Lidhje


Absurditetet e GJKKO! Aldo Avdyli për përgatitjen e vrasjes dënohet me 4.8 vite, dy nëna si operatore Call Center me 6.8

 

Një krahasim mes dy vendimeve të fundit të GJKKO-së ngre pikëpyetje të forta mbi proporcionalitetin e dënimeve që jepen nga drejtësia e re, e triumfuar si shpëtim për shqiptarët.

 

Nga njëra anë është Aldo Avdyli, i shpallur fajtor në dosjen “Revanshi” për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasjen e Durim dhe Valter Bamit, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal dhe dënohet me 4.8 vite burg.

 

Dhe nga ana tjetër janë dy nëna të dosjes së Call Center-it, Greta Gjoci (Pepa) dhe Antoneta Malo (Pepkolaj), të dënuara me nga 6 vjet e 8 muaj burg për mashtrim kompjuterik dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

 

Të dy vendime të GJKKO, të shpallura brenda 1 muaji.

Më 14 shtator 2026, GJKKO shkalla e parë, shpalli fajtor Aldo Avdylin për veprën penale të “sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të Durim dhe Valter Bamit, të kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

 

Ai u dënua gjithashtu për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Gjykata bashkoi dënimet në 7 vjet burg dhe, për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar u reduktua në vetëm 4 vjet e 8 muaj burg.

Ndërkohë vetëm pak javë më vonë, Apeli i GJKKO-së la në fuqi dënimet e dosjes së Call Center-it të Bruno Çobos.

 

Greta Gjoci dhe Antoneta Malo morën secila nga 6 vjet e 8 muaj burg. Të dyja janë shpallur fajtore për mashtrim kompjuterik në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Për Greta Gjocin, Vox News ka konfirmuar se ajo kishte punuar si operatore call center-i, nuk ishte pronare dhe nuk rezulton drejtuese e grupit.

 

Greta është gjithashtu nëna e një foshnjeje vetëm 4-muajshe dhe është dërguar në burgun e Pojskës së bashku me fëmijën.

Ndërsa edhe Antoneta Malo është nënë e dy fëmijëve të mitur dhe e dënuar me 6.8 vite burg nga GJKKO e Apelit.

 

Si është e mundur që një person i dënuar për sigurimin e kushteve dhe mjeteve për vrasjen e dy njerëzve, në kuadër të një grupi kriminal, të marrë 4 vjet e 8 muaj burg, ndërsa dy gra të dosjes së mashtrimit me Call Center marrin nga 6 vjet e 8 muaj?

Këtë përgjigje e japin vetëm gjyqtarët e GJKKO. Në shkallën e parë të GJKKO-së ishin gjyqtarët Irena Gjoka, Fjorela Davidhi dhe Erion Bani, që dënuan nënat me fëmijët e mitur me 10 vite burg secilën, me gjykim të shkurtuar 6.8 vite.

 

Në Apelin e GJKKO-së, të njëjtin vendim e konfirmuan Dhimitër Lara, Sajda Dollani dhe Engert Pëllumbi, të cilët paradoksalisht as nuk vendosën pezullimin e dënimit për Greta Gjocin që kishte fëmijën 4 mujash, por i dërguan të dy në Pojskë.

Nuk mjaftoi as fakti se Greta Gjoci kishte qenë prej më shumë se tre vitesh në arrest shtëpie.

 

Drejtësia nuk matet vetëm me faktin nëse një vendim mund të justifikohet teknikisht me një nen të Kodit Penal. Ajo matet edhe me proporcionalitetin që percepton shoqëria.

Dhe kur rezultati përfundimtar është 4 vjet e 8 muaj për përgatitjen e vrasjes së dy personave, ndërsa në të njëjtën kohë dy nëna të dosjes së Call Center-it marrin nga 6 vjet e 8 muaj, GJKKO ka përpara një paradoks që nuk e shpjegon dot askush.

 

Paradoks, që nuk mund ta shpjegojnë as gjyqtaret nëna të GJKKO-së…

 

XS
SM
MD
LG