Lidhje


”Z.ionizëm nën petkun e Pastorit”

Av. Dorina Lamaj

 

Deklarata e bërë së fundmi nga pastori Ylli Doci, i cili e cilësoi jetën njerëzore të humbur në gjenocid si “thjesht numra”, përbën një nga aktet më të rënda të degradimit moral, shpirtëror dhe njerëzor që mund të artikulohet nga një figurë publike, aq më tepër fetare. Kjo deklaratë nuk mund të trajtohet si një opinion i pafajshëm apo si ushtrim i lirë i shprehjes.

 

Ajo është një formë e pastër e dehumanizimit, që cenon dinjitetin e viktimave, lëndon të mbijetuarit, shkel në mënyrë flagrante të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, promovon gjuhë urrejtjeje, dëmton kujtesën historike dhe kërcënon harmoninë fetare dhe shoqërore në një vend si i yni, ku bashkëjetesa ndërmjet komuniteteve është vlerë themelore e paqes dhe zhvillimit.

 

Një deklaratë e tillë nuk është vetëm një shprehje e ftohtë e mungesës së dhembshurisë, por është e papranueshme edhe në planin moral dhe etik. Ajo është një formë e drejtpërdrejtë e dehumanizimit, që bie ndesh me Parimet Themelore të të Drejtave të Njeriut, me frymën e Ligjit Ndërkombëtar Humanitar, dhe me vetë natyrën e fjalës publike në një shoqëri demokratike.

 

  • E drejta për dinjitet dhe personalitet juridik.

Sipas nenit 1 dhe 6 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, çdo qenie njerëzore gëzon të drejtën për dinjitet dhe për njohje si person përpara ligjit.

 

Të reduktosh një jetë të humbur në një “numër” nuk është vetëm mohim simbolik i kësaj të drejte. Çdo viktimë e gjenocidit është një individ me emër, histori, ëndrra të ndërprera, me të drejtën për t’u përkujtuar si qenie njerëzore, jo si statistikë.

 

Çdo jetë njerëzore është e shenjtë në jetë dhe në vdekje.

 

Ky PASTOR, që i përshkruan jetët e humbura në gjenocid si “numra”, ai nuk po komenton, por po mohon një të drejtë themelore.

 

Pas çdo “numri” ka një emër PASTOR! Një fëmijë, një nënë, një jetë e prerë dhunshëm.

 

Të flasësh për ta si për “statistika” nuk është opinion, është dhunim i kujtesës historike dhe shpërfillje e rëndë ndaj Drejtësisë Ndërkombëtare.  

 

Jetët njerëzore nuk janë dhe nuk do të jenë kurrë “numra”

 

  • Neni 2 i Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit (1948).

Kjo konventë e Kombeve të Bashkuara përcakton gjenocidin si një krim që synon shkatërrimin e një grupi të tërë etnik, racor, fetar ose kombëtar.

 

Të minimizosh një krim të tillë në përmasa, në rëndësi, në njerzillëk është reviktimizim moral i të mbijetuarve dhe i familjeve të viktimave.

 

Çdo deklaratë publike që përpiqet të “normalizojë” ose “shpërbëjë” përmasat çnjerëzore të një gjenocidi apo të shfarosjes, bie ndesh me frymën dhe qëllimin e kësaj Konvente.

 

Gjuha e mohimtarisë së Pastorit ushqen urrejtje, jo dialog.

 

Asnjë demokraci nuk i jep fjalës së lirë status të pakufizuar për të shpërfillur dinjitetin njerëzor.

 

  • Sipas nenit 17 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, askush nuk mund të përdorë të drejtat e veta për të shkelur të drejtat e të tjerëve.

Kur një figurë publike relativizon ose mohon përmasat e një gjenocidi, ai jo vetëm që dhunon ndjeshmërinë e shoqërisë, por krijon precedent për reviktimizim dhe shpërbërje të përpjekjeve për drejtësi e pajtim historik.

 

Kur fjala kthehet në vegël nxitjeje, në shkas për përçarje dhe në justifikim për dhimbje, ajo humb legjitimitetin e saj ligjor dhe moral.

 

Të thuash se viktimat e një gjenocidi janë “numra”, është të mohosh përmasat e së keqes dhe të mbjellësh mosbesim, armiqësi dhe polarizim në opinionin publik.

 

Kjo gjuhë e helmët nuk është vetëm provokim por është rrezik real për paqen shoqërore.

 

  • Liria e shprehjes si e drejtë themelore.  

Po, liria e shprehjes është një gur themeli i demokracisë, por ajo nuk mund të përdoret për të përçmuar viktimat.

 

Pastori në fjalë nuk mund ta përdorë këtë liri për të shkatërruar të drejtat dhe dinjitetin e të tjerëve.

 

Deklarata të tilla nga figura publike nuk janë thjeshtë opinione, ato janë formë e tërthortë e mohimit ose relativizimit të gjenocidit, që në shumë shtete konsiderohet jo vetëm e dënueshme moralisht, por edhe penalisht.

 

  • Kur predikimi kthehet në përçarje, besimi humbet thelbin.

Fetë e mëdha botërore, përfshirë krishterimin, janë themeluar mbi mëshirën, drejtësinë dhe dashurinë për tjetrin. Të thuash në emër të Zotit se viktimat e një gjenocidi “janë numra”, është ta përdorësh fenë si vegël për përçmim dhe jo për paqe. Kur një përfaqësues i një besimi flet me përbuzje për jetët e të tjerëve, ai nuk flet vetëm si individ, ai minon reputacionin e komunitetit që përfaqëson dhe krijon dyshime, frikë dhe armiqësi mes besimeve. Kur një figurë fetare artikulon fjalë që nxisin përçmim ndaj viktimave të gjenocideve të njohura ndërkombëtarisht, ajo nuk përfaqëson Zotin, por përçan njerëzit.

 

Fjala që vret nuk është më predikim. Fjala që përçmon viktimën, përçmon Zotin.

 

  • Harmonia fetare është vlerë kombëtare dhe duhet mbrojtur.

Përgjatë historisë sonë, shqiptarët janë bashkuar përtej feve, dhe kjo është një nga arritjet më të mëdha të identitetit tonë kombëtar. Shoqëria jonë është e ndërtuar mbi tolerancën ndërfetare, një deklaratë e tillë përbën kërcënim për bashkëjetesën, rritje të tensioneve dhe helmim të diskursit publik. Njollosja e harmonisë fetare, është një plagë e rrezikshme për shoqërinë. Një nga pasuritë më të mëdha të vendit tonë është harmonia ndërfetare, respekti reciprok dhe bashkëjetesa paqësore mes komuniteteve. Dhe çdo akt që nxit përçarje mbi baza fetare, etnike apo historike, është një kërcënim për rendin demokratik dhe për paqen sociale.  Deklarata e Pastorit është një nxitje e tërthortë ndaj intolerancës fetare. Dhe historia na mëson se përçarjet nuk nisin gjithmonë me armë, shpesh ato nisin me fjalë.

 

  • Etika fetare dhe përgjegjësia publike.

Kur një figurë fetare flet publikisht, ajo nuk mban vetëm peshën e fjalës së vet. Ajo mban përgjegjësinë morale të përfaqësimit të besimit, të shpresës dhe të kujdesit për jetën njerëzore.

 

Të thuash që viktimat e një gjenocidi janë “numra” nuk është mungesë empatie, është shkelje e rëndë e moralit fetar që predikon dashuri, mëshirë dhe shenjtëri të jetës.

 

  • Riviktimizimi është dhunë që përsëritet në heshtje.

Të mbijetuarit e gjenocideve, familjarët e viktimave, ata që kanë humbur të dashurit në gjenocide, e kanë të vështirë të jetojnë me dhimbjen që u është shkaktuar.

 

Por edhe më e rëndë është kur ata shohin se dhimbja e tyre mohohet, relativizohet, bëhet objekt ironie apo shpërfilljeje. Çdo fjalë që minimizon dhimbjen e tyre është një dhunë e përsëritur.

 

Çdo përpjekje për të relativizuar gjenocidin është një akt simbolik mohimi që ndihmon ideologjitë e së shkuarës të marrin frymë në të tashmen.

 

Ajo deklaratë ishte riviktimizim i drejtpërdrejtë dhe askush nuk ka të drejtë ta bëjë këtë në emër të fesë, të politikës, apo të lirisë së fjalës.

 

  • Ne nuk do të lejojmë që kujtesa të bëhet viktimë e radhës.

Të mbijetuarit e gjenocideve dhe familjarët e tyre jetojnë çdo ditë me plagën e së shkuarës.

 

Por kur plagët hapen sërish nga një figurë publike që shpërfill të vërtetën historike, ne të gjithë jemi të detyruar të reagojmë.

 

Sepse nuk ka drejtësi pa kujtesë dhe nuk ka paqe kur përçmimi fshihet pas mantelit të fesë.

 

Ne nuk mund të heshtim përballë deklaratave që dhunojnë kujtesën, plagët dhe drejtësinë.

 

Ne e kujtojmë çdo “numër” në gjenocid ishte një nënë, një fëmijë, një vëlla, një jetë.

 

Dhe ne nuk i lejojmë askujt, as në emër të fesë, as të lirisë së shprehjes, që ti shndërrojë ata viktima në statistika pa zë.

 

Mos flisni për Zotin, kur nuk e njihni njeriun.

 

Mos predikoni për jetën, kur e fyeni vdekjen e pafajshme.

 

Mos predikoni dashuri, nëse ushqeni përçmim.

 

Mos e fyeni kujtesën sepse ajo është themeli i drejtësisë.

 

Ne nuk do të lejojmë askënd të predikojë në emër të Zotit, ndërsa flet me gjuhën e mohimit dhe përbuzjes.

 

Ne do ta mbrojmë kujtesën, të vërtetën dhe dinjitetin e viktimave dhe bashkë me to, do të mbrojmë harmoninë fetare që e kemi ndërtuar me mund dhe durim ndër breza.

 

  • Thirrje për përgjegjësi, ndërgjegjësim dhe respekt.I bëj thirrje çdo institucioni fetar, çdo lideri shpirtëror, çdo qytetari me ndërgjegje:

-Të distancohet publikisht nga deklarata që mohojnë vuajtjen dhe nxisin urrejtje. Ne nuk i quajmë viktimat “numra”. Ne i quajmë njerëz. Ne nuk i harrojmë. Ne nuk heshtim.

XS
SM
MD
LG