Një thirrje për udhëheqësit botërorë: OKB duhet të veprojë urgjentisht në Gaza ose rrezikon shpërbërjen

Një thirrje për udhëheqësit botërorë: OKB duhet të veprojë urgjentisht në Gaza ose rrezikon shpërbërjen
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së që do të mblidhet këtë javë, do të zbulojë nëse mund të përballet seriozisht me sulmin e Izraelit në Gaza apo do të rrëshqasë drejt një dështimi moral dhe mungesës së rëndësisë…
Nga Ahmet Davutoglu “Middle East Eye”
Këtë javë do të mbahet në Nju Jork sesioni i 80-të i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke bërë bashkë udhëheqës botërorë dhe kujdestarë të njerëzimit tonë të përbashkët.
Si një ish-koleg që dikur qëndroi midis jush në ato salla, korridore dhe forume në kërkim të paqes dhe një rendi botëror të qëndrueshëm, ju drejtohem sot me një thirrje urgjente dhe të përzemërt.
Në Gaza, më shumë se 2 milionë njerëz po përballen me një katastrofë që sfidon njerëzimin: dhjetëra mijëra janë vrarë - shumica prej tyre gra dhe fëmijë - ndërsa spitalet, shkollat dhe strehimoret janë kthyer në rrënoja.
Ndërkohë, ushqimi, ilaçet dhe uji po u ndalohen qëllimisht. Një Komision Hetimor i Kombeve të Bashkuara, ka zbuluar se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza. Situata atje nuk është vetëm një katastrofë humanitare, por edhe një llogaridhënie morale për OKB-në.
Prandaj, veprimet tuaja tani do të përcaktojnë vetë legjitimitetin dhe mbijetesën e saj në të ardhmen. Kjo llogaridhënie vjen në një kohë kur vetë Këshilli i Sigurimit i OKB-së është i paralizuar, i bllokuar nga rivaliteti aspak parimor midis vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit (më saktë 5 anëtarëve të përhershëm).
Kjo paralizë, e ka bërë më të rëndësishëm se kurrë misionin e Asamblesë së Përgjithshme. Si organi që përfaqëson shprehjen më të gjerë të vullnetit kolektiv të njerëzimit, Asambleja duhet të dalë nga hija e KS dhe të veprojë me vendosmëri për të ruajtur dinjitetin, besueshmërinë dhe autoritetin e OKB-së.
Ju mblidheni për sesionin e këtij viti të Asamblesë së Përgjithshme jo vetëm si përfaqësues të kombeve tuaja, por edhe si mbrojtës të ndërgjegjes kolektive të njerëzimit. Sot, bota ndodhet në një udhëkryq të rrezikshëm.
Parimet themeluese të Kombeve të Bashkuara - dinjiteti njerëzor, barazia sovrane dhe siguria kolektive - gjenden nën një sulm të paparë. Karta themeluese e OKB-së, fillon me një deklaratë solemne: “Ne, popujt e Kombeve të Bashkuara, të vendosur për të shpëtuar brezat pasardhës nga plaga e luftës, për të ripohuar besimin tek të drejtat themelore të njeriut, dinjiteti dhe vlerën e personit njerëzor si dhe në të drejtat e barabarta të kombeve të mëdha dhe të vogla…”. Sot, ky premtim po shkelet.
Rënia morale
Katastrofa në Gaza është një kolaps moral, që po shpaloset para syve të botës. Njëkohësisht, një ndryshim shqetësues në qëndrimet globale, po e normalizon gjuhën dhe logjikën e luftës. Vendimi i fundit për ta riemërtuar Departamentin e Mbrojtjes të SHBA-së si Departament i Luftës, nuk është një ndryshim i thjeshtë administrativ, por heq pretendimin e mbrojtjes për të lavdëruar agresionin.
Historia na tregon se ku të çon kjo rrugë. Përpara Luftës së Dytë Botërore, shumë fuqi të mëdha e lavdëronin hapur luftën: Reichskriegsministerium në Gjermani, Ministero della Guerra në Itali, Rikugun-sho në Japoni dhe Ministere de la Guerre në Francë.
Pas vitit 1945, bashkësia ndërkombëtare e hodhi poshtë qëllimisht këtë mentalitet, duke ngulitur në themelet e rendit të pasluftës një angazhim të deklaruar hapur për mbrojtjen në vend të luftës. Përmbysja e këtij konsensusi, rrezikon çmontimin e një kuadri të brishtë dhe zëvendësimin e tij me një botë ku sundon ligji i xhunglës ose i më të fortëve.
E njëjta kthesë militariste, po i inkurajon dhe legjitimon sulmet e pamëshirshme të Izraelit: nga Gaza dhe Bregu Perëndimor në Liban, Siri, Jemen, Iran dhe së fundmi në Katar. Thuajse të gjitha këto veprime, kanë ndodhur me miratimin e drejtpërdrejtë ose të tërthortë të SHBA-së, duke mbartur rrezikun e madh të një konflikti më të gjerë rajonal, i cili mund ta destabilizojë të gjithë sistemin ndërkombëtar.
Kjo nuk është thjesht kriza e radhës. Përkundrazi, është një provë e parimeve mbi të cilat u themeluan Kombet e Bashkuara, për udhëheqësit botërorë, por edhe për vetë institucionin dhe për njerëzimin në tërësi.
Një sistem i dështuar
OKB-ja u konceptua në fillim si një platformë neutrale dhe e pavarur, e lirë nga manipulimi nga fuqitë ose aleancat e veçanta. Legjitimiteti i saj mbështetet në 3 parime bazë: barazia sovrane e kombeve, universaliteti i dinjitetit njerëzor dhe përgjegjësia kolektive për të ruajtur paqen dhe sigurinë.
Megjithatë, sot këto parime janë nën jë kërcënim të drejtpërdrejtë. Shtetet e Bashkuara, si vendi ku ka selinë kryesore kjo organizatë, ia ka refuzuar vizat presidentit palestinez Mahmoud Abbas dhe delegacionit të tij, duke penguar pjesëmarrjen e tyre në Asamblenë e Përgjithshme.
Ky akt përbën një shkelje të Marrëveshjes së Selisë së OKB-së të vitit 1947, e cila garanton një qasje të papenguar për të gjitha shtetet anëtare. Ndërkohë, vetot e përsëritura të Këshillit të Sigurimit e kanë lënë OKB-në të paralizuar, duke mundësuar zbatimin selektiv e të njënashëm të së drejtës ndërkombëtare dheduke shtuar paragjykimet ndaj këtij institucioni ndërkombëtar.
Dhe historia bart shumë paralajmërime mbi pasojat që shfaqen, kur institucionet ndërkombëtare dështojnë në misionet e tyre themeltare. Lidhja e Kombeve u shemb sepse nuk veproi me vendosmëri kur u përball me agresionin në Mançuri (1931), Abisini (1935) dhe Çekosllovaki (1938).
Dënimet pa pasoja dhe paqtimi pa përgjegjësi me agresorët shkaktuan një katastrofë, dhe brenda një dekade, bota u zhyt në një luftë tjetër shkatërruese. OKB-ja u krijua pikërisht për të shmangur atë fat.
Ajo u ndërtua për të garantuar sigurinë kolektive, për të siguruar një pjesëmarrje
të barabartë dhe për të shërbyer si mbrojtëse e vlerave universale, dhe jo si një instrument i gjeopolitikës. Ndaj nëse dështon të veprojë me vendosmëri në Gaza, OKB-ja rrezikon që të ketë fatin e Lidhjes dhe të shkojë drejt shpërbërjes.
Kërkohet një veprim vendimtar
Pavarësisht këtyre dështimeve, historia ofron edhe shpresë. Në vitin 1988, kur SHBA-ja ia mohoi kreut të Organizatës për Çlirimin e Palestinës, Jaser Arafatit, vizën për t’iu drejtuar me një fjalim Asamblesë së Përgjithshme në Nju Jork, OKB-ja veproi me guxim dhe parime.
Seanca u zhvendos në Gjenevë, ku Arafati e mbajti fjalimin e tij më 13 dhjetor të atij viti. Ai vendim i guximshëm, ripohoi pavarësinë institucionale të OKB-së dhe refuzimin e saj për t'u mbajtur peng nga politika e vendit pritës.
E njëjta frymë vendosmërie është e nevojshme edhe sot. Nëse përfaqësuesve palestinezë u mohohet sërish hyrja në SHBA, asambleja duhet t’i zhvendosë punimet e saj në Gjenevë ose në një vend tjetër neutral për të garantuar përfshirjen dhe drejtësinë.
Njëkohësisht, duhet të ndërmerren hapa vendimtarë për të mbrojtur civilët në Gaza si dhe për të rikthyer besueshmërinë tek sistemi ndërkombëtar aktual. Dhe kjo gjë kërkon thirrjen e një sesioni të jashtëzakonshëm dhe emergjent për të anashkaluar paralizën e Këshillit të Sigurimit; krijimin e një korridori humanitar të mbikëqyrur nga OKB-ja për të siguruar hyrjen në Gaza të ushqimeve, ilaçeve dhe ujit të pastër; sigurimin e mbrojtjes për ndihmat humanitare, mjekësore dhe për nismat e ndihmës nga deti, siç është misioni ndërkombëtar “Sumud”; por edhe mbështetjen e hetimeve të pavarura për shkelje të rënda të ligjit humanitar, në mënyrë që të mos vonohet për një kohë të pacaktuar llogaridhënia përmes Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë , Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe mekanizmave të tjerë.
Ndërsa vazhdojnë këto përpjekje, përshëndes zgjedhjen e Annalena Baerbock si presidente e Asamblesë së 80-të të Përgjithshme. Sfidat që ajo ka përpara janë të jashtëzakonshme, dhe bashkë me to vjen edhe përgjegjësia për të treguar një udhëheqje parimore.
I shpreh urimet e mia më të mira për suksesin e saj në përballimin e kësaj prove nënjë moment kur historia nuk kërkon asgjë më pak. Historia do të na gjykojë jo nga deklaratat tona, por nga veprimet tona si dhe nga heshtja jonë.
Tragjedia humanitare në Gaza dhe dobësimi i normave ndërkombëtare, përfaqësojnë një sfidë ekzistenciale për njerëzimin. Nëse OKB-ja do të dështojë të veprojë me vendosmëri, kjo do të përkeqësojë vuajtjet dhe do të përshpejtojë shembjen e rendit global, për të cilin ajo u krijua enkas që ta mbrojë.
Të nderuar udhëheqës, ju bëj thirrje me një urgjencë të thellë morale: Gaza nuk mund të presë. Njerëzimi nuk mund të presë. Historia nuk do na e falë vonesën.
Me shpresë dhe vendosmëri Ahmet Davutoglu, ish-kryeministër i Turqisë.