Bashkia e Tiranës vonon dhënien e kredisë së butë, qytetarët e zhgënjyer

Një qytetar i Tiranës ka denoncuar pranë redaksisë sonë vonesat e pajustifikuara në shpalljen e rezultateve për përfituesit e kredive të buta të ofruara nga Bashkia Tiranë në kohën kur kryebashkiaku Veliaj ishte ende në detyrë, pra para arrestimit.
Sipas qytetarit, aplikimet për këtë skemë u hapën në janar 2024 dhe afati për përfundimin e procesit ishte parashikuar për prill, por deri më sot, në qershor, nuk është dhënë asnjë informacion zyrtar mbi listën e përfituesve.
Denoncuesi thekson se shumë qytetarë që kanë aplikuar për këtë program jetojnë në kushte të vështira banimi dhe e konsiderojnë këtë kredi si një mundësi për të ndërtuar një jetë më të qëndrueshme. Ai ngre shqetësimin se, ndërkohë që qytetarët ndëshkohen për çdo vonesë ndaj institucioneve shtetërore, vetë shteti nuk jep llogari për vonesat në këtë proces.
Përmes kësaj ankese publike, qytetari kërkon shpalljen e menjëhershme të listës së përfituesve, transparencë për arsyet e vonesës dhe publikimin e një afati të qartë për mosdhënien e kredive. Ai i bën thirrje Bashkisë Tiranë të mos luajë me shpresat dhe durimin e familjeve që kanë respektuar çdo procedurë të kërkuar.
E si duket pas arrestimit të kryebashkiakut Veliaj, emërimit të kryetares së komanduar Anuela Ristani nga kryeministri Rama, largimi nga detyra i shumë prej besnikëve të Veliajt, ka bërë që procesi i dhënies së kredisë së butë nga bashkia Tiranë të ngec dhe shumë qytetarë të jenë në pritje të asaj që e presin me padurim, shtëpisë!
MESAZHI I QYTETARIT:
Përshëndetje redaksisë së JOQ Albania,
Dua të bëj publike një shqetësim që ndan jo vetëm unë, por edhe mijëra qytetarë të Tiranës që kanë aplikuar për kreditë e buta të shpallura nga Bashkia Tiranë.
Bashkia njoftoi hapjen e aplikimeve për këtë skemë në muajin janar 2024, dhe afati i aplikimit u përmbyll siç duhet. Përgjigjet, sipas njoftimeve zyrtare dhe pritshmërive të krijuara, duhej të ishin shpallur që në prill. Sot jemi në qershor dhe ende nuk ka asnjë informacion zyrtar mbi përzgjedhjen e përfituesve. Asnjë afat i ri, asnjë shpjegim, asnjë transparencë.
Ndërkohë, shumë prej nesh jetojmë me qira, me fëmijë të vegjël ose në kushte të papërshtatshme banimi. Presim këtë mundësi për të ndërtuar një jetë me dinjitet, por përballemi me heshtje dhe mungesë përgjegjshmërie nga institucionet publike.
Në një kohë kur qytetarët ndëshkohen për vonesa edhe minimale ndaj shtetit (taksa, energji, ujë), si është e mundur që vetë shteti nuk mban përgjegjësi për vonesa të tilla?
Kërkojmë menjëherë:
- Shpalljen zyrtare të listës së përfituesve.
- Transparencë mbi arsyet e vonesës.
- Publikimin e një afati të saktë për disbursimin e kredive.
I bëjmë thirrje Bashkisë Tiranë të mos luajë me shpresat dhe durimin e qytetarëve, që kanë ndjekur çdo procedurë dhe kanë dorëzuar çdo dokument të kërkuar.
Nëse ky është “shteti social” që na premtohet çdo katër vjet, atëherë le ta shohë e gjithë Shqipëria se sa social është në realitet.
Me respekt, Një qytetar që pret me durim, por nuk mund të heshtë më./JOQ