Lidhje


Plani i Trump-it, “Dayton”-i i Palestinës dhe Gaza pa Hamasin

Populli i Gazës, prej 17 vitesh po përballet jo vetëm me bllokadën, urinë dhe luftën, por edhe me heshtjen e botës Arabe dhe Islame. Politika e Izraelit mbi Palestinën nuk bazohet vetëm në një pushtim politik, por edhe në një logjikë teologjike të pushtimit. Qëndresa që nisi me “Stuhinë e Aksasë” nga Hamasi, u bë simbol jo vetëm i rezistencës ushtarake, por edhe i një kundërshtimi moral. Plani amerikan për një “Gazë pa Hamas” po del në pah si një imponim i ri që kërcënon unitetin politik të Palestinës.

 

Populli i Gazës, për 17 vite rresht, ka luftuar me urinë, varfërinë dhe luftën nën bllokadë. Por ajo që ishte më e dhimbshme, ishte heshtja e madhe jo vetëm nga Izraeli, por edhe nga bota Arabe dhe Islame gjatë kësaj periudhe. Kjo tablo tragjike nuk është rezultat vetëm i një lufte aktuale, por i një procesi të gjatë pushtimi, izolimi dhe vetmie ndërkombëtare.

 

Politikat e Izraelit ndaj Palestinës që prej vitit 1948 nuk janë kufizuar asnjëherë vetëm në interesa gjeopolitike apo ekonomike. Izraeli e ka parë këtë përballje si një “luftë të shenjtë”, të legjitimuar përmes teksteve të shenjta fetare. Pa e kuptuar strategjinë e Izraelit, i cili nuk është tërhequr asnjëherë nga agjenda e pushtimit për më shumë se 70 vjet, nuk mund të interpretohet as rezistenca e Hamasit në Gazë, as rikthimi i SHBA-ve në rajon, e as ekuilibrat ndërkombëtarë.

 

Stuhia e Aksasë dhe Një Pikë Kthese e Re

 

Palestinezët, si populli që e njeh më mirë Izraelin, kanë zhvilluar forma të ndryshme rezistence gjatë historisë. Shprehja më konkrete e kësaj rezistence ishte lufta e Hamasit. Operacioni “Stuhia e Aksasë” i 7 tetorit ishte një pikë kthese e rëndësishme. Fjalët e liderit të Hamasit, Jahja Sinvar, e përmbledhin thelbin e kësaj periudhe:

 

“Nëse si palestinezë nuk na jepni të drejtat tona, të drejtën për vetëvendosje dhe të drejtën për të themeluar një shtet palestinez plotësisht sovran në Gazë, Bregun Perëndimor dhe Jerusalem, do t’ju përballim me zemërimin e botës dhe me izolimin ndërkombëtar.”

 

Këto fjalë treguan se qëndresa e popullit të Gazës nuk ishte vetëm një luftë, por një rezistencë politike dhe morale. Në fund, Izraeli u përball me një kundërshtim që nuk e kishte parë kurrë më parë në historinë e tij. Megjithatë, shumica e vendeve arabe, islame dhe liderëve europianë mbetën në heshtje.

 

Në Evropë, veçanërisht në qarqet socialdemokrate, protestat e dy viteve të fundit kanë qenë të dukshme. Rezistenca palestineze për herë të parë gjeti mbështetje të madhe nga masat e krishtera, të majta dhe liberale. Në dimër e në verë, në rrugë u dëgjuan thirrjet “Drejtësi për Gazën”. Por, ndryshe nga kjo, në Turqi dhe botën arabe nuk u pa entuziazmi i pritur.

 

Politikat e Presionit të SHBA-së dhe Plani “Gazë pa Hamas”

 

SHBA dhe Britania e Madhe, gjatë 17 viteve të fundit, i kanë detyruar regjimet arabe të “normalizohen” me Izraelin përmes presioneve, kërcënimeve dhe interesave të ndërsjella. Në thelb të këtij procesi qëndronte plani perëndimor: “Gazë pa Hamas, Afganistan pa Taliban, Iran pa Mullahë”. Kjo strategji i hapi rrugën qëllimit izraelit për një “qeverisje pa Hamas” në Gazë. Njëkohësisht, Perëndimi e thelloi ndarjen midis shiitëve, sunitëve dhe selefistëve në botën islame, duke shkatërruar solidaritetin arab të viteve 1967 dhe 1973.

 

Në 25 vitet e fundit, vende si Arabia Saudite, Egjipti, Jordania, Iraku, Siria, Libani dhe Jemeni janë përfshirë në luftëra sektare. Kjo tregon se Hamasi nuk po reziston vetëm kundër Izraelit, por edhe kundër dobësimit rajonal.

 

Donald Trump, në vitin 2017, e njohu Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit — një simbol i rikthimit të SHBA-së në Lindjen e Mesme. Ndërsa “Plani i Paqes për Gazën”, i ngritur pas zgjedhjeve të vitit 2025, imponon në një kornizë të re qëllimin e vjetër izraelit për një “Gazë pa Hamas”.

Pikat kryesore të planit:

  • Çarmatimi i Hamasit,
  • Tërheqja graduale e forcave izraelite,
  • Krijimi i një administrate pa Hamas,
  • Vendosja e forcave arabe në Gazë,
  • Sigurimi i ndihmës humanitare të pandërprerë,
  • Një strukturë e përkohshme me përfshirjen e Autoritetit Palestinez.

 

Në vendimin që Hamasi mori lidhur me këtë plan, ndikoi lodhja e popullit të Gazës, i cili tashmë ndodhet në prag të vdekjes nga uria dhe mungesa e ilaçeve. Hamasi, në deklaratat e tij ku vuri në qendër të ardhmen dhe unitetin kombëtar të Palestinës, theksoi se duhet t’i jepet fund luftës, të sigurohet dërgimi i ndihmave, të refuzohet pushtimi dhe të vazhdojë rezistenca kundër zhvendosjes së popullsisë.

 

Vendosmëria për t’ia dorëzuar administrimin e Gazës një strukture të konsensusit kombëtar të përbërë nga teknokratë palestinezë, ishte një shembull historik i sakrificës. Kjo strukturë duhej të bashkëpunonte me administratën e Bregut Perëndimor. Hamasi e shpalli qartë se nuk do të lejojë që Gaza, e cila është pjesë e Palestinës, të qeveriset nga asnjë forcë “jo-palestineze.”

 

Hamasi ka treguar një shembull jo vetëm në aspektin ushtarak, por edhe në atë moral — një shembull që mund të quhet “etika e rezistencës.” Besimi, guximi, mençuria dhe përulësia përbëjnë bazën e kësaj lëvizjeje. Fuqia e perceptimit global të Izraelit, investimet e tij ekonomike dhe marrëdhëniet politike janë tronditur përballë kësaj rezistence. Sot, fakti që 147 nga 193 shtete anëtare të OKB-së e njohin shtetin e Palestinës, është një tregues konkret i këtij suksesi moral dhe diplomatik.

 

Megjithëse plani i Trump-it në dukje synon paqen, formula “Gazë pa Hamas” bart rrezikun e përjetësimit të politikave të pushtimit të Izraelit. Deklarata e Ministrit të Mbrojtjes së Izraelit, Katz, se “Pas luftës do të vazhdojmë të qëndrojmë në pikat e kontrollit në Gazë”, e konfirmon këtë shqetësim. Kjo situatë ngjan me Marrëveshjen e Dejtonit të nënshkruar në Bosnje.

 

Lideri boshnjak Alija Izetbegoviç, pas kritikave që mori për këtë marrëveshje, pati thënë:

 

“Dejtoni ishte një kompromis, dhe kompromiset nuk janë të drejta.”

Ai shtoi:

“Nëse ndonjëherë mendojmë ‘pse e nënshkruam marrëveshjen’, duhet të kujtojmë ata që mbijetuan falë paqes. Ishte çështje që lidhej me mijëra të rinj që do të mbeteshin të gjymtuar në një luftë të vazhdueshme. Për ta, paqja ishte diçka e mirë, sepse kishte shumë vdekje. Populli ynë ishte i vogël dhe nuk mund të vazhdonim çdo ditë duke numëruar të vdekurit dhe të plagosurit tanë. Paqja e Dejtonit, qoftë e mirë apo e keqe për ne, ishte fati ynë.”

 

Këto fjalë vlejnë edhe për Gazën sot. Ashtu siç tha Alija, ndonjëherë paqja, edhe pse e padrejtë, është shpëtimi i vetëm për ata që mbijetojnë.

 

Përtej të gjitha këtyre, rezistenca e Gazës është një lëvizje që mund të krahasohet me shembujt e shekullit XX si Vietnami, Afganistani dhe Kuba — por që dallon prej tyre për shkak të themeleve të saj morale.

 

Sot, Hamasi është lënë i vetëm përballë Izraelit dhe SHBA-ve, të cilat zotërojnë teknologji supermoderne ushtarake. Ndërkohë, organizata si Liga Arabe, Organizata e Bashkëpunimit Islamik dhe Unioni Botëror i Dijetarëve Myslimanë kanë humbur në masë të madhe legjitimitetin e tyre.

 

Bota arabe dhe islame duhet të rishikojë politikën, kulturën, shkencën dhe besimin e saj. Pa një gjuhë të re, një rrugë të re dhe një horizont të ri, as rezistenca e Gazës dhe as nderi i umetit nuk mund të ruhen.

 

Shkroi :

Osman ATALAY

Shkrimtar dhe hulumtues; lindur në 1963 në Stamboll me origjinë e lindjes nga Elazığ.

Eshtë antarë i bordit mbikëqyrës së IHH (Fondacioni i Ndihëmave Humanitare për Njerëzimin ) ,ka mar pjesë në mbështetjen e mbi 50 vendeve të botës për nevoja themeltore të Njerëzimit si thatësira, luftra, fatkësi natyrore, shëndetësi, edukim dhe kulturë.

Eshtë  anëtarë themelues i Shoqatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Refugjatëve ( UMHD). Eshtë pjesë e ekipit në Qendrën për Kërkime Humanitare dhe Sociale (INSAMER) dhe në Institutin e Mendimit Strategjik (SDE).

Ai humuton në terren mbi problemet e emigrimi, varfërisë, urisë, luftës, problemet e refugjatëve dhe varësinë nga droga në zonat e  Lindjes së Mesme, Ballkanit, Afrikës, Azisë dhe Amerikës Latine.

 

XS
SM
MD
LG