Lidhje


“2025, vit i humbur për Kosovën”/ Terras kërkon vazhdimin e dialogut me Serbinë

 

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, ka përpiluar draft-raportin për Kosovën që përfshin zhvillimet politike, sundimin e ligjit, ekonominë, korrupsionin, dialogun me Serbinë dhe procesin e integrimit evropian të Kosovës për vitin 2025.

 

Në këtë raport, Terras e ka parë vitin që lamë pas si vit të humbur për Kosovën, pasi që pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 nuk u arrit të funksionalizohej as Kuvendi e as Qeveria.

 

“Megjithëse të tria zgjedhjet që u mbajtën në Kosovë në vitin 2025 – dy parlamentare dhe një lokale – u zhvilluan në mënyrë paqësore dhe të rregullt, procesi normal politik u ndërpre rëndë. Si rezultat, disa reforma politike dhe ekonomike pësuan ngecje dhe Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor nuk mundi të zbatohej”, thuhet në raport.

 

Ai ka thënë se Kosova ka bërë përparime të dukshme në reforma zgjedhore, qëndrueshmëri ekonomike dhe në mbrojtjen e të drejave themelore, por pavarësisht këtyre, sipas Terras sfidat vazhdojnë të mbesin në reformën për drejtësi, liri të mediave, efikasiteti i administratës publike dhe digjitalizim të shërbimeve publike.

 

Terras në këtë draft raport ka thënë se angazhimi i vazhdueshëm për reforma gjithëpërfshirëse dhe qeverisje gjithëpërfshirëse është thelbësor për përparimin e Kosovës në rrugën e integrimit evropian.

 

Në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, ai ka thënë se nuk ka dhënë rezultatet e pritura.

 

“Në thelb, dialogu ishte pothuajse i pezulluar gjatë vitit 2025. Kjo ndodhi edhe për shkak se Kosova nuk kishte një qeveri me mandat dhe autoritet, dhe negociatat në këtë formë nuk kanë perspektivë. Komisioni Evropian, si dhe Parlamenti Evropian dhe shtetet anëtare, duhet patjetër të bëjnë gjithçka për të siguruar që dialogu Prishtinë-Beograd të vazhdojë me energji të re. Prandaj, zgjatja e mandatit të Përfaqësuesit Special, Peter Sörensen, deri në shkurt 2028, është shumë e mirëpritur”, thuhet në këtë draft-raport.

 

Për zgjerimin e BE-së, ai ka thënë se është një nga historitë më të rëndësishme të suksesit të BE-së dhe sipas tij, ai duhet të vazhdoj pasi qëllimi më i gjerë gjeopolitik i zgjerimit është eliminimi i të ashtuquajturave “zona gri” nga harta e Evropës.

 

“Ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në kontekstin e luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës duhet ta rrisin gatishmërinë e Bashkimit Evropian për t’u përballur me aktorë globalë autoritarë konkurrues. Si Rusia ashtu edhe Kina kanë treguar se kanë interesa shumë të qarta në Ballkanin Perëndimor. Integrimi evropian i Kosovës është një proces i dyanshëm. Që Kosova të realizojë reformat e nevojshme, është e nevojshme edhe ndihma nga Bashkimi Evropian. Liberalizimi i vizave ka forcuar më tej kontaktet mes njerëzve dhe perspektivën evropiane të qytetarëve të Kosovës”, thuhet në draft-raport.

 

Në lidhje me masat ndëshkuese që BE i ka vendosur Kosovës në vitin 2023, ai ka thënë se ndikuan shumë negativisht në përparimin e Kosovës drejt Evropës.

 

“Edhe pse masat e BE-së kanë filluar gradualisht të lehtësohen, ndikimi i tyre në shoqëri mbetet shumë shqetësues. Veçanërisht të prekura nga këto masa janë organizata të ndryshme të shoqërisë civile, pakicat kombëtare, si dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat kanë marrë mbështetje të rëndësishme operative nga programet e BE-së. Masat gjithashtu mund të kenë një ndikim negativ në besueshmërinë e Bashkimit Evropian tek popullsia e Kosovës. Edhe pse mbështetja për Bashkimin Evropian ka mbetur shumë e lartë, ekziston rreziku që ajo të ulet si rezultat i këtyre masave”, thuhet më tutje në raport.


Kushtetuesja pezullon dekretin e Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit

 

Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme ndaj dekretit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për të shpërndarë Kuvendin e Kosovës.

 

Ankesën në Kushtetuese e kishte dorëzuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në emër të Qeverisë së Kosovës. Ai kishte kërkuar të vlerësohet kushtetutshmëria e dekretit të presidentes për shpërndarjen e Kuvendit si dhe vendosjen e masës së përkohshme.

 

Sipas masës së përkohshme e cila vlen deri më 31 mars, ndalohet "çdo veprim i Presidentes së Republikës Kosovës në lidhje me Dekretin [nr. 24/2026] të 6 marsit 2026, si dhe të ndalojë çdo veprim të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në kohëzgjatjen e përcaktuar sipas pikës II të këtij Vendimi; (ii) të urdhërojë që masa e përkohshme hyn në fuqi më 9 mars 2026, në kohëzgjatje deri më 31 mars 2026".

 

“Gjykata thekson se vendosja e masës së përkohshme ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesit të kërkesës përmes të cilës ndalohet ndërmarrja e çdo veprimi nga Presidentja lidhur me Dekretin [nr. 24/2026] të 6 marsit 2026 si dhe ndalimit të çdo veprimi të Kuvendit deri në vendosjen e rastit nga Gjykata Kushtetuese është në funksion të parandalimit të shkaktimit të dëmit të pariparueshëm për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin demokratik të institucioneve kyçe në Republikën e Kosovës”, thuhet në vendim.

 

Po ashtu u tha se ndalimi i çdo vendimi dhe veprimi të mëtejmë nga ana e institucioneve është në interes publik dhe i domosdoshëm për ruajtjen e rendit kushtetues dhe interesin më të mirë të Republikës së Kosovës.

 

“Rrjedhimisht, Gjykata, pa paragjykuar meritat e kërkesës KO72/26 konstaton se duhet të vendoset masa e përkohshme ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesit të kërkesës në përputhje me arsyetimin e këtij Vendimi”, thuhet në vendim.

 

Më 5 mars 2026, Kuvendi i Republikës së Kosovës, bazuar në kërkesën e 42 deputetëve të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje mbajti seancën e jashtëzakonshme me të vetmen pikë të rendit të ditës “Zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës”. Nga procesverbali i seancës së jashtëzakonshme, të 5 marsit 2026, u propozuan kandidatë për President, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mullhaxha – Kollçaku.


LVV e çon Osmanin në Kushtetuese – Haxhiu: Pres masë nga Gjykata për vijimin e punës së Kuvendit

 

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar sot në Kushtetuese ankesën lidhur me dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, bëjnë të ditur nga Zyra për media e kësaj partie për KosovaPress.

 

Osmani shpërndau Kuvendin në një konferencë për media të premten, ku nuk pranoi pyetje nga gazetarët.

 

Ky veprim i saj nxiti reagime të shumta, ndërsa nga Lëvizja Vetëvendosje u konsiderua të jetë akt kundërkushtetues.



Ndërkaq kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thënë sot se pret që Gjykata Kushtetuese të vendosë shpejt masë të parakohshme.

 

“Pres që Gjykata Kushtetuese të veprojë në përputhje me ndjeshmërinë e çështjes dhe të marrë shpejt së pari masën e përkohshme sepse pasojat do të jenë të pariparueshme, prandaj le ta presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese në raport me situatën aktuale”, tha ajo. “Nëse ka dekret për shpërndaje të Kuvendit, Kuvendi nuk mund të vazhdojë punën por nëse ka masë të përkohshme nga Kushtetuesja rrethanat do të ndryshojnë”.

 

Ndërkohë që kryeparlamentarja Albulena Haxhiu më 5 mars ka njoftuar se i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese pas dështimit të seancës për zgjedhjen e presidentit. Ajo ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Kushtetuesja vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e presidentit dhe masë pezulluese për afatin kushtetues. Gjithashtu ka kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së mosprezencës së deputetëve të opozitës në seancën për zgjedhjen e presidentit.


Osmani në pritje të Kushtetueses për caktimin e datës së zgjedhjeve

 

Presidentja Vjosa Osmani nuk e ka nënshkruar ende dekretin për datën e zgjedhjeve pasi që është duke pritur nëse Gjykata Kushtetuese do të vendos masë të përkohshme ose jo për dekretin e saj për shpërndarje të Kuvendit.

 

Këshilltari për media i Osmanit, Bekim Kapina, ka thënë se nëse Gjykata Kushtetuese e vlerëson si të nevojshme caktimin e një mase të përkohshme, Presidenca e mirëpret atë.

 

Por ka theksuar se kjo nuk paragjykon vendimin përfundimtar të Gjykatës lidhur me kushtetutshmërinë e dekretit për shpërndarje të Kuvendit.

 

“Presidentja ende nuk e ka nënshkruar dekretin për datën e zgjedhjeve sepse, siç i ka njoftuar edhe partitë në takimin konsultativ, ajo është në pritje të Gjykatës Kushtetuese. Nëse Gjykata Kushtetuese e vlerëson si të nevojshme caktimin e një mase të përkohshme, Presidenca e mirëpret atë, duke ritheksuar se masa në asnjë moment nuk paragjykon vendimin përfundimtar të Gjykatës lidhur me kushtetutshmërinë e dekretit”, është shprehur Kupina.

 

Kushtetutshmëria e dekretit të Osmanit për t’i dhënë fund legjislaturës së 10-të është kontestuar në Kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje.

 

Presidentja e dekretoi shpërndarjen e Kuvendit pas moszgjedhjes së presidentit deri më 5 mars dhe në një takim ku nuk ka marrë Lëvizja Vetëvendosje, ka konsultuar partitë për datën e zgjedhjeve të parakohshme.

 

Gjithashtu kryeparlamentarja Albulena Haxhiu më 5 mars i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese pas dështimit të seancës për zgjedhjen e presidentit. Ajo ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Kushtetuesja vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e presidentit dhe masë pezulluese për afatin kushtetues. Gjithashtu ka kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së mosprezencës së deputetëve të opozitës në seancën për zgjedhjen e presidentit.


SPAK dhe Prokuroria Speciale e Kosovës bashkojnë forcat: ekipe të përbashkëta hetimore kundër krimit

 

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Prokuroria Speciale e Kosovës do të krijojnë ekipe të përbashkëta hetimore për çështje penale.

 

Marrëveshja për krijimin e ekipeve të përbashkëta hetimore u firmos sot në Prishtinë gjatë një takimi mes delegacionit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës.

 

Ekipi i SPAK kryesohej nga Klodjan Braho, dhe përbëhej nga ish-drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, si dhe prokurorja në EUROJUST, Fatjona Memçaj.

 

Delegacioni i Kosovës udhëhiqej nga Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, i shoqëruar nga prokurorët në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, dhe Laura Pula si dhe nga kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.

 

Gjatë bisedës, të dyja palët konfirmuan angazhimin e përbashkët institucional në funksion të forcimit të sundimit të ligjit në të dyja anët e kufurit, si dhe diskutuan për ngritjen e nivelit të bashkëpunimit, koordinimin dhe efikasitetin në luftën kundër krimit në të dyja vendet.

 

Në fokus ishte edhe bashkëpunimi mes dy prokurorive për hetimet penale dhe çështjet që prekin të dy vendet.

XS
SM
MD
LG