Muri i Lotëve në Jerusalem dhe muri i pashkelur i halleve shqiptare
Vizita e Edi Rama dhe bashkëshortes së tij, Linda Rama, në Murin e Lotëve në Jerusalem u paraqit si një akt simbolik paqeje, reflektimi dhe përulësie fetare. Një gjest që, në dukje, flet për ndjeshmëri shpirtërore dhe respekt ndaj një vendi të shenjtë për hebrenjtë. Por simbolika politike nuk jeton kurrë në vakum. Ajo matet gjithmonë nga konteksti, koha dhe heshtjet që e shoqërojnë.
Sipas narrativës hebreje muri i Lotëve nuk është thjesht një vend lutjeje, ai është një simbol historik i dhimbjes, humbjes dhe qëndresës. Pikërisht për këtë arsye, çdo vizitë shtetërore atje merr një peshë shumë më të madhe sesa një akt personal besimi. Kur një kryeministër shkon atje “në emër të paqes”, pyetja thelbësore nuk është çfarë shkruan në një copë letre, por për kë lutet dhe për kë hesht.
Vetëm pak kilometra larg këtij muri, Gaza vazhdon të jetë një varrezë e hapur për civilët. Fëmijë të vrarë, familje të shkatërruara, një shoqëri e tërë e shtypur nën rrënoja, uri dhe frikë. Edhe pas armëpushimeve formale, sipas UNICEF, dhuna ndaj fëmijëve nuk ka ndalur. Këto nuk janë më thjesht shifra, janë prova të një tragjedie morale që sfidon çdo pretendim për paqe selektive.
Në këtë sfond, vizita e kryeministrit shqiptar nuk mund të lexohet si neutrale. Ajo shndërrohet në një akt politik me zgjedhje morale të njëanshme, sidomos kur shoqërohet me afërsi simbolike ndaj një lidershipi të akuzuar për krime lufte, si Benjamin Netanyahu. Të flasësh për paqe duke anashkaluar viktimat civile nuk është paqe, është relativizim i dhimbjes.
Por problemi nuk mbaron në Jerusalem. Pyetja që lind natyrshëm është kjo: kur do ta vizitojë kryeministri “murin shqiptar të lotëve”?
Ku është lutja politike për pensionistët që mezi mbijetojnë, për të rinjtë që ikin masivisht, për familjet që jetojnë mes varfërisë, korrupsionit dhe pasigurisë? Ku është përulësia shtetërore përpara halleve të brendshme që nuk kanë mur simbolik, por që janë po aq reale dhe të dhimbshme?
Në këtë vizitë, Rama pretendon se përfaqëson shqiptarët. Por përfaqësimi nuk është akt protokollar, është rezonancë morale. Shumë qytetarë shqiptarë e shohin qartë padrejtësinë që po ndodh në Gaza dhe ndihen të fyer nga një diplomaci që zgjedh të shohë vetëm njërën anë të dhimbjes. Në këtë kuptim, kryeministri nuk përfaqëson ndjeshmërinë kolektive, por një linjë politike të ngushtë, të orientuar nga interesa dhe aleanca, jo nga parime universale humane.
Heshtja e opozitës dhe e klasës politike shqiptare përballë kësaj vizite e thellon edhe më shumë krizën morale. Neutraliteti në kohë krimesh masive nuk është qëndrim, është bashkëfajësi morale. Një opozitë që pretendon alternativë nuk mund të heshtë kur simbolika shtetërore përdoret për të legjitimuar verbërinë ndaj vuajtjes së civilëve.
Kjo vizitë nuk është akt paqeje. Është një lutje e ndalur në mur, që nuk arrin të kapërcejë rrënojat e Gazës dhe as plagët e hapura të shoqërisë shqiptare. Paqja nuk është gjest ceremonial, është guxim për të parë dhimbjen kudo që ajo ekziston edhe kur është politikisht e pakëndshme.
Deri atëherë, Muri i Lotëve në Jerusalem do të mbetet i vizituar.
Muri shqiptar i lotëve dhe halleve, i pashkelur