Lidhje


Daçiç nuk tërhiqet, përsërit deklaratën për rikthimin e flamurit serb në Prizren: Guxoj ta them!

 

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç, nuk tërhiqet nga deklarata se flamuri serb do të valëvitet sërish në Prizren. Pas reagimeve që shkaktoi ky qëndrim, kreu i Partisë Socialiste të Serbisë ka përsëritur pretendimet e tij gjatë një tubimi elektoral në Beograd, duke këmbëngulur se Serbia nuk do të heqë dorë nga Kosova.

 

Daçiç iu përgjigj edhe ish-ministrit gjerman Michael Roth, i cili kishte kritikuar deklaratën e tij për Prizrenin. Në vend që të distancohej nga qëndrimi i mëparshëm, ministri serb e mbrojti atë, duke iu referuar historisë dhe luftërave të Serbisë.

 

“Ai tha: Si guxon Daçiç të thotë diçka të tillë? Epo, unë guxoj! Ne jemi ndryshe nga të tjerët. Guxojmë, sepse kështu mendojmë dhe sepse Kosovën e Metohinë i kemi mbrojtur me luftë. E sidomos unë guxoj ta them këtë, sepse kam lindur në Prizren, ku sot jetojnë më shumë se 20 serbë. Tridhjetë vjet më parë, atje jetonin më shumë se 10.000 prej tyre”, deklaroi Daçiç.

 

Duke iu referuar së kaluarës historike të Prizrenit, ai la të kuptohet se rikthimi i kontrollit serb mbi Kosovën mbetet një synim që mund të realizohet në të ardhmen.

“Nuk ka pse të ndodhë nesër, por do të ndodhë ashtu siç kemi bërë edhe më parë. Ne pritëm katër shekuj e gjysmë”, u shpreh ai.

 

Ministri serb e cilësoi Kosovën jo si një mit, por si një çështje territoriale për të cilën Serbia duhet të vazhdojë të luftojë politikisht, duke përsëritur qëndrimin se nuk mund të ketë Serbi pa Kosovën.

Në fjalimin e tij, Daçiç vlerësoi edhe figurën e ish-presidentit serb Slobodan Millosheviç, të cilit i atribuoi rikthimin e lavdisë kombëtare të serbëve. Ai theksoi gjithashtu se do të vazhdojë përpjekjet diplomatike për të penguar njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.

 

“Unë ndihmova më shumë se 20 vende të tërheqin njohjen e tyre për pavarësinë e të ashtuquajturës Kosovë. Nëse ne jemi faktor, do të vazhdojmë me atë politikë. Edhe 10, 20 vende të tjera do të tërheqin njohjen e tyre për Kosovën. Ne po e vazhdojmë këtë luftë”, deklaroi ai.

 

Daçiç rikonfirmoi edhe orientimin e tij drejt Rusisë dhe Kinës, të cilat i konsideron aleatët kryesorë të Serbisë në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës.

“Rusia, Kina dhe të tjerët që votojnë kundër Kosovës në organizatat ndërkombëtare janë miqtë tanë. Dhe asnjë sanksion, asnjë armiqësi ndaj tyre nuk është në diskutim. Unë nuk jam rusofil, jam serbofil. Na duhet kjo për hir të Serbisë”, tha ai.

 

Deklaratat e përsëritura për Prizrenin vijnë në një kohë kur Daçiç po e përdor çështjen e Kosovës si një nga temat kryesore të fushatës politike. Kreu i socialistëve serbë ka shprehur gjithashtu ambicien për të kandiduar për president të Serbisë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

 

Partia Socialiste e Serbisë, e themeluar nga Slobodan Millosheviçi, garon me sloganin “Faktori i Stabilitetit”, ndërsa drejtuesi i saj vijon të mbrojë publikisht pretendimet e Beogradit mbi Kosovën, duke rikthyer në diskursin politik retorikën nacionaliste të së kaluarës.

XS
SM
MD
LG