Vet-hipnoza e Kishës së Laçit mes xhinëve, "akupunkturës" dhe mrekullive të fabrikuara
Sunday, 24 August 2025 15:32

Nga Alban Gorishti
Ngjitja drejt Kishës së Laçit është kthyer në një ritual kolektiv që, ndonëse paraqitet si “besim” dhe “mrekulli”, shpesh mbështetet në dëshmi banale. Njëri thotë se “mezi ecja, por kur shkova atje u ngrita në këmbë”. Një tjetër: “Nëna ime nuk hante dot, por sapo mbërriti aty i erdhi oreksi”. Histori absurde, njerëz që e konsiderojnë vetë aktin e ngjitjes në kodër si një shpëtim hyjnor, por në fakt është një stërmundim fizik mbi një të përpjetë të vështirë.
Këto rrëfime, më shumë sesa “mrekulli”, dëshmojnë një fenomen metafizik që lidhet me historinë e vendeve të mistifikuara. Historikisht, njerëzit janë tërhequr rreth maleve, shpellave e gurëve të ashtë quajtur të 'shenjtë' jo për hir të mrekullive të vërteta, por për shkak të pranishmërive të padukshme (xhinë) , shpesh të lidhura me botën e metafizike. Këta “magnetë” shpirtërorë ndikojnë tek të sëmurët, tek të dobëtit, tek ata që kërkojnë shpresë në çdo sprovë të jetës së tyre.
Ky ndikim mund të krahasohet me akupunkturën, një gjilpërë e vendosur në trup për të stimuluar energjinë e fshehur. Ashtu si akupunktura shkakton reagime trupore, edhe ndikimi i xhinëve “pickon” në pikat e dobësisë shpirtërore të njeriut. Të sëmurët ndihen tërhequr, të prekur, ndonjëherë të lehtësuar përkohësisht. Por kjo nuk është mrekulli është një ndërhyrje e fshehtë në trupin dhe mendjen e njeriut, një rezonancë okulte që fsheh brenda vetes mashtrimin.Xhini nuk ka gjilpërë, por pickimi i tij është shpirtëror. Ai prek pikat e dobësisë, hap plagën e ankthit, dhe pastaj e mbyll përkohësisht që njeriu të ndiejë se është shëruar. Ky është truku: një çlirim i përkohshëm që të lidh më fort me prani të rreme.
Nga pikëpamja e fesë së krishterë adhurimi i këtyre vendndodhjeve është një kthim në idhujtari. Edhe vetë Bibla e dënon pa mëshirë këtë fenomen: “Nuk do të bësh skulpturë ose shëmbëlltyrë të asnjë gjëje… Nuk do të përkulesh para tyre dhe as do t’i shërbesh, sepse unë, Zoti, Perëndia yt, jam një Perëndi xheloz…” (Eksodi 20:4-5). Idhujtaria është një lavazh imagjinativ që nuk krijon jetë, por i merr asaj shpirtin. Një iluzion i zbrazët, një ekran bosh që nuk jep zgjidhje , teksa i merr brendësinë njeriut , një vetëhipnozë kolektive, një përzierje mes shpresës dhe mashtrimit. Laçi është një pasqyrë. Një pasqyrë ku shfaqet etja e njeriut për mrekulli, por edhe naiviteti për t’i gjetur ato, aty ku nuk janë. Në fund, idhujtaria nuk është as 18+, as 21+… ajo është fenomeni i ndaluar dhe i kotë për çdo moshë dhe përjetësisht.
Teksa në Islam është i dënueshëm çdo lloj paganizmi (shirku), në Kuran ky fenomen sanksionohet me ndëshkimin dhe zemërimin e përjetshëm të Zotit: "“Vërtetë, Allahu nuk fal që të adhurohet dikush a diçka tjetër veç Atij, por gjynahet tjera më të vogla ia fal kujt të dojë. Kushdo që i bën shirk Allahut, ka bërë gjynah të tmerrshëm.” (Nisa: 48)
