Lidhje


Nga ‘Revoltohu motër’ te marshimi i penguar për Palestinën/Kur disa marshojnë lirshëm dhe të tjerët ndalohen

Përgatiti : Alban Gorishti

 

8 Marsi, i njohur sot si Dita Ndërkombëtare e Gruas, ka një histori të qartë dhe të rrënjosur në përpjekjet sociale të grave në fillim të shekullit XX. Ai lidhet me protestat e grave punëtore në SHBA dhe Evropë që kërkonin kushte më të mira pune, paga të drejta dhe të drejta politike. Në vitin 1910, në konferencën ndërkombëtare të grave socialiste në Kopenhagë, u hodh ideja që kjo datë të shërbente si një simbol ndërkombëtar i luftës për të drejtat e grave. Që nga ajo kohë, 8 Marsi është parë si një ditë reflektimi për kontributin e gruas në shoqëri dhe për sfidat që ajo ka përballuar historikisht. Në thelb, kjo datë është një përkujtim për dinjitetin e gruas, për rolin e saj në familje dhe në jetën shoqërore, si dhe për përpjekjen e saj për barazi dhe respekt.

 

Megjithatë, në shumë vende, përfshirë edhe Shqipërinë, kuptimi i kësaj dite duket se ka filluar të zhvendoset nga simbolika e saj historike drejt një përzierjeje narrativash dhe simbolesh që shpesh nuk lidhen drejtpërdrejt me vetë figurën e gruas. Protesta e zhvilluar sot në Tiranë, ku u përdor slogani “Revoltohu motër” dhe ku u shfaqën simbole dhe narrativa të lidhura me aktivizmin LGBTQ, krijon një kontrast të fortë me kuptimin fillestar të kësaj dite. Në një plan të parë, një thirrje si “Revoltohu motër” mund të duket si një apel për ndërgjegjësim dhe reagim ndaj padrejtësive që mund të përjetojnë gratë në shoqëri. Por kur kjo thirrje shfaqet në një kontekst ku simbolika dhe retorika zhvendosen nga çështjet specifike të grave drejt një axhende më të gjerë identitare, lind një konfuzion i qartë simbolik.

 

Kjo përzierje e kuptimeve e bën të paqartë se çfarë po përkujtohet realisht në një ditë që historikisht ka qenë e dedikuar për të drejtat e grave. Nëse 8 Marsi është një ditë që synon të vlerësojë dhe të mbrojë figurën e gruas, atëherë lind natyrshëm pyetja se çfarë raporti koherent mund të ekzistojë midis kësaj date dhe një proteste ku fokusi zhvendoset drejt identiteteve seksuale apo formave të tjera të aktivizmit ideologjik. Për shumë njerëz, kjo duket si një zhvendosje e vetë kuptimit të ditës, nga një datë që nderon gruan si figurë qendrore të shoqërisë, drejt një platforme për narrativat e një lëvizjeje që nuk e ka domosdoshmërisht gruan si subjekt kryesor, madje më keq se kaq, i “seksualizon të drejtat” e grave duke e i dhënë kësaj dite një simbolikë perverse.

 

Kjo nuk është më një thirrje për të drejtat e grave, por një përzierje simbolesh që krijon një paradoks të qartë, një ditë që duhej të afirmonte gruan përfundon duke e zbehur figurën e saj në një mori narrativash që nuk kanë lidhje me historinë e kësaj date.

 

Në të njëjtën kohë, protesta e sotme ngre edhe një çështje tjetër që lidhet me mënyrën se si trajtohen protestat në hapësirën publike.  Në muajt e fundit, protestat pro Palestinës në Tiranë janë shoqëruar shpesh me pengesa të shumta nga organet ligjzbatuese, në disa raste nuk është lejuar marshimi, ndërsa në raste të tjera është vënë re një prani e jashtëzakonshme e forcave policore dhe e strukturave të sigurisë, në raste të tjera janë penguar simbolika të protestës etj. Ky kontroll i fortë institucional ka krijuar një atmosferë ku shumë qytetarë kanë ndjerë se protestat e tyre janë trajtuar me dyshim dhe kufizime të dukshme.

 

Në kontrast me këtë, marshimi i sotëm për 8 Mars duket se është zhvilluar pa pengesa të dukshme dhe pa një prani të theksuar të forcave të rendit. Ky kontrast krijon një perceptim të qartë të një standardi të dyfishtë në trajtimin e protestave. Kur një protestë përballet me kufizime të forta dhe një tjetër zhvillohet lirshëm përpara institucioneve shtetërore, lind natyrshëm pyetja nëse hapësira publike trajtohet me të njëjtin standard për të gjitha kauzat.

 

Në këtë pikë, debati nuk është më vetëm për një slogan apo për një marshim të vetëm. Ai bëhet një debat për mënyrën se si simbolika historike përdoret në diskurset moderne dhe për mënyrën se si institucionet reagojnë ndaj protestave të ndryshme. Nëse 8 Marsi është një ditë që historikisht synon të nderojë gruan dhe kontributin e saj në shoqëri, a është e drejtë që simbolika e kësaj dite të zhvendoset drejt një axhende tjetër ideologjike me sfond tërësisht të papranueshëm moral? Nëse protestat janë një e drejtë demokratike, pse disa protesta përballen me kufizime të forta ndërsa të tjera zhvillohen pa pengesa? Dhe mbi të gjitha, a po ruhet kuptimi historik i datave që përfaqësojnë përpjekje reale sociale, apo ato po shndërrohen në platforma simbolike për debate që nuk lidhen më me origjinën e tyre? Kujt i shërben kjo axhendë?

 

Këto janë pyetje që nuk kërkojnë domosdoshmërisht përgjigje të menjëhershme, por që tregojnë se debati rreth kuptimit të 8 Marsit dhe mënyrës se si ai përfaqësohet në hapësirën publike është larg të qenit i mbyllur. Sfida mbetet të kuptohet nëse kjo datë do të vazhdojë të mbetet një përkujtim për gruan dhe dinjitetin e saj, apo nëse kuptimi i saj do të vazhdojë të transformohet në diçka krejt tjetër nga ajo që historia e saj fillimisht përfaqësonte, në diçka që tenton të ndryshojë gjenetikën e këtij populli madje gjenetikën e vet qenies njerëzore.

 

XS
SM
MD
LG