Spastrohen rrënjët e Veliajt në Bashki, nga shoferi deri tek drejtorët

Ajo që dikur dukej si një përplasje brenda radhëve të së njëjtës familje politike, tani po merr formën e një eliminimi politik me kujdes nga lart. Me urdhër të pashprehur publikisht, por të qartë në veprim, strukturat e besnikëve të Erion Veliajt në Bashkinë e Tiranës po çmontohen një nga një.
Pas largimit të zyrtarëve të njohur të Veliajt, Sara Goxhajn dhe Alban Dokushin, vala e shkarkimeve është zgjeruar duke përfshirë edhe drejtorin e Protokollit dhe drejtoreshën e Shërbimeve Mbështetëse , emra të lidhur ngushtë me administrimin e Veliajt. Shoferë, koordinatorë, madje edhe sekretarë po largohen në heshtje, por me një mesazh të qartë: Epoka e lalit ka marrë fund.
Anuela Ristani, kryetare e komanduar e Bashkisë, po udhëheq spastrimin institucional të një administrate që për vite të tëra kishte ndërtuar një kulturë rreth figurës së Veliajt. Por tani, urat po digjen njëra pas tjetrës, ndërsa vetë ish-kryebashkiaku përballet me hetime të hapura dhe mungesë të çdo lloj mbrojtjeje publike nga Edi Rama, njeriun që dikur e quante “të ardhmen e Partisë Socialiste”.
Burime pranë mazhorancës e konsiderojnë këtë “kapitull të mbyllur”, ndërsa lëvizjet e fundit duket se po i japin një përgjigje përfundimtare ambicieve të Veliajt për t’u rikthyer në skenë si lider i pavarur brenda PS-së. Skenari tashmë është në zbatim: asnjë pengesë, asnjë rikthim. Vetëm heshtje dhe zbatim./joq