Lidhje


Bleu vota për Tom Doshin? Kryebashkiaku i Vaut të Dejës në SPAK

Kristjan Shkreli, kryetari socialist i bashkisë së Vaut të Dejës, është marrë në pyetje për rreth një orë këtë të premte nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në cilësinë e të pandehurit për veprën penale të “korrupsionit aktiv në zgjedhje”.

 

Ai dyshohet se ka qenë i përfshirë në blerjen e votave në favor të Partisë Socialdemokrate (PSD) të Tom Doshit, e cila në zgjedhjet e 11 majit 2025 siguroi tre mandate në shkallë vendi, dy prej tyre në Vaun e Dejës, ku doli forca më e votuar me afro 6 000 vota.

 

Disa javë më parë, me urdhër të SPAK dhe vendim të Gjykatës së Posaçme (GJKKO), Shkrelit iu sekuestrua telefoni, në kuadër të hetimeve për këtë çështje.

 

Gjatë fushatës zgjedhore, në media u raportuan denoncime të shumta se Tom Doshi po shpërndante shuma të mëdha parash për të blerë vota në veri të vendit. Vetëm një ditë para zgjedhjeve, dy kushërinj me inicialet G.P. dhe K.P. u shpallën në kërkim për akuzën e shpërndarjes së parave me qëllim blerjen e votës.

 

Ndërkohë, në zonën e Ali Demit në Tiranë u regjistrua një përplasje në ambientet e PSD-së, ku u raportua për përfshirjen e personave të armatosur.

 

Hetimet vijojnë dhe mbetet për t’u parë nëse prokuroria do të arrijë të ngrerë akuza të plota mbi dyshimet për blerje votash./joq

XS
SM
MD
LG