Përditësime nga lirimi i shejh Abdulaziz et-Tarifi
Monday, 30 June 2025 11:13

Nga hoxh; Florian Leli
Lajmin në lidhje me lirimin e shejh Abdulaziz Tarifit e përhapi Organizata Sanad për të Drejtat e Njeriut e cila është një organizatë që merret me çështjet e të burgosurve dhe të internuarve në Saudi dhe kryesisht ka burime të sakta informacioni. Nuk na intereson aspak ideologjia dhe metoda e kësaj organizate e cila është në kundërshtim me Kuranin dhe sunetin, por vetëm si burim informacioni në lidhje me lirimin e shejhut.
Sipas Organizatës Sanad shejhu është liruar para disa kohësh por mbahet në arrest shtëpie dhe e ka të ndaluar rreptësisht komunikimin me botën jashtë dhe shfaqjen në publik. Prononcimin rreth shejhut e kanë të ndaluar edhe të afërmit e tij.
Sipas Organizatës Sanad janë liruar edhe shejh Ibrahim Sekrani i cili gjithashtu mbahet në arrest shtëpie dhe shejh Ibrahim Harithiu.
Lajmi u përhap shumë shpejt nisur edhe nga kredibiliteti i Organizatës Sened në lidhje me lajmet për të burgosurit politikë në Saudi derisa faqja me emër Mutekali er Raj (Të Dënuarit Politikë) në Platformën X doli me një prononcim ku shprehej se është e vërtetë që shejh Ibrahim Sekrani është liruar por për shkak të hapjes së lajmit nga një i afërt i shejhut është arrestuar sërisht.
Ndërsa shejh Abdulaziz Tarifi sipas tyre nuk është liruar.
Pas këtij prononcimi Organizata Sanad e ripostoi në Platformën X lajmin e lirimit të shejh Abdulazizit duke ritheksuar që lajmet për lirimin e shejhut janë të vërteta por ai është në arrest shtëpie dhe nën vëzhgim të rreptë nga autoritetet.
Lajmin për lirimin e shejh Abdulazizit dhe shejh Ibrahim Sekranit e konfirmoi edhe aktivisti i njohur saudit Said Gamidiu bashkë me faktin e mbajtjes së tyre në arrest shtëpie.
Në një situatë të tillë diktature dhe terrori është e pothuajse e pamundur një konfirmim i lajmit nga familjarët dhe nxënësit e afërt të shejhut sepse edhe ata mund ta pësojnë ose nëse shejhu me të vërtetë është liruar mund edhe të arrestohet prapë.
Është shumë e vështirë të konfirmohen tërësisht lajmet për lirimin ose moslirimin e shejhut. Ka mundësi që me të vërtetë shejhu është liruar, ose është liruar dhe është arrestuar prapë, siç ka ndodhur edhe herë të tjera me të burgosur politikë të tjerë.
Kjo atmosferë e errët informacioni është dëshmi se ku po shkon diktatura e princit aventurier që sundon defakto Saudinë prej disa `vitesh. Në kohën kur përhapësit e shthurjes dhe të degjenerimit gjejnë të gjitha hapësirat për të përhapur të keqen e tyre dhe faktori laik është gjithnjë e në rritje, thirrësit dhe aktivistët fetarë dergjen në burgjet e sigurisë së lartë ose në rastin më të mirë në arrest shtëpie.
Janë me qindra thirrës dhe aktivistë të njohur (pa ekzagjerime) që dergjen në burgjet e zullumit, prej tyre edhe shejh Selman Auda bashkë me imamin e Qabes Salih Al Talib i cili para disa ditësh u transferua në burgun e Hairit në Rijad dhe i cili ka nga një foto me shumë myslimanë shqiparë atëherë kur vizitoi Shqipërinë.
Të gjithë këta shujuhë dhe thirrës mbahen të arrestuar për një arsye të vetme që është kundërshtimi potencial ose hapur i projektit të transformimit të Saudisë në një Dubai të ri të zonës. Të gjithë këta shujuhë përbëjnë pengesë reale për zbatimin e këtij projekti i cili parashikon një revolucion kulturor të gjithanshëm në Mbretërinë Saudite dhe mbajtjen e frymës fetare vetëm brenda kufijve të Mekës dhe të Medines.
Pa këta shujuhë ku projekt është më i lehtë për t'u vënë në zbatim. Pa këta shujuhë do të ketë më shumë të mashtruar me degjenerimin dhe më pak të penduar dhe të kthyer te Allahu. Pa këta shujuhë do të jetë më e lehtë të përhapet prishja dhe do jetë më e vështirë të frenohet e keqja prandaj shumica dërmuese e tyre nuk kanë as edhe ndonjë akuzë konkrete me të cilën duhet të përballen.
Allahu e liroftë çdo të dënuar padrejtësisht nga burgjet e zullumqarit dhe u dhëntë liri të plotë atyre që nuk e meritojnë të jenë aty! Amin!
(Linku i organizatës https://sanad.uk/?lang=ar)