Revolucioni i Kuranit në shqip: 25-vjeçari nga Shkupi krijon aplikacionin me përkthim fjalë për fjalë
Një zhvillues i ri softueri nga Maqedonia e Veriut ka sjellë një risi për besimtarët myslimanë shqiptarë. Metin Ferati, 25 vjeç nga Shkupi, ka krijuar aplikacionin “Kurani Shqip”, i cili për herë të parë ofron përkthimin e Kuranit në gjuhën shqipe fjalë për fjalë. Në një intervistë për Anadolu, ai shpjegoi se ideja lindi nga dëshira për të ndërtuar projekte që i shërbejnë komunitetit dhe që kanë vlerë afatgjatë.
Ferati, i cili prej 6-7 vitesh merret me programim, thekson se në treg ekzistojnë aplikacione të ndryshme për Kuranin, përfshirë edhe në shqip, por shumica ofrojnë përkthim fjali për fjali. Ajo që e bën aplikacionin e tij unik është pikërisht përkthimi fjalë për fjalë, duke ndihmuar përdoruesit të kuptojnë më thellë tekstin origjinal. Aplikacioni funksionon si një “mushaf” digjital, duke ruajtur faqen ku lexuesi ka mbetur.
Synimi kryesor i të riut është që ky projekt të jetë një “sadaka rrjedhëse”, një vepër që mbetet dhe u shërben brezave. Ai dëshiron që çdo shqiptar, përfshirë edhe prindërit e tij, ta kuptojë qartë fjalën e lexuar në Kuran. Për tekstin origjinal ka përdorur skriptin Uthmanik, ndërsa përkthimet janë bazuar në punën e Hasan Nahit dhe Jahja Hondozi, ky i fundit për opsionin fjalë për fjalë.
Interesimi ka qenë i menjëhershëm dhe përtej pritshmërive të tij. Vetëm në platformën iOS aplikacioni ka kaluar mbi 3.000 shkarkime në një kohë të shkurtër, ndërsa në Android ndodhet ende në fazë testimi me mbi 300 testues të regjistruar.
Ferati paralajmëron se aplikacioni do të përmirësohet më tej, me mundësi shtimi të funksionit audio për dëgjimin e Kuranit. “Kurani Shqip” është falas, pa reklama dhe mund të përdoret edhe pa lidhje interneti, duke synuar të bëhet një platformë e plotë dhe e aksesueshme për të gjithë besimtarët shqiptarë.