A do ta frenojë Trump Netanyahun nëse e rifillon luftën në Gaza pasi të lirohen pengjet?

Kjo marrëveshje ka qenë që në fillim e pabarabartë. Ajo që i kërkohet Hamasit - të lirojë pengjet - është konkrete dhe e pakthyeshme. Në të kundërt, kërkesa ndaj Izraelit - dhënia fund e luftës - është thjesht një premtim që mund të zhduket në çdo moment…
Nga Raviv Drucker “Haaretz”
Nëse të gjithë pengjet do të lirohen në ditët në vijim, kjo do të ishte një arritje e rëndësishme për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. Ajo do të përfaqësonte gjënë më të afërt me një dorëzim të Hamasit, pasi organizata do të mbetej pa armën e saj kryesore të negociatave.
Dhe në këto kushte, Netanyahu mund të rifillojë luftën sapo të lirohen pengjet, gjë që ai duket se është i prirur ta bëjë. Marrëveshja për t’i dhënë fund luftës në këmbim të lirimit të të gjithë pengjeve, ka qenë në tryezë që nga dita e parë e luftës.
Për më tepër, ajo ishte pjesa qendrore e fazës së dytë të marrëveshjes së fundit mbi pengjet në fillim të këtij viti. Është e drejtë të thuhet që Netanyahu duhet të kishte arritur më herët një marrëveshje të ngjashme. Dhe mund të pranohet si i vërtetë pretendimi që marrëveshja aktuale është një arritje e madhe për të.
Sepse që nga fillimi, kjo ka qenë një marrëveshje asimetrike. Ajo që i kërkohet Hamasit - të lirojë pengjet - është konkrete dhe e pakthyeshme. Në të kundërt, kushti ndaj Izraelit - dhënia fund e luftës - është thjesht një premtim që mund të zhduket në çdo moment.
Dhe diçka e tillë ka ndodhur tashmë në të kaluarën. Netanyahu ka refuzuar dhjetëra herë që t’i japë fund luftës, duke shkuar aq larg sa ka refuzuar në mënyrë cinike të negociojë fazën e dytë të marrëveshjes së mëparshme të arritur formalisht në janar.
Hamasi i kupton rreziqet e marrëveshjes së propozuar. Tek e fundit, kush do ta ndalojë Izraelin nëse Netanyahu gjen ndonjë pretekst për të rinisur luftën pasi të lirohen pengjet? Presidenti i SHBA-së, Donald Trump? Katari?
Për pasojë, Hamasi gjithmonë ka këmbëngulur në lirimin gradual të pengjeve gjatë një periudhe më të gjatë kohore, gjatë së cilës banorët e Gazës do të ktheheshin në shtëpi, në rajon do të hynte një sasi e madhe ndihme humanitare, dhe Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) do të tërhiqeshin pothuajse plotësisht nga Rripi.
Netanyahu e vuri theksin tek ndryshimi i vërtetë midis marrëveshjeve të mëparshme dhe asaj aktuale, një lirim i shpejtë i pengjeve në këmbim të një tërheqjeje të IDF-së e cila është larg nga të qenit e plotë.
Sigurisht, Trump arriti që t’i impononte Netanyahut pranimin e një lëshimi për çështjen e tërheqjes. Sipas planit fillestar, IDF nuk do të ishte tërhequr fare derisa të liroheshin pengjet. Megjithatë, në praktikë, ka pasur tashmë një tërheqje të vogël, e cila u zgjerua akoma më shumë kur Trump paraqiti publikisht pikat e planit të tij të paqes.
Por ajo nuk i plotëson kërkesat e mëparshme të Hamasit. Dhe është një gabim fatal që nuk u arrit një marrëveshje e ngjashme më herët. Gjatë kësaj kohe, Izraeli u bë një shtet i përbuzur dhe i izoluar në skenën ndërkombëtare, dhjetëra ushtarë janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur, për të mos përmendur vuajtjet e pengjeve.
Sidoqoftë, vijat e frontit ku IDF vendos trupat e saj, janë gjithnjë e më pak të rëndësishme. Rifillimi i rrethimit të Qytetit të Gazës nga zona e planifikuar e perimetrit, do të zgjaste vetëm disa ditë. Trump publikoi një plan paqeje plot me boshllëqe dhe të pamundur për t’u zbatuar.
Megjithatë, ai vërtetoi edhe një herë se ka instinktet për t’i marketuar bukur për publikun nismat e tij të diskutueshme. Ai e mori “Jo”-në diplomatike të Hamasit ndaj ultimatumit të tij, duke e paraqitur atë si një “Po”.
Në këtë mënyrë, ai krijoi terrenin për një presion ndërkombëtar mbi të dyja palët për t'i dhënë fund luftës. Hamasi gjendet aktualisht në një situatë të vështirë. Nga njëra anë, ai nuk mund të bjerë dakord me një plan dorëzimi.
Nga ana tjetër, e ka të vështirë ta rrëzojë atë. Ndoshta zgjidhja e tij do të jetë që të kërkojë që Izraeli të lirojë të burgosurit politikë që mbahen në burgjet e sigurisë së lartë, veçanërisht 250 aktivistë palestinezë që vuajnë dënime me burgim të përjetshëm.
Çfarë do të bëjë Netanyahu nëse Hamasi kërkon lirimin e Marwan Barghouti-t apo të drejtuese të tjerë të lëvizjes palestineze? Të dyja palët, e kuptojnë se çdo gjë që vjen në planin e Trump pas fazës së parë, është në rastin më të mirë e brishtë.
Përfshirja e një Autoriteti Palestinez “të reformuar” dhe vizioni i një shteti palestinez janë thjesht fjalë boshe. Mbështetësit e Netanyahut, nuk e menduan kurrë realisht se ai kishte ndërmend të krijonte një shtet palestinez gjatë dekadës kur foli për këtë.
Dhe ata nuk do ta mbajnë përgjegjës që kryeministri flet tani për këtë. Në fund të majit 2024, presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Joe Biden, paraqiti me pëlqimin e Netanyahut, një plan për t’i dhënë fund luftës dhe për të liruar të gjithë pengjet.
Hamasi mori kohën e vet dhe më në fund, në fillim të korrikut, u përgjigj me “po, por”. Edhe atëherë, ndaj Hamasit u ushtrua një presion i madh ndërkombëtar, përfshirë Katarin dhe Egjiptin. Por pastaj, Netanyahu arriti ta zhdukte planin.
A do të dijë Trump se si të ruajë presionin mbi të dyja palët? Kjo është e vështirë të besohet. Dhe më e rëndësishmja, a do të jetë Trump ende aty pas fazës së parë për të parandaluar Netanyahun të rifillojë luftën në Gaza?
Është e arsyeshme të mendohet se deri në atë pikë, ai do ta ketë humbur interesin mbi Gazën. Dhe tek ky skenar duket se mban shpresë Netanyahu.