Si ish-sigurimsi Fat Xhaferri grabiti truallin publik për të ngritur kullën me Armand Lilon

Një nga aferat më të mëdha të grabitjes së pronës publike në mes të Tiranës po trondit opinionin publik.
Bëhet fjalë për një sipërfaqe trualli prej 1.185 m², pronë shtetërore, e cila përmes vendimeve të dyshimta gjyqësore dhe skemave të organizuara, përfundoi në duart e familjes Xhaferri duke i hapur rrugë ndërtimit të një prej kullave më luksoze të kryeqytetit, të njohur si “Eyes of Tirana”.
Në qendër të kësaj historie që përzien korrupsionin, manipulimin gjyqësor dhe aferat e ndërtimit, qëndron një proces skandaloz i legalizimit të pronësisë, ku protagonistë janë familja Xhaferri, ndërtuesi Armand Lilo, dhe individë të lidhur me figura të njohura të politikës si Fatmir Xhafaj.
Familja Xhaferri, përmes një sërë kompanish ndërtimi ku figurojnë si ortakë dhe administratorë, rezulton të ketë vënë në funksion truallin duke bashkëpunuar me ndërtuesin Armand Lilo, për ngritjen e kullës shumëkatëshe “Eye of Tirana”.
Ndërtimi i kësaj kulle luksoze vjen në një truall që në të vërtetë i takonte shtetit shqiptar, përmes një skeme të rafinuar të grabitjes së pasurisë publike, ku aktorë kryesorë janë gjyqtarë të vjetër të sistemit të drejtësisë, të përjashtuar tashmë nga Vetting-u, dhe individë me lidhje politike e ekonomike të fuqishme.
Si nisi grabitja e pronës publike?
Në vitin 2015, Gjykata e Apelit Tiranë, me trupën gjykuese të përbërë nga Fatmira Hajdari (kryetare), Gramoz Levanaj dhe Egmond Gogu, mori një vendim skandaloz (vendimi nr.1366, datë 02.06.2015), duke ia kaluar të drejtën e pronësisë mbi truallin “Tarikatit Islamik Halvetian”. Një vendim ky që bie ndesh me të gjitha provat historike dhe ligjore, duke anashkaluar faktin që prona në fjalë ishte në zotërim të Komunitetit Mysliman Shqiptar (KMSH) që prej vitit 1918.
Vetë dokumentacioni arkivor provon se prona e njohur si “Vorrezat e Adem Idrizit”, ndodhej në administrim të KMSH-së dhe se Tarikati Halvetian ishte gjithmonë pjesë përbërëse e këtij komuniteti, pa pasur ndonjëherë pronësi të pavarur.
Madje, ligjet dhe statutet e kohës, si ai i vitit 1929, përcaktonin qartë se të gjitha vakëfet myslimane ishin pasuri e Komunitetit Mysliman dhe administroheshin vetëm prej tij.
Roli i familjes Xhaferri
Pas vendimit të diskutueshëm të Apelit, familja Xhaferri, përmes Liljana Xhaferrit dhe Mirlinda Xhaferri Heirdon, ndërhyri financiarisht dhe juridikisht në mbështetje të Tarikatit Halvetian, duke marrë më pas kontrollin mbi pronën. Sipas të dhënave, ato realizuan një kontratë shkëmbimi të dyshimtë me Sheh Ali Pazarin kreun e Tarikatit Halvetian ku në këmbim të një sipërfaqeje të vogël bodrumesh, siguruan truallin me vlerë miliona euro në qendër të Tiranës.
Përmes kësaj kontrate, prona e ndodhur në rrugën e Kavajës, me vlerë marramendëse, iu kalua familjes Xhaferri, duke hedhur hije të forta dyshimi për mashtrime, shantazh ose abuzime të tjera ligjore në këtë transaksion.
Vendime dhe dokumente të injoruara
Në mënyrë të habitshme, Gjykata e Apelit Tiranë injoroi një sërë aktesh dhe vendimesh të tjera të vlefshme, të cilat konfirmonin pronësinë shtetërore ose të KMSH-së mbi këtë truall, si:
- Vendimi i Këshillit të Ministrave nr.891, datë 19.12.2007, i cili përcaktonte kalimin e truallit në fondin e kompensimit fizik për KMSH.
- VKM nr.1036, datë 14.10.2009, që shfuqizonte vendimin e mëparshëm dhe kthente truallin në pronësi shtetërore.
- Vendimi i Gjykatës së Rrethit Tiranë nr.9744, datë 09.10.2014, i cili njihte KMSH si pronare legjitime të truallit./joq