𝐀 𝐝𝐨 𝐭ë 𝐩ë𝐫𝐬ë𝐫𝐢𝐭𝐞𝐭 𝐒𝐚𝐛𝐫𝐚 𝐝𝐡𝐞 𝐒𝐡𝐚𝐭𝐢𝐥𝐚?
Sunday, 05 October 2025 18:13

Nga Dr. Justinian Topulli
Në qershor të vitit 1982, Izraeli nën drejtimin e Kryeministrit Menachem Begin dhe Ministrit të Mbrojtjes Ariel Sharon pushtoi Libanin, me synimin zyrtar që të shkatërronte bazat OÇP-së në të, por që në fakt lufta shërbeu për të zhdukur përfaqësimin politik palestinez dhe për të vendosur në Bejrut një regjim të pranueshëm për sionistët.
Pas një rrethimi 10-javor dhe bombardimeve masive që vranë mijëra civilë, OÇP-ja u detyrua të tërhiqej nga Libani nën garancitë ndërkombëtare, sidomos ato amerikane. SHBA ndërmjetësoi marrëveshjen e tërheqjes, duke premtuar mbrojtje për civilët palestinezë që mbeteshin në kampet e refugjatëve.
Por vetëm pak ditë pas largimit të trupave amerikane, më 16–18 shtator 1982, milicitë falangiste libaneze (të lidhura me Izraelin) hynë në kampet Sabra dhe Shatila në Bejrutin Perëndimor, nën rrethimin dhe kontrollin e ushtrisë izraelite. Gjatë tre ditëve, u masakruan 2000–3500 palestinezë dhe libanezë, shumica gra, fëmijë dhe pleq. Ushtria izraelite ndriçonte kampin me flakadanë gjatë natës dhe pengonte daljen e refugjatëve.
Një komision hetimor izraelit (Komisioni Kahan) më pas e shpalli Sharonin “personalisht përgjegjës për neglizhencë” dhe kërkoi dorëheqjen e tij, por jo më shumë se kaq!
Nga ana tjetër, SHBA reagoi në mënyrë tepër diplomatike, pa e dënuar drejtpërdrejt Izraelin. Qeveria e Reganit e paraqiti ngjarjen si “tragjedi libaneze”, duke shmangur fjalën “masakër izraelite”! Vetëm pas presionit publik amerikanët u kthyen përkohësisht në Bejrut si “forcë paqeruajtëse”, por pa mandat të qartë për mbrojtjen e palestinezëve.
Sot duket sikur jemi në një situatë të përafërt ngjarjesh. Presidenti Trump pas pranimit fillestar të Hamasit për planin e paqes, kërkoi nga Izraeli që në mënyrë të menjëhershme të ndërpresë sulmet, por sulmet vazhduan dhe si çdo ditë në Gaza u vranë me dhjetëra njerëz. Tani Presidenti Trump thotë se armëpushimi do të hyj në fuqi kur Hamasi të bjerë dakord për vijën fillestare të tërheqjes!
Edhe sa kërkesave të tjera të Netanjahut do t'i përgjigjet Presidenti Trump dhe plani i tij i paqes të shndërrohet në terren në një kurth të ngjashëm apo pabesi sioniste si ajo e 1982?
Në 1982 kriminelët sionistë Begin dhe Sharon, nuk prenë në besë vetëm palestinezët dhe libanezët, por edhe SHBA-në, e të njëjtën gjë ata se kanë problem ta përsërisin përherë.
Nuk duhet harruar se Netanjahu në atë kohë shërbente si zëvendës-shef i misionit diplomatik izraelit në SHBA dhe e paraqiti masakrën si “tragjedi e luftës civile libaneze”, jo si krim i lidhur me Izraelin. Ai ishte zëri mbrojtës dhe justifikues i Izraelit në arenën ndërkombëtare, veçanërisht në SHBA, duke ndihmuar në formimin e narrativës që e paraqiste Izraelin si viktimë të terrorizmit dhe jo si pushtues.
Sot ky njeri është në krye të shtetit sionist dhe ka mbetur po i njëjti demagog, por tashmë ai është kasapi i drejtpërdrejtë i palestinezëve. Kështu që si mund t'i besohet akoma këtij krimineli dhe sojit të tij gjenocidal që e mbështet, ndërkohë që masakrat e përditshme kanë dy vjet që nuk ndalen në Gaza?!