Lidhje


Djegia e pallatit në Tiranë, biznesmeni mysliman merr përsipër të paguajë qiranë e familjeve që ngelën pa strehë

 

Zjarri i fortë që përfshiu dy ditë më parë një pallat në kompleksin “Arlis”, pranë QSUT dhe farmacisë nr.10 në Tiranë, vijon të prodhojë pasoja të rënda për dhjetëra familje, të cilat kanë mbetur pa strehë dhe pa një zgjidhje të qartë institucionale.

 

Ngjarja, që shkaktoi panik dhe dëme të konsiderueshme materiale, la shumë banorë në qiell të hapur, pasi apartamentet e tyre u bënë të pabanueshme nga flakët. Në ditët pas zjarrit, reagimet institucionale kanë qenë të kufizuara, ndërsa deklarata e prefektit të Tiranës, Shkëlqim Hajdari, ka shkaktuar debat publik, pasi ai sugjeroi që familjet e prekura të strehohen përkohësisht tek të afërmit e tyre.

 

Kjo qasje është kritikuar si e pamjaftueshme përballë një emergjence të tillë sociale, duke rritur presionin ndaj institucioneve për të dhënë zgjidhje konkrete dhe të menjëhershme për banorët e mbetur pa shtëpi.

 

Në këtë kontekst, një reagim i papritur ka ardhur nga sektori privat. Biznesmeni shqiptar Sef Ahmati ka njoftuar publikisht se do të marrë përsipër pagesën e qirasë për disa nga familjet e dëmtuara, për një periudhë disa mujore, deri në gjetjen e një zgjidhjeje më të qëndrueshme.

 

Në një reagim në rrjetet sociale, Ahmati thekson se iniciativa vjen si një detyrim “njerëzor dhe fetar”, duke iu referuar edhe reagimit të institucioneve, që sipas tij ka qenë i papërshtatshëm. Ai bën thirrje për koordinim me Drejtorinë e Emergjencave në Tiranë për të konkretizuar ndihmën.

 

“Shprehim gatishmërinë tonë për të mbuluar qiranë e disa familjeve të dëmtuara, për një periudhë prej disa muajsh, derisa të gjendet një zgjidhje më e qëndrueshme për ta,” shkruan ai, duke shtuar se kjo nismë vjen në solidaritet me familjet që kanë humbur gjithçka nga zjarri.

 

Ndërkohë, situata mbetet ende e paqartë për pjesën më të madhe të banorëve, të cilët presin ndërhyrje konkrete nga shteti për strehim afatgjatë dhe kompensim të dëmeve. Zjarri në kompleksin “Arlis” ka nxjerrë në pah edhe një herë mungesën e mekanizmave të shpejtë për përballimin e emergjencave urbane në kryeqytet.

 

XS
SM
MD
LG