Franca liron pas 41 vitesh burgim e.kstremistin e majtë pro-palestinez

Pas më shumë se katër dekadash pas hekurave, Georges Abdallah, ish-mësuesi militant i krahut të majtë nga Libani, është liruar këtë të premte nga burgu francez i Lannemazan. 74-vjeçari, i dënuar në vitin 1987 për përfshirje në vrasjen e një diplomati amerikan dhe një zyrtari izraelit në Paris, u riatdhesua menjëherë drejt Libanit, ku pritet të mbërrijë në Bejrut.
Megjithëse atij iu dha e drejta për lirim me kusht, por që nga viti 1999, autoritetet franceze e kanë refuzuar lirimin e tij në mënyrë të përsëritur. Avokati i Abdallah, Jean-Louis Chalanset, theksoi se “presioni politik i vazhdueshëm nga SHBA-ja dhe Izraeli” ndikoi në mbajtjen e tij në burg përtej afatit të dënimit.
“Është një fitore për drejtësinë, por edhe një skandal politik që ai nuk u lirua më herët,” deklaroi Chalanset.
Ndër mbështetësit e Abdallah gjatë viteve ka qenë edhe shkrimtarja dhe fituesja e Çmimit Nobel për Letërsi 2022, Annie Ernaux, e cila e quajti atë “një viktimë të drejtësisë shtetërore, për të cilën Franca duhet të turpërohet.”
Në një intervistë të dhënë së fundmi për agjencinë franceze AFP nga qelia e burgut, Abdallah u shpreh se ka qëndruar i fortë duke u fokusuar te “lufta për Palestinën”.
Vendimi për lirimin e tij u mor nga Gjykata e Apelit, e cila e cilësoi paraburgimin e tij të mëtejshëm si “joproporcional”./euronews