Kryetari në burg, gjysma e Tiranës pa ujë

Ndërkohë që kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndodhet pas hekurave, situata në kryeqytet po degradon dita-ditës. Prej orësh të tëra qytetarët nga zona të ndryshme të Tiranës kanë raportuar mungesë të plotë uji të pijshëm në banesat e tyre. JOQ ka marrë dhjetëra mesazhe nga Unaza e Re, Kombinat, Astir, Fresku, Ali Demi, Lapraka, Yzberisht dhe zona të tjera, ku qytetarët shprehin shqetësim për ndërprerjen e furnizimit me ujë, pa asnjë paralajmërim apo komunikim nga UKT.
Ndërkohë që temperaturat janë në rritje dhe verës ende nuk i ka hyrë mirë sezoni, Tirana është duke përjetuar një krizë serioze të ujit. Prindër të shqetësuar, të moshuar dhe familje të tëra nuk kanë as mundësinë minimale për t’u larë apo për të gatuar.
Ajo që është më shqetësuese është heshtja totale nga institucionet përgjegjëse. As UKT dhe as bashkia nuk kanë dalë me një deklaratë publike për të shpjeguar arsyet e ndërprerjes masive të furnizimit me ujë. Njerëzit ndihen të braktisur dhe të poshtëruar, ndërkohë që miliona euro janë shpenzuar për projekte luksi, ndërkohë që nuk garantohet as uji bazik për qytetarët.
Situata është një dëshmi e qartë e kolapsit institucional që ka kapluar Tiranën pas rrëzimit të Veliajt dhe një kambanë alarmi për pasojat e menaxhimit të korruptuar.
Mungesa e ujit po ndodh në një moment kur Tirana ndodhet pa drejtim politik, pasi kryetari Erion Veliaj është aktualisht pas hekurave. Institucionet janë të paralizuara, ndërsa qytetarët e zakonshëm po përballen me pasojat e drejtpërdrejta të një pushteti të kalbur nga brenda.
Ajo që i bën gjërat edhe më tragjike është fakti se Partia Socialiste sapo ka fituar zgjedhjet, duke marrë sërish besimin e votuesve. Premtuan zhvillim, infrastrukturë, cilësi jete – por sapo morën votat, po i lënë njerëzit pa ujin më bazik për jetesën. Ky është “shpërblimi” që merr Tirana pas fushatave boshe dhe sloganeve me ngjyra.
Qytetarët janë të revoltuar dhe të braktisur. Uji mungon, por miliona euro janë shpërdoruar për fasada, sheshe betoni dhe fushata marketingu. Askush nuk mban përgjegjësi, ndërsa kryeqyteti po zhytet në kaos, pisllëk dhe paaftësi totale.
Kjo është Tirana pas zgjedhjeve. Ky është realiteti që vjen kur vota përdoret si garanci për të sunduar dhe jo për të shërbyer./joq