Lidhje


Çfarë dëshiron të na thotë Zoti nëpërmjet largimeve "të papritura"?/Vdekja e Shpat Kasapit si një pasqyrë për shpirtrat tanë

Nga Alban Gorishti

 

E mbaj mend qartë ditën kur, në qytetin tim të lindjes, e pashë për herë të parë Shpat Kasapin. Ishte një ditë vere, e nxehtë, dhe një ditë e xhuma; sapo po përgatiteshim për të hyrë në xhami për namazin e xhumasë, një figurë e njohur u afrua papritur, duke mbajtur mbi fytyrë një buzëqeshje të veçantë, që duket se sfidonte zakonet dhe kohën e vendit tonë. Ai u fal aty mes gjithë të tjerëve thjesht, pa bujë, pa kamera, vetëm një shpirt përballë Krijuesit të vet. Momenti ishte i veçantë, sepse feja e zhvesh njeriun nga çdo titull, famë apo privilegj, dhe lë vetëm një qenësor i thjeshtë, i përballur me të Vetmin e përjetshëm. Sot, lajmi i humbjes së tij tronditi zemrat, dhe pyetja lind natyrshëm, çfarë do të thotë Zoti me këtë?

 

Realitetet e njerëzve nuk përkojnë me ato të Allahut. Ne vlerësojmë famën, pasurinë, statusin, ndërsa Ai sheh thelbin e shpirtit. Çdo sukses, çdo titull, çdo pushtet është thjesht një iluzion i përkohshëm për syrin e kësaj bote, ndërsa tek Zoti nuk ka asnjë maskë që mund të fshehë brendësinë tonë. Shumë njerëz habiten, “Si ka mundësi? Pse ai? Pse tani?” Sepse ajo që ne e quajmë e papritur, Ai e quan të caktuar, ajo që ne e quajmë e padrejtë, Ai e quan urtësi. Ne shohim faqen sipërfaqësore të jetës, Ai sheh gjithë librin.

 

Vdekja ka një fuqi të veçantë, ajo gris iluzionin tonë tokësor dhe na kujton se jeta që ndërtojmë shpesh na largon nga rrugëtimi i vërtetë. Ne ndërtojmë sisteme, ëndrra, plane, karriera, një jetë të tërë rreth vetes sikur bota të ishte e përhershme. Dhe pastaj vjen vdekja, e heshtur, e prerë, dhe të kujton një të vërtetë të thjeshtë, ne jetojmë në një botë që nuk na përket. Rastet që prekin publikun  sidomos kur prek një figurë të njohur  funksionojnë si një trokitje e fortë në ndërgjegjen kolektive. Është një mesazh që sikur na thotë: ndaloni, shikoni, jeta nuk është vetëm ajo pas të cilës po vraponi.

 

Kur humb një figurë që e kemi parë shpesh, ndiejmë fuqinë e mesazhit hyjnor. Kuptojmë papritmas se nuk ka rëndësi kush jemi në sy të njerëzve, rëndësi ka kush jemi në sy të Allahut. Sistemi ynë i jetës ritmi që kemi krijuar vetë, grindjet, ambiciet, egoja krijon një re të trashë që na largon nga pyetjet e mëdha, kush jam? ku po shkoj? çfarë po ndërtoj për veten time të vërtetë, jo për imazhin tim? Zoti, me ngjarje të tilla, na tërheq nga supi dhe na thotë, rruga jote nuk është vetëm këtu.

 

Në çdo humbje ka një thellësi filozofike, ajo na mëson që njeriu është një udhëtar, jo një banor. Ne jemi krijesa që kanë ardhur nga një botë e padukshme, jetojnë pak në këtë botë të dukshme, dhe pastaj kthehen tek i njëjti Zot që i solli. Islami na mëson se jeta është pasqyrë e pasqyron se çfarë kemi brenda ndërsa vdekja është porta, që hapet për të na treguar atë që nuk e shihnim dot. Pas çdo porte ka ose një mëshirë të pafund, ose një përgjegjësi të drejtë, dhe pikërisht për këtë vdekjet që na prekin zemrën janë një shans për t’u zgjuar para se të zgjohemi në botën tjetër.

 

Vdekja e Shpat Kasapit, si e çdo njeriu tjetër, është një thirrje. Jo një kërcënim, jo një panik, por një përkujtim hyjnor, jeta është dhuratë, por jo garanci, realiteti i Allahut është i përhershëm, ndërsa ata tek ne janë si mjegull dhe udhëtimi ynë nuk duhet të humbasë në iluzionet e kësaj bote. Ndoshta mesazhi është ky, merreni jetën seriozisht, por përjetësinë edhe më seriozisht. Në fund, të gjithë do të takohemi me Zotin tonë, dhe pyetja e vetme që mbetet është, a jemi duke udhëtuar drejt Tij, apo duke u humbur prej Tij? Por përsëri çdo njeri duhet ta pyesë veten, çfarë dëshiron Allahu të na thotë me këtë?

 

 

XS
SM
MD
LG