Lidhje


UNRWA: Nuk ka absolutisht asnjë zonë të sigurt në Rripin e Gazës

Komisioneri i Përgjithshëm i Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA), Philippe Lazzarini tha se në Rripin e Gazës të cilin Izraeli që dy muaj e bombardon nuk ka zonë të sigurt.

 

Lazzarini bëri vlerësime për mediat në kryeqytetin e Libanit, Bejrut, lidhur me situatën humanitare në Rripin e Gazës.

 

 

Ai tha se që nga 7 tetori kur shpërtheu konflikti midis Izraelit dhe Hamasit, rreth 80 objekte të UNRWA-së në Gaza kanë qenë cak i sulmeve ajrore. Sipas tij, këto objekte të UNRWA-së, në mesin e të cilëve ka patur edhe strehë për civilët janë shënjestruar në mënyrë direkte ose indirekte.

 

 

Lazzarini bëri të ditur se në këto sulme kanë humbur jetën 130 punonjës të UNRWA-së dhe mbi 220 palestinezë.

 

 

"Nuk ka absolutisht asnjë zonë të sigurt në Rripin e Gazës. Duhet të hapet një hetim i pavarur në të ardhmen për mospërfilljen dhe sulmet flagrante ndaj objekteve të OKB-së", u shpreh ai.

 

 

Burimi: AA


Vriten 2 ushtarë tjerë izraelitë gjatë luftimeve në Gaza

Ushtria izraelite njoftoi se 2 ushtarë të saj u vranë gjatë luftimeve në Rripin e Gazës.

 

Në një deklaratë me shkrim nga ushtria izraelite thuhet se rreshteri 22-vjeçar Amit Bonzel nga brigada e parashutistëve u vra dje në përleshjet në qendër të Rripit të Gazës.

 

Dje është vrarë edhe rreshteri 22-vjeçar Alemnew Emanuel Feleke nga brigada komando, i cili mbeti i plagosur në përleshjet në jug të Gazës më 5 dhjetor.

 

Në deklaratë thuhet se në luftimet ku humbi jetën Bonzel, u plagosën rëndë 3 ushtarë tjerë rezervë të njësisë së zbulimit të brigadës së parashutistëve.

 

Pas sulmit tokësor të nisur nga ushtria izraelite, numri i ushtarëve të vrarë izraelitë gjatë luftimeve në Rripin e Gazës është rritur në 86.

 

Burimi: AA

 


GJNP: Pengimi i dërgimit të ndihmave në Gaza mund të jetë krim lufte

Kryeprokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJNP), Karim Khan, paralajmëroi se pengesa me qëllim e dërgimit të ndihmave për civilët në Gaza mund të vlerësohet si krim lufte.

 

Në një deklaratë nga llogaria e tij X, Khan theksoi duhet të lejohet menjëherë hyrja e ndihmës me përmasa të gjera në Gaza, duke iu referuar një letre që Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, i dërgoi Këshillit të Sigurimit të OKB-së (KS-OKB) që rikujton nenin 99 i cili përfshin përdorimin për herë të parë të kompetencës së jashtëzakonshme për të parandaluar një fatkeqësi humanitare në Gaza dhe për të ruajtur paqen botërore.

 

"Do të doja të ritheksoj me shprehjet më të qarta të mundshme se bllokimi i qëllimshëm i furnizimeve me ndihma për civilët (në Gaza) mund të përbëjë krim lufte sipas statutit të Romës të GJNP-së", tha Kryeprokurori Karim Khan

 

Guterres në letrën e dërguar KS-OKB-së, deklaroi se civilët në Gaza janë në rrezik të madh për shkak të sulmeve izraelite, se nuk ka vend të sigurt për të mbrojtur civilët dhe se sistemi shëndetësor ka rënë.

 

Burimi: AA


BE-ja dënon prishjen e shkollave nga kolonët izraelitë në territorin palestinez

Bashkimi Evropian (BE) dënoi prishjen e një shkolle nga kolonët izraelitë në territorin e pushtuar palestinez Zamuta, duke e cilësuar atë si shkelje të ligjit ndërkombëtar humanitar.

 

Shkolla, e ndërtuar me fondet e BE-së, ra viktimë e veprimeve të kolonëve izraelitë, duke shkaktuar një përgjigje të shpejtë dhe të ashpër nga Komisari i BE-së për Menaxhimin e Krizave dhe Ndihmën Humanitare Janez Lenarcic, i cili deklaroi në platformën sociale “X” se “Ky shkatërrim është i patolerueshëm dhe shkelje e së Drejtës Ndërkombëtare Humanitare”.

 

“Situata në Bregun Perëndimor është dramatike. Ndikimi i këtij përshkallëzimi të fundit në shërbimet kritike, si shëndetësia dhe arsimi, i shoqëruar nga situata e rëndë ekonomike, është katastrofike. Dhuna e kolonëve duhet të ndalet”, shtoi ai.

 

Izraeli rifilloi ofensivën e tij ushtarake në Rripin e Gazës të premten pas përfundimit të një pauze humanitare njëjavore me grupin palestinez Hamas.

 

Të paktën 16.248 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 43.616 të tjerë janë plagosur në sulmet intensive ajrore dhe tokësore në enklavë që nga 7 tetori pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi.

 

Sipas shifrave zyrtare, numri i të vdekurve izraelitë është 1.200.

 

Burimi: AA


Erdoğan: Izraeli do të përgjigjet për shtypjen ndaj palestinezëve që nga Lufta e Dytë Botërore

Izraeli do të mbahet përgjegjës për gjithë shtypjen që ka shkaktuar në Palestinë që nga Lufta e Dytë Botërore, tha sot presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, duke shtuar se nuk do të ketë “shpëtim” nga kjo.

 

“Sa më shumë që administrata izraelite të përshkallëzojë shtypjen e saj, aq më i rëndë çmimi që do ta paguajë”, tha Erdoğan pas një takimi të kabinetit në kryeqytetin Ankara.

 

“Udhëheqësit izraelitë herët a vonë do të gjykohen në gjykatën e njerëzimit, do të vuajnë dënimin që meritojnë dhe do të zënë vendin e tyre në koshin e plehrave të historisë”, shtoi ai.

 

Erdoğan kritikoi gjithashtu ShBA-në dhe Evropën për “mbështetjen e tyre të pakufizuar” ndaj Izraelit, duke thënë se, po të mos kishin dhënë mbështetjen e tyre, “udhëheqësit e këtij shteti terrorist nuk do të mund të vepronin në mënyrë të pamatur”.

 

Izraeli rifilloi ofensivën e tij ushtarake në territorin palestinez të premten pas përfundimit të një pauze humanitare njëjavore me grupin palestinez Hamas.

 

Të paktën 16.248 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 43.616 të tjerë janë plagosur në sulmet intensive ajrore dhe tokësore në enklavë që nga 7 tetori pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi.

 

Sipas shifrave zyrtare, numri i të vdekurve izraelitë është 1.200.

Burimi: AA

XS
SM
MD
LG