Në zi duhet të jetë Athina, jo Tirana.
Në historinë e tranzicionit politik shqiptar, një nga figurat më kontradiktore mbetet Fatos Nano një politikan që pretendoi se po modernizonte Shqipërinë, por që në shumë momente u perceptua si i huaj ndaj shpirtit të saj. Deklarata e tij e famshme se synonte “të shkatërronte 555 vitet” e trashëgimisë osmane u kthye në simbol të një mentaliteti që kërkonte të zhbënte rrënjët kulturore e fetare të shumicës së shqiptarëve.
Nano pretendonte se donte të çlironte vendin nga prapambetja, por në të vërtetë, ajo që shumë panë, ishte përpjekja për të ndërtuar një identitet politik të shkëputur nga populli i vet. Ai shfaqi shpesh një mosbesim të thellë ndaj vlerave shpirtërore që kishin mbajtur gjallë kombin ndër shekuj — duke e parë Islamin, dhe gjithçka që vinte nga Lindja, si pengesë për “evropianizimin” e vendit.
Marrëdhënia me Athinën: politika e nënshtrimit
Në vijim të kësaj logjike, Fatos Nano ndërtoi një marrëdhënie të ngushtë dhe shpesh të pabarabartë me shtetin grek. Nën justifikimin e fqinjësisë së mirë dhe integrimit evropian, ai hapi derën për një varg koncesionesh politike e simbolike ndaj Athinës, që shumë shqiptarë i panë si cenim të sovranitetit kombëtar.
Gjatë qeverisjes së tij nisi dhe promovimi për ngritjen e varrezave të ushtarëve grekë në territorin shqiptar — një nismë që u realizua në heshtje dhe me mungesë transparence, pa kërkuar asnjë reciprocitet për çështjet e shqiptarëve në Çamëri apo për të drejtat e emigrantëve shqiptarë në Greqi. Kjo nisëm u çua nga negociatat në realitet më pas nga qeveria Berisha.
Në këtë kuptim, Fatos Nano shpesh u perceptua jo thjesht si mik i Greqisë, por si zëdhënës i interesave të Athinës në Tiranë.
Madje, hera-herës ai sillej si i deleguari i Athinës për të përfaqësuar interesat greke nga posti i kryeministrit të Shqipërisë, duke mbrojtur qëndrime që shpesh binin ndesh me interesat kombëtare shqiptare. Kishte edhe raste kur shqiptarët në Tiranë mbanin zi për 28 viktima që përpiqeshin të kalonin detin drejtë Italisë ndërsa Nano festonte me krajfila në buzuqet e Athinës.
Për këtë arsye, me ironi politike është thënë se “në zi duhet të jetë Athina zyrtare, e jo Tirana zyrtare”, sepse gjatë gjithë karrierës së tij, Nano u kujdes më shumë për marrëdhëniet me Greqinë sesa për interesat e qytetarëve shqiptarë.
Dhe sot, me rastin e vdekjes së tij, në zi duhet të jetë Athina, sepse ajo humbi një prej njerëzve që i ka shërbyer me devocion brenda politikës shqiptare.
Deklarata në Kretë: “Kryeqyteti i Kosovës është Beogradi”
Një nga momentet më të errëta në jetën e tij politike mbetet deklarata e bërë në Kretë, në praninë e Sllobodan Millosheviçit, kur Nano u shpreh se “kryeqyteti i Kosovës është Beogradi.”
Në një kohë kur shqiptarët e Kosovës po vuanin represionin e gjenocidit serb dhe kërkonin ndihmën e Shqipërisë, kjo fjali u përjetua si një tradhti morale dhe politike.
Për shumë shqiptarë, ajo ishte dëshmia më e qartë se Fatos Nano kishte humbur lidhjen me realitetin kombëtar dhe me vuajtjet e popullit të vet, duke parë botën nga dritarja e diplomacisë së butë, por jo nga zemra e kombit që përfaqësonte.
Ironia e historisë
Koha ka sjellë një ironi të fortë historike. Sot, Fatos Nano është një kujtim i një epoke të tranzicionit të zhurmshëm sa nga gjeneratorët shurdhues sa nga një periudhë e dritëhijeve të qirinjve, e korrupsionit moral dhe politik, e elitave që më shumë flisnin për “modernitet” sesa për drejtësi, liri dhe dinjitet kombëtar.
Ndërkohë, ajo çfarë ai tentoi ta fshinte Islami si trashëgimi shpirtërore, vetëdija kombëtare dhe lidhja e shqiptarëve me historinë e tyre vazhdojnë të jetojnë.
Shqipëria është ende këtu; trashëgimia që ai deshi ta zhbënte është ende pjesë e saj.
Në fund të fundit, nëse sot dikush duhet të mbajë zi për Fatos Nanon, ajo është Athina, jo Tirana.
/Redaksia