Kryeministër, Shqiptarët i Bashkon Prizreni dhe jo Brukseli

Nga Marlind Laçi
Bashkimi Kombëtar: Ndërmjet çthurjes kozmopolitaniste dhe nevojës në terren.
Deklarata e Kryeministrit Edi Rama se teza e bashkimit kombëtar i përket së kaluarës, shekujve XIX-XX, ngre shumë pikëpyetje për vizionin e tij mbi identitetin dhe të ardhmen e kombit shqiptar, gjë që nuk sjell asgjë të re në porfilin e tij prej një politikani ekstrakozmopolitan. Një qëndrim i tillë, që e redukton idealin e bashkimit vetëm në një tezë të vjetëruar nga tallazet historike bie ndesh me realitetin gjeopolitik, gjeostrategji, aspiratat e shqiptarëve dhe me vetë parimet e zhvillimit kombëtar.
Bashkimi Kombëtar Shqiptar është forma e vetme e zgjidhjes politike për të krijuar ekuilibër forcash dhe paqe në rajonin e Ballkanit.
Bashkimi i shqiptarëve nuk është një fantazi e Lidhjes së Prizrenit dhe Rilindjes Kombëtare që duhej të mbehej e lidhur me vargojntë e padrejtësive historike, gjithashtu nuk është një relike e brishtë e cila nuk duhet të përballet me kushtet atmosferike jashtë dhomave të përkujdesit muzeal por nga këto mure imagjinare muzeale. Bashkimi Kombëtar duhet të shtrihet në çdo arterje shoqërore. Bashkimi Kombëtar është një proçes i hapur dhe i papërfunduar. Kufijtë e caktuar padrejtësisht pas Konferencës së Londrës më 1913 ndanë shqiptarët në pesë shtete dhe krijuan plagë që ende ndikojnë në stabilitetin e rajonit.
A mund të thuhet se ky realitet nuk ka më rëndësi sot, kur shqiptarët në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës e Mal të Zi ende luftojnë për ekzistencë etnike e ku për shqiptarët e Çamërisë nuk guxohet të flitet ? Si mund të quhet porçes ideologjik i tejkaluar Bashkimi Kombëtar ku ende shqiptarët të mbetur jashtë trungut të Shqipërisë Londineze përballen me sfida për gjuhën, simbolet dhe integrim social e ekonomik?
Në vend që të shihet si kthim pas, Bashkimi Kombëtar duhet të shihet si projekt futurologjik një hap drejt stabilitetit ekonomik, kulturor dhe diplomatik të shqiptarëve në rajon.
Ky bashkim nuk duhet të nënkuptojë domosdoshmërisht ndryshim kufijsh me forcë aspekt i cili duket i pamundur duke krahasuar valencën ushtarake, diplomatike dhe sociale të shqiptarëve në rajon krahasimisht me vendet të cilat ende sot mbajnë tokat historike shqiptare nën sundim. Teza e Bashkimit Kombëtar duhet mbajtur gjallë dhe trashëguar brez pas brezi si pjesë e një projekti të papëfunduar, si pjesë e një amaneti të papërpmbushur ndër shekuj.
Shekulli XXI kërkon identitet të fortë dhe jo heqje dorë nga idealet.
Në një kohë kur kombet e tjera po forcojnë identitetin e tyre dhe po bashkohen në blloqe më të mëdha refuzimi i idealit të bashkimit kombëtar është i pakuptimtë. Nese Shqiptarët do te shkonin të ndarë në globalizim, kjo do t’i vendoste gjithmonë në një gjendje të brishtë.
Bashkimi është instrument për t’u bërë faktor i rëndësishëm në Ballkan, jo thjesht një nostalgji për romancierët dhe poetët e Rilindjes.
Në vend që të shpallim mbylljen e kësaj teme dhe ngritjen e kësaj teze në nivel institucional politika shqiptare duhet të hapë debat serioz për format e reja të bashkimit nga unioni ekonomik te integrimi kulturor dhe arsimor. Vetëm kështu shqiptarët mund të realizojnë potencialin e tyre dhe të sigurojnë të ardhmen që meritojnë.
Ne shqiptarët në vitin 1912 dolëm nga një bashkësi multietnike me kauzën e Bashkimit Kombëtar. Aq gjak dhe aq djersë e derdhur nga gjyshërit tanë nga 1912 e deri më 1999 nuk e justifikon daljen thjeshtë nga Perandoria Osmane 'shumë-miletëshe' dhe futjen thjeshtë në dyert e Brukselit multietnik. Trushplarja ekstreme me europianizma dhe me brukselizma i shërben axhendës së vetëmohimit, harresës dhe rrënimit të kauzës më madhore për Bashkim Kombëtar. Rendi kombëtar duhet të prevalojë mbi rendin ndërkombëtar. Sigurisht nuk duhet të jemi në oponencë me Bashkimin Europian por në fillim Bashkim Kombëtar e më pas Bashkim Europian.
Shqiptarët i Bashkon Prizreni dhe jo Brukseli.