Lidhje


I.zraeli e maskon gjenocidin si një mundësi për të bërë biznes

Nga Muhammad Shehada “New Arab”

 

Më shumë sesa një vizion i së ardhmes, i ashtuquajturi plani i “Rivierës së Gazës” është një nekrologji e shkruar në gjuhën e luksit. I prezantuar në videoklipe imagjinare plot shkëlqim, dhe i reklamuar si një hap drejt progresit, ai është në realitet kulmi i viteve të shkatërrimit të paramenduar: një plan për të zhdukur palestinezët e Gazës, dhe për ta paraqitur mungesën e tyre nën flamurin e inovacionit.

 

Ajo që po paraqitet si investim dhe rigjenerim, është në të vërtetë riciklimi i një gjenocidi në një spektakël, një mbulesë për të zbukuruar një projekt politik të themeluar mbi rrënojat e Gazës dhe heshtjen e banorëve të saj të dëbuar.

 

Asnjë plan tjetër përveç luftës

 

Plani “Riviera e Gazës” për të transformuar një enklavë tërësisht të rrafshuar, në një seri megaqytetesh bregdetare futuriste dhe me teknologji të lartë, i shkruar në gjuhën e investimeve dhe modernitetit, është kritikuar gjerësisht.

 

Por, duke parë përtej grafikëve kompjuterikë dhe prezantimeve të investitorëve, zbulohet një e vërtetë edhe më e zymtë: kjo nuk është një strategji diplomatike, por një plan për spastrim etnik.

 

Pra bëhet e qartë arsyeja pse për dy vjet, Izraeli nuk ka pasur një plan politik koherent për Gazën, përveç shkatërrimit masiv, shfarosjes dhe urisë: sepse plani i vërtetë ka qenë gjithmonë spastrimi i palestinëzeve prej andej.

 

Koreografia politike e javëve të fundit, i tradhton prioritetet e këtij projekti. Ndërsa presidenti amerikan Donald Trump, dhëndri i tij Xhared Kashner, ish-kryeministri britanik Toni Bler dhe të dërguarit izraelitë u takuan pas dyerve të mbyllura për të parashikuar të ardhmen e Rripit të Gazës, pa asnjë palestinez në sallë, gjenocidi vazhdoi, duke zhdukur atë që kishte mbetur nga dendësia urbane dhe struktura shoqërore e Gazës. Tek e fundit, spastrimi nuk është pengesë për planin, por është premisa e tij.

 

Plani i Trump, është në fakt plani i Netanjahut

 

Konturet kryesore të planit të “Rivierës”, u panë në dokumentet e publikuara së fundmi që përshkruajnë në detaje propozimet për ta vendosur Gazën nën kujdestarinë e SHBA-së për afro 10 dhjetë vjet, për ta zbrazur plotësisht enklavën nga banorët palestinezë, dhe për ta tregtuar bregdetin si një qendër futuriste turizmi dhe teknologjie: “Riviera e Lindjes së Mesme”.

 

Megjithatë, asnjë nga këto nuk është e re. Plani origjinal për këtë qendër fantastiko-shkencore - e ndërtuar mbi varre masive dhe qytete të rrafshuara - u konceptua nga vetë Benjamin Netanjahu disa muaj para se Trump të rizgjidhej president në SHBA.

 

Plani “Vizioni Gaza 2035” i kryeministrit izraelit, i publikuar në maj 2024, parashikonte enklavën të rrethuar si një zonë industriale dhe të tregtisë së lirë në stilin e Dubait, dhe përdorte të njëjtat imazhe të gjeneruara nga inteligjenca artificiale që përdoren sot në planin e Rivierës.

 

Nuk është aspak rastësi që të dy planet kanë një fjali hapëse pothuajse identike: “Nga një Gazë e shkatërruar, në një aleat të lulëzuar abrahamik”- thonë ata të Rivierës, ndërsa plani i Netanyahut e vë theksin tek “rindërtimi nga i para”.

 

Sidoqoftë, ekzistojnë dy parakushte: Gaza duhet të rrafshohet plotësisht me tokën, duke mos lënë asgjë pas, dhe popullsia e saj duhet të dëbohet për të bërë një spastrim të plotë dhe për të rindërtuar nga e para.

 

Ky ishte plani i Netanyahut që nga fillimi, kur në ditën e parë të luftës ai urdhëroi popullsinë civile të Gazës të “largohej menjëherë”, përpara se të ndodhte “kudo” një shkatërrim i paparë. Më pas Netanjahu më pas i dyfishoi përpjekjet, kur Ministria e tij e Inteligjencës përgatiti një plan të detajuar për dëbimin masiv dhe transferimin me forcë të popullsisë palestineze.

 

Madje izraelitët madje arritën ta bindnin Sekretarin e atëhershëm të Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken, që të vizitonte vendet arabe si Egjipti dhe Arabia Saudite për të promovuar idenë e një “transferimi të përkohshëm” të popullsisë së Gazës në Sinai. Në atë kohë, kërkesa u shpërfill dhe Izraeli dështoi të gjente një audiencë të gatshme për të investuar në projektin e tij futuristik të Gazës. Por Netanjahu priti momentin e duhur, dhe kur Trump mori detyrën, ai shkoi menjëherë në Uashington për të bindur presidentin amerikan të përqafonte idenë e spastrimit etnik dhe pushtimit të Gazës.

Që nga ajo kohë, duke iu referuar planit sistematik për dëbimin masiv të popullsisë së Gazës, Netanjahu vazhdon të flasë për “zbatimin e planit të Trump”, duke ia hedhur kështu fajin dikujt tjetër për këtë politikë gjenocidale.

 

Një plan i pambrojtshëm

 

Shumë ekspertë e kanë kritikuar vazhdimisht projektin e Rivierës së Gazës si “të çmendur”, jorealist, jopraktik dhe të mbushur me pengesa ligjore dhe morale, që do ta bënin këdo që e promovon bashkëfajtor në krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

 

Për këtë arsye, Grupi i Konsulencës së Bostonit, nxitoi të distancohej nga disa prej konsulentëve të tij kryesorë, të cilët kishin hartuar një plan të detajuar për të zbatuar transferimin masiv të popullsisë në Gaza, të kompletuar me simulime dhe grafikë që përfshinin koston e spastrimit etnik.

 

Kushdo që e mbështet këtë plan kriminal e të neveritshëm, do të ekspozohej ndaj akuzave penale dhe ndjekjes penale për dekada të tëra. Por fantazia futuriste e Trump mbi Mesdheun, mund të jetë në fakt një projekt që nuk ka për qëllim të jetë serioz.

 

Ajo është thjesht një histori me një “fund të lumtur” artificial për gjenocidin dhe spastrimin etnik, të cilin Izraeli po ua rrëfen partnerëve të tij bashkëpunëtorë. Për Netanjahun, dobia e vërtetë e kësaj ideje të çuditshme qëndron në kontrollin e narrativës.

 

Ndërsa qeveria izraelite vazhdon fushatën për të rivizatuar gjeografinë dhe topografinë e Gazës, duke e bërë atë të pabanueshme (duke shkatërruar lagjet, duke dëbuar masivisht qindra mijëra njerëz në kampe përqendrimi, duke djegur shtëpi dhe duke vdekur urie fëmijët), slajdet kompjuterike të Rivierës ofrojnë një alibi që shikon nga e ardhmja.

 

Fraksionet e të djathtës pranë Netanjahut, i pëshpërisin në vesh ëndrrën e vjetër të kthimit të vendbanimeve vetëm hebraike në Gaza; aleatëve të tij jashtë vendit, u ofrojnë optimizëm të hapur ndaj investimeve. Bazës së Trump, ata i shesin përrallën supreme të MAGA-s: “Ne do ta bëjmë shkretëtirën të lulëzojë dhe ajo do të jetë e jona”.

 

Shfaqja madhështore është gjithçka; projekti që qarkullon në Shtëpinë e Bardhë është quajtur zyrtarisht edhe GREAT (Madhështor) nga akronimi në anglisht i togfjalëshit “Rindërtimi, Përshpejtimi Ekonomik dhe Transformimi i Gasës”). Për stilin politik të Trump, premtimi për të transformuar rrënojat në vendpushime turistike është një qasje e tij klasike.

 

Peizazhet vezulluese të qytetit, shërbejnë për t’i shitur botës së MAGA-s dhe investitorëve një imazh të Gazës si një kanavacë e bardhë që e pret gjeniun nga jashtë, ndërsa në terren gjenocidi vazhdon i pandërprerë dhe i papenguar drejt fazës së tij përfundimtare.

 

Në këtë kuptim, fantazia e Rivierës nuk është një shmangie nga 20 vitet e fundit të politikave kriminale të Izraelit të rrethimit dhe masakrës në Gaza, por kulminacioni i tyre. Është një lojë fjalësh për të maskuar të pambrojtshmen; shkatërrimi bëhet “përgatitje e vendit”, zhvendosja bëhet “planifikim urban”, dhe asgjësimi i një kombi bëhet një trampolinë drejt fitimeve të parealizuara dhe mundësive tregtare.

 

Kjo është arsyeja pse prezantimet surreale të Rivierës së Gazës, janë një mjet i fuqishëm propagande, për mënyrën se si ato e shtrembërojnë realitetin. Ato përshkruajnë plazhe pa njerëz, ndërtesa banimi pa qiramarrës dhe porte pa qytete.

 

Ato e bëjnë mungesën e palestinezëve të duket si një formë progresi.

 

Një premtim për kolonët

 

Është e palogjikshme të mendosh se Izraeli ia kushtoi të gjithë energjinë e tij kryerjes së gjenocidit në Gaza - ka shpenzuar gati 90 miliardë dollarë në këtë luftë dhe humbur mbi 900 ushtarë, u bë një shtet i përbuzur në arenën ndërkombëtare - për t’ia dhënë Gazën në një pjatë argjendi qeverisë amerikane dhe manjatëve amerikanë të teknologjisë dhe pasurive të paluajtshme.

 

Jehuda Shaul, bashkëthemelues i organizatës “Breaking the Silence”, thotë për The Neë Arab se  se projekti i Rivierës së Gazës “nuk është i lidhur me qëllimin kryesor të lëvizjes së kolonëve izraelitë”, pra zhvendosjes së tyre masive në Gaza.

 

“Plani fillestar i organizatave të kolonëve, i cili gjithashtu i përshtatet gjeografisë bazë të Gazës, është të kthehet në atë që u quajt ‘zona veriore’, e përbërë nga tre vendbanimet në Gazën veriore: Elein Sinai, Nisanit dhe Dugit”, shton Yehuda.

 

“Këto janë vendbanimet që ndodheshin në veri të Beit Lahia-s. Kolonët ia kanë vënë syrin kësaj zonë”- thekson ai. Shaul shpjegon se analistët e krahut të djathtë në Izrael si Amit Segal e promovojnë vazhdimisht këtë ide në mediat kryesore.

 

“Ajo shitet si një ’zgjerim’ i perimetrit të Izraelit dhe jo si aneksim i pjesëve të rëndësishme të Rripit të Gazës”- shton ai. Premtimi i ndërtimit të rrokaqiejve dhe marinave në një bregdet të papopulluar nuk është një projekt paqeje, por një plan shpronësimi, një histori e shkruar për investitorët e huaj, tubimet e MAGA-s dhe fantazitë e kolonëve.

 

“E ashtuquajtura Riviera e Gazës, nuk synon një të ardhme bashkëjetese dhe prosperiteti; ajo synon një rikthim në të kaluarën, në logjikën e vjetër koloniale, në të cilën jetët bëhen pengesa dhe eliminimi i të tjerëve një mundësi”- përfundon ai.

 

XS
SM
MD
LG