Deportime masive/India dëbon me forcë qindra muslimanë drejt Bangladeshit, paralajmëron Human Rights Watch

Human Rights Watch ka denoncuar se autoritetet indiane kanë dëbuar në mënyrë të paligjshme qindra muslimanë etnikë bengalezë drejt Bangladeshit, duke përfshirë edhe shtetas indianë, pa ndjekur procedurat ligjore dhe pa verifikuar statusin e tyre të shtetësisë.
Dëbimet janë kryer mes muajit maj dhe qershor 2025 në shtete si Assam, Gujarat, Uttar Pradesh dhe Maharashtra, me pretekstin se bëhet fjalë për “emigrantë të paligjshëm”. Sipas autoriteteve të Bangladeshit, janë dëbuar më shumë se 1,500 persona, përfshirë rreth 100 refugjatë Rohingya.
Sipas dëshmive të mbledhura nga organizatat e të drejtave të njeriut, personat janë arrestuar në mënyrë arbitrare, u janë shkatërruar dokumentet, janë dhunuar dhe janë detyruar nën kërcënim me armë të kalojnë kufirin. Shumë prej tyre janë ndarë nga familjet dhe janë mbajtur në izolim pa kontakt me avokatë.
Human Rights Watch dhe organizata të tjera ndërkombëtare e kanë cilësuar këtë veprim si një shkelje serioze të të drejtave themelore dhe të ligjit ndërkombëtar, duke akuzuar autoritetet indiane për diskriminim të qëllimshëm ndaj myslimanëve bengalezë.
Raporti vjen në një kohë kur India përgatitet për zgjedhje shtetërore dhe ku qeveria e kryeministrit Narendra Modi është akuzuar për përdorimin e retorikës kundër muslimanëve për qëllime politike. Shumë prej dëbimeve janë shoqëruar edhe me shkatërrime masive të banesave në komunitetet bengaleze muslimane.
Organizatat ndërkombëtare kanë kërkuar që autoritetet indiane të ndalojnë menjëherë dëbimet dhe të garantojnë trajtim të drejtë dhe të barabartë për të gjithë qytetarët, pa dallim etnie apo besimi fetar. /Humansrightwatch