PS vizaton hartën sipas interesit të pushtetit: 15 bashki drejt zhdukjes me reformën e re territoriale
Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend nismën për ndryshimin e hartës administrativo-territoriale, duke propozuar uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46 dhe shkrirjen e 15 njësive vendore. Nisma paraqitet nga mazhoranca si një reformë për rritjen e eficiencës, por ndërhyrja e njëanshme në hartën territoriale ngre dyshime të forta se pas argumenteve administrative mund të fshihen interesa politike dhe elektorale.
Sipas draftit, nga harta pritet të zhduken bashkitë **Fushë-Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë, Cërrik, Belsh dhe Përrenjas**. Në total, 28 bashki ekzistuese do të bashkohen në 13 njësi të reja, ndërsa vendi do të ndahet në 46 bashki, 71 qytete dhe 387 njësi administrative.
PS pretendon se propozimi mbështetet në kritere demografike, ekonomike dhe funksionale, duke mohuar se harta e re është hartuar mbi interesa politike. Por vetë fakti që ndryshimi propozohet nga mazhoranca pa një marrëveshje të gjerë me opozitën, pushtetin vendor dhe komunitetet që preken, ushqen shqetësimet se qeveria po përpiqet të rikonfigurojë kufijtë administrativë sipas avantazhit të saj elektoral.
Shkrirja e bashkive rrezikon të largojë edhe më shumë administratën nga qytetarët, veçanërisht në zonat e varfra dhe të izoluara. Banorët e njësive që humbasin statusin e bashkisë mund të detyrohen t’u drejtohen qendrave më të largëta për shërbime, ndërsa përfaqësimi i tyre politik pritet të dobësohet.
Për të zbutur këtë efekt, mazhoranca propozon krijimin e një niveli të ri të quajtur “Qyteti”, duke kaluar nga struktura “Bashki – Njësi Administrative” në modelin “Bashki – Qytet – Njësi Administrative”. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse ky nivel do të ketë kompetenca reale, buxhet dhe vendimmarrje, apo do të shërbejë vetëm si një etiketë administrative për të mbuluar humbjen e autonomisë vendore.
Reforma vjen në një kohë kur qeveria kontrollon shumicën dërrmuese të bashkive dhe institucionet kryesore të pushtetit vendor. Në këto kushte, ndryshimi i hartës pa konsensus politik dhe pa transparencë të plotë rrezikon të perceptohet jo si reformë në shërbim të qytetarëve, por si një operacion për centralizimin e mëtejshëm të pushtetit dhe forcimin e kontrollit të PS-së mbi territorin.