes – Trump si Netanyahu: Gaza rindërtohet kur Hamasi të dorëzojë armët!
Në mjediset e “Donald J. Trump US Institute of Peace” në Washington DC, u mbajt këtë të enjte, më 19 shkurt 2026, takimi i parë zyrtar i Bordit të Paqes, i cili shërbeu edhe si lançimi politik dhe institucional i kësaj strukture që është krijuar prej Rezolutës 2803 të Kombeve të Bashkuara më 17 nëntor 2025 për t’i dhënë fund luftës në Gaza. Në këtë mbledhje të parë morën pjesë rreth 45 delegacione shtetesh si anëtare të Bordit ose thjesht si vëzhguese – ndër këta të fundit ishte pikërisht Bashkimi Evropian.
Në fjalën e tij të gjatë, kreu i Bordit të Paqes, njëkohësisht Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, deklaroi se lufta në Gaza është “e përfunduar”, ndonëse në terren ka ende flakë të vogla përleshjesh, duke nënkuptuar se armëpushimi i ndërmjetësuar ka ruajtur një paqe relative. Ai njoftoi se shtetet anëtare të Bordit të Paqes kanë premtuar rreth 7 miliardë dollarë për rindërtimin dhe ndihmën humanitare të Gazës, ndërsa SHBA-ja ka zotuar një shtesë prej 10 miliardë dollarësh. Këto fonde do të përdoren për rindërtim, ndihmë humanitare dhe stabilizim në zonat e rrezikuara pas konfliktit, si pjesë e një plani më të gjerë për rimëkëmbjen e enklavës pas viteve të konflikteve të ashpra.
Një nga pikat qendrore të fjalimit ishte çarmatimi i Hamasit. Trump theksoi se rindërtimi i Gazës nuk do të fillojë përpara se Hamasi të çarmatoset, duke e vendosur këtë si kusht themelor për stabilizimin dhe sigurinë e përhershme. Ai tha se duket se Hamasi mund të heqë dorë nga armët sipas planit të tij, por paralajmëroi se nëse nuk dorëzon armët, do të ketë një reagim të ashpër. Në këtë kuadër, ai paraqiti planin për krijimin e një Force Ndërkombëtare Stabilizimi me deri në 20,000 ushtarë dhe 12,000 policë për të mbështetur sigurinë në Gaza dhe rajon. Disa vende anëtare, përfshirë Indonezinë, Marokun, Kazakistanin, Kosovën dhe Shqipërinë, kanë premtuar kontribute trupash ose trajnime për policinë lokale.
Trump theksoi se Izraeli është anëtar i Bordit të Paqes dhe se siguria e tij është e ndërthurur me procesin e tranzicionit në Gaza, në përputhje me qëndrimin e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu. Ai e paraqiti Bordin e Paqes si një nismë të re për të ardhmen e paqes, që synon jo vetëm rindërtimin, por edhe vazhdimësinë e një paqeje të qëndrueshme mes Izraelit dhe Hamasit dhe një marrëveshje më të gjerë paqësore. Në këtë kontekst, ai nënvizoi se qëllimi final është që popullsia e Gazës të jetojë në qetësi, pa terror dhe pa kërcënim për fqinjët.
Në planin rajonal, Trump përmendi nevojën për një marrëveshje të rëndësishme me Iranin dhe paralajmëroi se vendimi për një veprim ushtarak ndaj Iranit mund të merret brenda ditëve të ardhshme nëse negociatat dështojnë, një paralajmërim që përforcohet nga raportet e mediave jashtë ceremonisë zyrtare. Ai kritikoi vendet dhe institucionet ndërkombëtare, përfshirë Organizatën e Kombeve të Bashkuara, për rolin e tyre të dobët në zgjidhjen e konflikteve në Gaza dhe Lindjen e Mesme, por theksoi se Bordi i Paqes duhet të punojë ngushtë me OKB-në për të përmirësuar efektivitetin e saj. Trump deklaroi se SHBA do ta mbështesë financiarisht OKB-në që të bëhet më e fortë dhe më efektive, duke thënë se “një ditë unë nuk do të jem më këtu, por Kombet e Bashkuara do të jenë dhe, me ndihmën tonë, mendoj se do të jetë shumë më e fuqishme”, duke lënë të kuptohet se Bordi i Paqes mund të “vëzhgojë” funksionimin e saj.
Sa i përket Bashkimit Evropian, raportet tregojnë se BE-ja nuk është bërë anëtare e Bordit të Paqes dhe disa vende kryesore evropiane kanë refuzuar ftesën për t’u bashkuar si anëtare, për shkak të shqetësimeve mbi mandatet dhe objektivat e Bordit. Përfaqësues të BE-së kanë shprehur skepticizëm, duke e parë iniciativën si një strukturë që mund të sfidojë rolet tradicionale multilaterale, përfshirë rolin e OKB-së në menaxhimin e krizave ndërkombëtare. Megjithatë, BE-ja pritet të dërgojë përfaqësues si vëzhgues në takime, ndërsa mediat raportojnë shqetësime ndërkombëtare se iniciativa e Trumpit mund të minojë ose rivendosë rolin e OKB-së si instancë kryesore multilaterale, duke nxitur rivalitete institucionale dhe fragmentim të përgjegjësive tradicionale të komunitetit global.