Lidhje


Frrok Gjini , “ministri de facto” i shëndetësisë: Si kontrollohet sistemi nga familjarë, krushq e miq të Nard Ndokës

Prej vitesh, sistemi i Shëndetësisë në Shqipëri është shndërruar në një rrjet të ngatërruar interesash, ku sipas denoncimeve, vendimet më të rëndësishme nuk merren në zyrat zyrtare, por në tryezat e darkave familjare.

 

Në qendër të këtij rrjeti përmendet emri i Frrok Gjinit, kunati i ish-ministrit të Shëndetësisë, Nard Ndoka. Ai përshkruhet si “ministri de facto” që kontrollon tenderët, emërimet dhe lidhjet me kompanitë farmaceutike. Madje, sipas burimeve, për të siguruar një tender në këtë sektor, duhet të kalosh më parë nga Gjini, ndërsa “ndihmës” në këtë proces është djali i tij.

 

Familja Gjini ka vendosur njerëzit e vet në hallkat kryesore të sistemit. Drejtoresha e Burimeve Njerëzore në Ministrinë e Shëndetësisë është nuse në familjen Gjini, ndërsa krushku i tyre, Sokol Halili, drejton Rimbursimin në FSDKSH. Edhe Drejtori i Përgjithshëm i këtij institucioni përmendet si mik i afërt i Gjinit. Në këtë mënyrë, tenderët dhe emërimet kalojnë përmes një rrethi të mbyllur miqësor e familjar.

 

Rrjeti shtrihet edhe tek kompanitë farmaceutike. Veçanërisht përmendet “Rejsi Farma”, e lidhur me Nexhat dhe Merita Sheqin, e cila ka siguruar kontrata të mëdha, përfshirë edhe furnizimin me barna të kompanive gjigante si Roche dhe Takeda. Vetëm një tender në QSUT, i dhënë për barnat e Takeda-s, kap vlerën 6 milionë euro. Ky shifër u justifikua më pas si “gabim në përllogaritje”.

 

Ndërkohë, SPAK dhe Prokuroria kanë hapur një hetim për skandalin e recetave të falsifikuara të Nadir Çaushollit dhe barnave të rimbursueshme, ku humbjet përllogariten mbi 20 milionë euro në vit. Por, sipas denoncimeve nga Gazeta Korrieri, një pjesë e këtij rrjeti vijon punën pa u prekur.

 

Në një kohë kur pacientët nuk gjejnë barna onkologjike dhe janë të detyruar të paguajnë shtrenjtë për trajtime bazike, tenderët shumë milionësh shpërndahen mes të njëjtëve aktorë. Kështu, Shqipëria përballet me një “oktapod” që ka shtrirë tentakulat nga Ministria, tek FSDKSH-ja dhe tregu farmaceutik.

 

Rezultati është i qartë qytetarët vuajnë, ndërsa pakica që kontrollon sistemin pasurohet në kurriz të tyre./joq

XS
SM
MD
LG