Lidhje


Pasi ua morën malësorëve, nis shitja e maleve me 1 € te 500 shokët e pushtetit!

Teksa Thethi, nga një zonë turistike është kthyer si një arenë lufte mes policisë dhe banorëve, në e-Albania, janë hapur aplikimet për “Paketën e Maleve”. Mos vallë pas tensioneve në Theth fshihet ky projektligj me ‘spec’ i qeverisë Rama? Ashtu si me skemën “Shqipëria 1 Euro”, ku prona publike iu dha për 99 vjet njerëzve të afërt me pushtetin, dhe “Paketa e Maleve” 1 Euro, cilësohet si ligj klientelistë nga ekonomistët.

 

Ndërkohë që bota thur lavde për bukuritë e maleve tona, shteti po bën një make up të tipit të zhdukim fshatarin dhe fusim investitorin. Qeveria shqiptare miratoi më 9 janar 2025 pr/ligjin e ri, të quajtur "Paketa e Maleve”. Ky projektligj, i trumbetuar nga Kryeministri Edi Rama pak muaj më parë parashikon kriteret e kalimit të pronësisë shtetërore tek private kundrejt blerjes me një tarifë simbolike prej 1 euro. Për 10 vite, me 0 taksa dhe 1 euro tokë, do përfitojnë 500 biznese. Jo çdokush por të pasurit, oligarkët që tani kërkojnë edhe një “vilë në Theth”. Por që të vijnë ata, duhet të largohen banorët. Paketa e Maleve si duket nuk është për autoktonët.

 

Në Theth kanë zbritur ruspat e fadromat, jo për rrugë, por për shembje. Qeveria si çdo verë, sidomos kur fiton ndonjë zgjedhje, edhe këtë herë ka vendosur të freskojë fasadën me aksione spektakolare. Këtë herë aksioni nuk ka të bëjë me shembjen e betonit të ngritur rrëzë bregdeteve shqiptare nga miqtë e tij oligarkë, por ka të bëjë me shembjen e kontejnerëve prej druri të ndërtuar nga ata të cilëve iu premtoi të ardhme nëse lënë emigrimin dhe të ndërtuar nga malësorët autoktonë që jetojnë nga turzimi familjar.

 

Paketa e Maleve si duket është mal pa fshatar, tokë pa histori dhe ligj që thotë betono sa të mundesh, vetëm kontejnerë druri jo! Me banorë të cilët përloten për mundin e tyre të derdhur që po u shkon dëm pas aksionit të qeverisë që funksionon vetëm për banorët në Theth dhe jo për oligarkët që i kanë zënë frymën Tiranës, apo bregdeteve shqiptare, kjo paketë nuk është për banorët që i kanë rënë malit përpjetë. Si duket paketa është për ata që zbresin me projekt investimi dhe largohen me kontratë pronësie.

 

Thethi që rrethohet nga male të larta dhe qafa mahnitëse, duke filluar nga Qafa e Thanës, Shtegu i Dhenve, Radohima, Sheniku, Papluku, Maja e Alisë, Qafa e Pejës, Gropa e Bukur, Qafa e Jezercës, Maja e Zezë, Maja e Zorgjit, po pastrohet nga ndërtime “të vogla”, që të ketë vend për ato “të mëdha”. Rrallë herë betoni është promovuar kaq bukur, me lehtësira fiskale, përfitime kolosale dhe propagandë kombëtare. Kjo paketë duket se i lë fshatarët jashtë loje, në emër të zhvillimit.

 

Në fjalën e mbajtur para banorëve, më 30 Qershor 2024 kreu i qeverisë u shpreh se problematika për t'u pajisur me tapitë do të marrë fund dhe se qeveria do të falë gjobat që janë vendosur si rezultat i ndërtimeve të banorëve të zonës aty ku kanë pasur banesat e vjetra. Rama si duket i preu në besë malësorët. “Paketës së Maleve” po i vjen era plan që zhduk vendasit, që shemb kujtesën, dhe ndërton jo banori i zonës, por miku i pushtetit./joq

XS
SM
MD
LG