Armiqësia me fjalët e Kur’anit! Si u ndryshua tërësisht gjuha shqipe në vitet “20?
Nga Samuel Laze
Botëkuptimi i një kombi pasqyrohet në fjalët që zgjedh të përdorë. Emocionet dhe mendimet arrin që t’i shprehë vetëm në saj të mundësisë së ofruar nga leksiku që zotëron. Një shoqëri me fjalor të cunguar nuk mund të mendojë thellë dhe nuk mund të lundrojë në thesarin e madh të ideve për të nxjerrë në pah versionin më të kulluar të botëkuptimit ku bën pjesë e kështu destinohet për të qenë primitive…
Sikurse dihet, fjala mbart dy kuptime: etimologjik – që ka të bëjë me prejardhjen e kuptimin gjuhësor, dhe terminologjik, pra përdorimi në një shkencë apo profesion të caktuar. Psh. fjala televizion në aspektin etimologjik ka kuptimin “shikim nga larg” ndërsa në terminologji është një sistem për transmetimin e pamjeve dhe zërit në distancë. Fjala radio në etimologji do të thotë “rreze apo valë” ndërsa në terminologji i referohet transmetimit të zërit në distancë nëpërmjet valëve. Kështu, në të njëjtën mënyrë çdo shkencë ka fjalorin respektiv pa të cilin është e pamundur të kuptohet.
Kombi shqiptar mysliman përgjatë historisë, për të shprehur nocionet abstrakte dhe metafizike ka përvetësuar fjalë nga gjuha arabe dhe perse, kryesisht gjatë periudhës osmane. Këto fjalë edhe pse prejardhjen mund ta kenë nga gjuhët e sipërpërmendura, në realitetin shqiptar kanë kontekst terminologjik dhe janë çelësi kyç që na mundëson të perceptojmë botëkuptimin islam. Secila nga këto fjalë shërben si një fije e litarit që na lidh me kulturën e Kur’anit i cili në vetvete me elokuencën që përmban ka gjunjëzuar dhe lënë pa fjalë edhe letrarët më të mëdhenj duke mos ngjasuar me asnjë libër tjetër. Meqë nuk është i barabartë me asnjë libër tjetër, atëherë, (hasha) ose është më poshtë se të gjithë (që kjo është absurde), ose është sipër të gjithëve, pra është me burim hyjnor….
Mirëpo, këto fjalë asnjëherë nuk i kemi marrë shabllon por i kemi përshtatur me fonetikën e gjuhës shqipe dhe në konstekste specifike duke i shqiptarizuar. Madje ka fjalë si psh. namus, që në arabisht do të thotë mizë ndërsa në shqip (dhe turqisht) mbart kuptimin e etikës, turpit, ruajtjes së ndrerit etj. Gjithashtu, këto huazime nuk kanë zëvendësuar fjalë të tjera të gjuhës shqipe por e kanë pasuruar fjalorin tonë në fushat shkencore që i përkasin. Veç kësaj, asnjë nga këto terma nuk ka një përkthim të drejtpërdrejtë qoftë në gjuhën shqipe qoftë në gjuhët e tjera. Në të njëjtën kohë, ky integrim terminologjik kurrësesi nuk na ka arabizuar, pasi të diturit arabisht apo të qenurit arab nuk do të thotë se mund të kuptosh Hazreti Kur’anin sepse zbërthimi i domethënieve të tij të larta kërkon specializim në disa fusha shkencore dhe nuk është punë e njerëzve standard (avam-i nas). Sikurse thotë edhe poeti: “Të quash kulturën perëndimore qytetërim dhe kulturën arabe islamizëm është i njëti gabim”1 Dallimi mes myslimanëve të gjeografisë osmane dhe arabëve ishte në etikë dhe aksion.2 Në këto dy aspekte osmanët kanë qenë të pakrahasueshëm dhe kjo është një arsye që deri në rrëzimin e perandorisë vendet arabe janë qeverisur ose nga ndonjë vali shqiptar ose turk dhe jo nga banorët vendas.
…
Në fillim të shekullit XX, me ndërhyrjen e shteteve të mëdha dhe komiteteve të fshehta do zhvilloheshin përpjekje sistematike intensive për shkputjen e shqiptarëve nga civilizimi Islam dhe manifestimi më ekstrem i kësaj ishte lufta që iu shpall fjaëve me burim nga Kur’an-i Qerim. Megjithatë, për të përgatitur fillimisht terrenin psikologjik dhe për të shmangur lëvizjet reaksionare u treguan të kujdesshëm ndaj opinonit publik. Nuk e deklaruan haptazi që “O shqiptarë! Duam t’ju shkpëusim nga botëkuptimi islam sepse neve nuk na pëlqen dhe nuk është në interesin tonë. Duam që t’i ktheni shpinën e jo fytyrën Qabes, duam që t’i fshini nga kujtesa dhe t’i pështyni gjyshërit e stërgjyshërit tuaj…” por delaruan se po zhduknin “prapambetjen” dhe po largonin fjalët “turke”. (Fjalët me burim nga Kur’ani i etiketuan si “turqizma” dhe i eleminuan me një atentat të posaçëm). Për ta realizuar këtë atentat përdorën dy mjete:
- Huazime nga latinishtja, italishtja, frëngjishtja, anglishtja, greqishtja, serbishtja etj.. Këto huazime “a la frënga” nuk kishin absolutisht kuptim adekuat, ekuivalent me fjalët që ekzekutuan dhe në këtë mënyrë shqiptarët me gjuhën e re filluan t’i perceptonin nocionet vetëm në trajtën e “hijes” pa zbritur në thellësinë e tyre. Kjo problematikë është intesifikuar dhe po evidentohet gjithnjë e më shumë, madje nëpër shkolla të mesme nxënësit kërkojnë që projektet e lëndëve t’i prezantojnë në anglisht për shkak të pamjaftuesjmërisë së shqipes. Kjo pamjaftueshmëri është rezultat i këtyre deformimeve. Sot po bëhet një përpjekje tjetër për të mbuluar këtë masakër, duke promovuar në media analfabetë funksionalë po përhapin lajme se të gjitha gjuhët e botës vijnë nga shqipja. Duke marrë në konsideratë nivelin e lexuesve tanë të nderuar besoj se nuk është e nevojshme të harxhojmë rrjeshtat për të replikuar këtë absurditet.
- Shpikja (ujdisja) e fjalëve të reja inekzistente. Një rrugë tjetër që ndoqën ishte krijimi i fjalëve të reja duke bashkuar fjalë të ndryshme. Kjo në pamje të parë të jepte idenë se kishim të bënim me fjalë autentike shqiptare por në fakt ishin ujdisje nga mendjet e letrarëve të regjimit. U shpikën fjalë që nuk ishin përdorur kurrë më parë, fjalë që njerëzit as nuk i njihnin as nuk i përdornin dhe as nuk kishin ndonjë nivel shkencor. Sa domethënëse është kjo ngjarje e ndodhur në Romën e Lashtë. Kur diktatori më i famshëm romak Jul Çezari përdori një fjalë jo latine në senat, një prej senatorëve e kundërshtoi. Çezari iu përgjigj duke i thënë : “A mund të bëj unë kë të dua shtetas latin ose t’ja heq shtetësinë kujt të dua?! Atëherë, meqë e pëdora unë këtë fjalë, nga tani e tutje do jetë fjalë latine.” Senatori i’u përgjigj: “Jo, Çezar, ti mund t’ja japësh shtetësinë apo heqësh kujt të duash sepse për këtë të jep kompetencë ligji, por asnjë ligj nuk të lejon të vendosësh që një fjalë të jetë latine. Këtë mund ta bëjë vetëm populli latin. Nëse e pëlqen një fjalë dhe e vendos në përdorim atëherë ajo fjalë bëhet latine.” Çezari edhe pse ishte diktatorkërkoi ndjesë. Kjo histori qoftë reale apo thjeshtë një anekdodë shpreh qartë një realitet të madh.
Këto ndryshime radikale “prekën” edhe një nga ustallarët e albanologjisë, profesorin austriak me origjinë hebreje Norbert Jokli i cili do të shprehej se : “Nuk më duket gja e drejtë, as dhe e nevojshme që të çporni nga përdorimi ato fjalë tyrqishte që janë rrënjosur me kohë në gjuhën e popullit; sidomos kur fjalë tyrqishte që e kuptojnë të gjithë e zëvendësoni me ndonjë fjalë të huaj që s’e kupton askush, ose një pakicë shumë e vogël…”3
Në një shkresë të vitit 1922 që kryeministri i kohës Xhafer Ypi i dërgon Ministrisë së Financave ndër të tjera shkruan se: “…të jepen urdhunat e duhuna nda zyrat kompetente mbi mos përdorimin e fjalëve turqisht nëpër dëfetsat e zyrës së monopoleve.”4
Ja disa ilustrime konkrete (sa për të krijuar idenë pasi në ralitet pothuajse u formatua gjithë fjalori i shqipes) të këtyre ndryshimeve radikale. Dokumentat arkivorë të mëposhtëm i përkasin Fletores Zyrtare. Sikurse u përmend edhe më sipër, këto ndryshime dhe përkthime që u bënë nuk ishin kurrësesi adekuate e ekuivalente dhe hendeku që kanë në domethënie me “fjalët e vjetra” të bën “t’i vësh duart në kokë” por duke qenë se ky fenomen kërkon studim dhe analizë specifike nuk e kemi evidentuar në këtë artikull.
Gazeta Zyrtare, viti 1923, fq.8
Gazeta Zyrtare, viti 1923, fq 2
Gazeta Zyrtare, viti 1922, fq. 89
Fjala esbab-i myshedide u zëvëndësua nga fjala shkaqe randësimi
Fjala istidlal u zëvëndësua nga fjala presumim
Fjala teshqil u zëvëndësua nga fjala formim
Fjala meshhud u zëvëndësua nga fjala flagrancë
Fjala myessese-i kavlije u zëvëndësua nga fjala institucion konvencional
Gazeta Zyrtare, 1923, fq 15
Gazeta Zyrtare, 1923, fq. 15
Gazeta Zyrtare, 1923, fq.15
Fjala tesaruf u zëvëndësua nga fjala pronësi
Fjala borxhli u zëvëndësua nga fjala debitor
fjala mylq u zëvëndësua nga fjala pronë
Termi ihale-i evelije u zëvëndësua nga fjalia e gjatë: koha e fillimit të ankandit deri në shitjen e parë
Termi ihale-i katije u zëvëndësua nga fjalia e gjatë : nga data e shitjes së parë deri në përfundim të ankandit
Fjala azrar’-i kanunije (nr. njëjës yzër) u zëvëndësua nga fjala shkaqe ligjore
Fjala tedkik u zëvëndësua nga fjala kthjellim
Fjala arazi kanuni u zëvëndësua nga fjala ligji i tokës
Gazeta Zyrtare, 1923, fq.36
Gazeta Zyrtare, 1922, fq.45
Gazeta Zyrtare, fq. 35
Fjala esbab-i muhafife u zëvëndësua nga fjala shkaqet lehtësuese
Fjala esbab-i meafije u zëvëndësua nga fjala shkaqe shlyese
Fjala intikal u zëvëndësua nga fjala mënyra sjellore
Fjala hukuk-i sijasi u zëvëndësua nga fjala e drejta politike
Gazeta Zyrtare, 1923, fq 10
Gazeta Zyrtare, 1923, fq. 205
Fjala kabahat u zëvëndësua nga fjala gabime
Fjala xhunha u zëvëndësua nga fjala delikt
Fjala haqem u zëvëndësua nga fjala arbitër
Ashtu sikurse do ishte e çuditshme dhe budallallëk nëse dikush do kërkonte që televizorin ta quanim “kuti me ngjyra” apo termat e tjerë teknologjikë, mjekësorë… t’i zëvendësonim me ndonjë fjalë të ujdisur dhe të pretendonte se mund t’i kuptonim këto shkenca , ashtu edhe është e pamundur që botëkuptimi islam të perceptohet me kufizimet që i janë bërë gjuhës shqipe sot. Sa prej nesh arrijnë t’i kuptojnë shkrimet e Hfz. Ali Ulqinakut, Hasan Zyko Kamberit, Nezim Beratit e qindra poetëve e shkrimtarëve të tjerë, emrat e të cilëve janë destinuar në harresë nga qarqet antishqiptare që maskohen me shqiptari dhe përbaltin figurën e tyre? Nëse një shqiptar kërkon të njohë dhe mësojë realisht Islamin atëherë hapi i parë që duhet të hedhë, gjëja e parë që duhet të bëjë është të mësojë saktë gjuhën shqipe të pa kushtëzuar nga ndërhyrjet enversite, zogolliane dhe çdo ndërhyrje tjetër anti-demokratike. Sigurisht që kjo mbetet në dëshirën dhe vullnetin e kombit shqiptar!
Shënime dhe referenca:
- Këtë fjalë e ka thënë Muhsin Yazıcıoğlu (1954-2009), poet dhe politikan turk.
- Osmanët nuk ia vendosnin emrin fëmijëve Muhammed por e përshtatnin në trajtën Mehmet për të treguar kujdes në respektin ndaj Hz. Pejgamberit (s.v.s) pasi mund të ndodhte që prindërin t’i bërtisnin fëmijës apo të shahej nga shokët. E shihnin si jo etike që të ndodhnin këto veprime të pahijshme nda dikujt që mbante atë emër të lartë. Disa dallime të tjera janë: mos-vendosja e Kur’an-i Qerimit në një vend, raft që është i ulët (poshtë kërthizës); arabët sot e vendosin Kur’anin edhe në rafte përdhe. Mos-shtrirja e këmbëve drejt Qabes etj…
- Tajar Zavalani.. 1998. Fq. 195-196. sipas Ali Musa Bashës në librin Rrugëtimi i Islamit në Shqipëri (1912-1967), shënimi në fq.36
- Q.SH, F.149-PARA+1939-VI-98-001
- e faqeve në lidhje me gaztat zyrtare janë sipas publikimit digjital që është bërë nga Bibilioteka Kombëtare Shqiptare