Lidhje


Rijetëzimi i industrisë ushtarake në Shqipëri, prodhim uniformash dhe montim të mjete të blinduara në ish-Uzinën e Autotraktorëve

Ish-Uzina e Autotraktorëve do të jetë pjesë e projektit për rijetëzimin e industrisë ushtarake në vend, ku fokusin e saj do e ketë pikërisht në prodhimi për industrinë ushtarake, ku do të montohen mjete të blinduara, automjete për emergjenca dhe do të prodhohen uniforma për Forcat e Armatosura, Policinë e Shtetit, zjarrfikësit dhe emergjencat civile.

 

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se ky projekt do të ndikojë drejtpërdrejt në ekonominë kombëtare përmes rritjes së prodhimit, punësimit dhe inovacionit.

 

“Këtu bëhet fjalë për një zhvillim pozitiv për FA, për ekonominë tonë kombëtare dhe për komunitetin këtu. Në kuadër të rilindjes së industrisë ushtarake në Shqipëri, ne kemi një sërë projektesh për rijetësimin e një infrastrukture të vjetër të mbetur jashtë funksionit siç është edhe ish-Uzina e Autotraktorëve, ku synimi është të ndërtojmë një rrjet të prodhimit të plotë të vend për nevojat e FA dhe Policisë së Shtetit  dhe zjarrfikëse por edhe për eksport. Kjo do të thotë se rritja e buxhetit të mbrojtjes të shkojë për të stimuluar ekonominë kombëtare dhe përmes krijimit të këtyre hallkave të reja të një zinxhiri prodhues të krijohen vende të reja pune dhe që përmes këtij procesi të stimulojmë edhe teknologjinë e inovacionit. Do nisim prodhimin e cilësisë së lartë të veshjeve të ushtarakëve dhe policisë tonë pasi i kemi të gjitha mundësitë dhe të krijojmë një bazë prodhuese që të mund të shërbejnë edhe për eksport”, tha Rama.

 

Rama mohoi zërat kritikë dhe dezinformimin që, sipas tij, kanë shoqëruar këtë projekt.

 

“Ka një teori konspirative që këtu do krijohet një vatër rreziku për jetën e njerëzve. Kjo është një çmenduri,” deklaroi ai.

 

Edhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, u shpreh se strategjia e qeverisë është që investimet në kapacitete ushtarake të mbështesin gjithashtu edhe Policinë e Shtetit dhe emergjencat civile.

 

“Strategjia e qeverisë është se sa herë investojmë në kapacitete ushtarake të mund të mbështesim dhe Policinë e Shtetit. Qëllimi është të mbulojmë nevojat e brendshme të FA, emergjencave civile, urgjencave mjekësore dhe të Policisë së Shtetit. Në këtë objekt do kemi prodhim të mjeteve të blinduara, mjeteve të emergjencave civile dhe mjeteve ambulatore për emergjencat mjekësore dhe prodhimi i uniformave për FA, policinë e shtetit dhe emergjencave civile e zjarrfikësve”, tha Vengu.

 

Ndërkohë, ministri i Brendshëm Ervin Hoxha e cilësoi projektin si një nga iniciativat transformuese që mbështet vizionin “Shqipëria 2030”.

 

“Një projekt që do të sjellë zhvillim, do të hap vende pune jo vetëm për profesione të specializuara por edhe në shërbim mbështetëse duke krijuar një pol zhvillimi. Ky projekt është veç një nga projektet transformuese pjesë e vizionit Shqipëria 2030. Ky projekt po sulmohet sot nga opozita e cila vet s’ka as ide as vizion, përpiqen ta kthejnë komunitetin kundër punëve të mira. Jam i vetëdijshëm që disa nga banorët mund të jenë të shqetësuar nga gënjeshtrat dhe keqinformimet që janë përhapur për këtë projekt ndaj dua t’ju siguroj që nuk ka asgjë për tu shqetësuar, këtu do të prodhohen automjete dhe uniforma, jo bomba dhe eksploziv”, tha Hoxha./telegrafi

XS
SM
MD
LG