Lidhje


Vrasja e Khameneit - Financial Times: Mossad u fut në kamerat e Teheranit dhe bllokoi celularët

 

Kur truprojat dhe shoferët e zyrtarëve të lartë iranianë shkuan në punë mëngjesin e së shtunës në Teheran izraelitët ishin duke vëzhguar. Pothuajse të gjitha kamerat e trafikut në kryeqytetin iranian ishin hakeruar për vite me radhë. Imazhet e tyre ishin enkriptuar dhe transferuar në servera në Tel Aviv dhe Izraelin jugor. Këto detaje të reja nga eliminimi i Ajatollah Ali Khamenei i kanë dhënë “Financial Times” dy burime të sigurta në kushte anonimati.

 

Sipas njërit prej tyre, një kamera kishte një kënd veçanërisht të dobishëm, duke u lejuar izraelitëve të shihnin se ku truprojat parkonin zakonisht makinat e tyre personale.


Në kohë reale, izraelitët informoheshin për adresat, orët e detyrës, rrugët që ndiqnin truprojat iraniane të zyrtarëve për të shkuar në punë dhe më e rëndësishmja, kë mbronin dhe kë transportonin zakonisht.

 

Ky koleksion i inteligjencës shumëvjeçare ndihmoi në hapjen e rrugës për vrasjen e Ajatollah Ali Khameneit. Megjithatë, ky burim të dhënash në kohë reale nuk ishte e vetmja metodë që Izraeli dhe CIA përdorën për të përcaktuar saktësisht se kur do të ishte 86-vjeçari Khamenei në zyrën e tij të shtunën dhe kush do ta shoqëronte. Shërbimet izraelite arritën të “ndërhynin” në të dhënat e 12 antenave të celularëve pranë “Rrugës Pasteur”, duke i bërë linjat të dukeshin të zëna kur telefonoje, duke penguar në këtë mënyrë rojen e Khameneit të merrte sinjale të mundshme paralajmëruese.

 

“Para se të binin bombat, ne e njihnim Teheranin ashtu siç e njohim Jerusalemin”, – tha një zyrtar i inteligjencës izraelite. “Dhe kur e njeh një vend aq mirë sa e njeh lagjen ku je rritur, vëren ndryshimin më të vogël.”

 

Pamja e dendur dhe e pasur me informacion e kryeqytetit të armikut të saj të betuar ishte rezultat i mbledhjes së të dhënave të mundimshme, të mundësuar nga njësia e specializuar “8200” e Izraelit, materiali njerëzor i rekrutuar nga Mossadi dhe vëllimet e të dhënave të përpunuara nga inteligjenca ushtarake për të përpiluar raporte ditore.

 

Izraeli përdori një metodë matematikore të quajtur “analiza e rrjeteve sociale” për të analizuar miliarda pika të dhënash dhe për të zbuluar qendra vendimmarrjeje të papritura, si dhe për të identifikuar objektiva të rinj për mbikëqyrje dhe eliminim.

 

Superioriteti i shërbimeve të inteligjencës së Izraelit ishte i dukshëm në luftën 12-ditore qershorin e kaluar, kur shkencëtarët bërthamorë iranianë dhe zyrtarë të lartë ushtarakë u vranë brenda pak minutash në një sulm fillestar.

 

Kësaj i parapriu një rrëzim i paprecedentë ndaj mbrojtjes ajrore të Iranit përmes një kombinimi sulmesh kibernetike, dronësh me rreze të shkurtër veprimi dhe municionesh të drejtuara me precizion të qëlluara nga jashtë kufijve të Iranit.

 

“Ne u hoqëm të parët sytë” – tha një zyrtar i inteligjencës për “FT”. Si në luftën e qershorit ashtu edhe tani, pilotët izraelitë kanë përdorur një lloj të veçantë rakete, “Sparrow”, versionet e së cilës janë të afta të godasin një objektiv aq të vogël sa një tavolinë darke nga më shumë se 1,000 km larg Iranit dhe rrezes së veprimit të çdo sistemi të tij të mbrojtjes ajrore.

 

Jo të gjitha detajet e operacionit të fundit dihen. Disa mund të mos bëhen kurrë publike, me qëllim mbrojtjen e burimeve dhe metodave që përdoren për të monitoruar objektiva të tjerë. Por vrasja e Khameneit ishte një vendim politik, jo vetëm një… arritje teknologjike.

 

Kur CIA dhe Izraeli u informuan se Khamenei do të takohej të shtunën në zyrat e tij pranë Rrugës Pasteur, mundësia për ta vrarë atë, së bashku me kaq shumë zyrtarë të tjerë të lartë iranianë, ishte pikërisht para tyre dhe nuk mund të humbiste, pasi ai nuk ishte në një nga dy bunkerët e projektuar posaçërisht për të.

 

Zyrtarët e CIA-s thanë se kishte një burim njerëzor që ishte i rëndësishëm për suksesin e misionit dhe siguroi ekzekutimin e saktë të operacionit.


Izraeli godet zyrat e inteligjencës iraniane në Teheran

 

Ushtria izraelite tha se kishte goditur zyrat e inteligjencës iraniane si dhe qendrat e tjera komanduese. Ky sulm vjen në ditën e tretë të luftës kundër Republikës Islamike.

 

“Ushtria izraelite goditi më shumë se dhjetë shtabi që i përkasin Ministrisë iraniane të Inteligjencës, si dhe disa seli të Forcës Quds”, tha ushtria në një deklaratë, duke iu referuar njësisë elitare të Gardës Revolucionare që mbikëqyr operacionet iraniane jashtë vendit.


Tensonet në Lindjen e Mesme - Mbyllet Ambasada amerikane në Kuvajt

 

Ambasada amerikane në Kuvajt tha të martën se ishte e mbyllur deri në një njoftim të mëtejshëm, për shkak të tensioneve të vazhdueshme rajonale. 

 

“Për shkak të tensioneve të vazhdueshme rajonale, Ambasada e SHBA-së në Kuvajt do të jetë e mbyllur deri në një njoftim të mëtejshëm. Ne kemi anuluar të gjitha takimet konsullore të rregullta dhe urgjente”, tha ambasada në një deklaratë për X


Konflikti në Lindjen e Mesme, pritet rritje deri në 20 lekë të çmimit të naftës

 

Rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare pas konfliktit në Lindjen e Mesme pritet që brenda 3–4 ditëve të reflektohet në tregun vendas, me shtrenjtim prej 15–20 lekë për litër. Pas rritjes së çmimeve në bursat globale, pritet që të ketë efekte edhe në tarifat e transportit të mallrave. Menjëherë pas nisjes së konfliktit mes Izraelit dhe Iranit, më 28 shkurt 2026, i cili shpërtheu me sulme ushtarake të njëpasnjëshme, ndikimi i parë u shfaq me shtrenjtimin e çmimeve të naftës.

 

Në bursat ndërkombëtare, çmimet e naftës u rritën deri 13%, ndërsa çmimet e gazit arritën 24%, duke reflektuar pasigurinë mbi furnizimet dhe tensionet e rritura në një rajon kyç për prodhimin dhe transportin e energjisë.

 

Çmimet e naftës dhe gazit rriten, aksionet bien teksa përshkallëzohet konflikti në Lindjen e Mesme


Në mesin e ditës së sotme (2 mars 2026), çmimi i naftës Brent crude në bursë arriti 79 USD për fuçi, nga 75 USD që ishte në orët e para të mëngjesit. Para sulmeve, çmimi varionte nga 62 deri 65 USD për fuçi.

 

Si importuesit e naftës, ashtu edhe kompanitë e transportit nga vendet e rajonit dhe Europa drejt Shqipërisë me rrugë tokësore raportojnë furnizime me çmime deri 10% më të larta. Përfaqësues të Shoqatës së Hidrokarbureve thanë për “Monitor” se ditët menjëherë pas sulmit janë furnizuar me naftë me çmim 900 USD për ton, nga 740 USD për ton që ishte më parë.

 

“Shtrenjtimi i çmimeve në bursë pritet të reflektohet brenda 4 ditëve në tregun e pakicës, me rritje çmimi nga 15 deri 20 lekë për litër”, pohuan nga Shoqata e Hidrokarbureve.

 

Aktualisht, në pikat e karburanteve, çmimi i shitjes së naftës është 170-175 lekë për litër dhe pritet të arrijë 185–190 lekë për litër.
Përfaqësues të Shoqatës paralajmërojnë se në rast të zgjerimit të hartës së sulmeve, ose përfshirjes së tyre nga Hamas, çmimet e naftës në bursë mund të arrijnë edhe 110 USD për fuçi, duke ndikuar menjëherë edhe çmimin për konsumatorin vendas.

 

Do shtrenjtohen edhe tarifat e transportit të mallrave


Shtrenjtimi i karburantit pritet gjithashtu të ndikojë tek tarifat e transportit të mallrave, pasi shpenzimet për naftë përbëjnë një pjesë të madhe të kostove në këtë sektor. Por me çmime më të lartë deri 10% në furnizimet e naftës po përballen edhe kompanitë e transportit të mallrave tregtare.

 

Rritja e çmimit të naftës pas përshkallëzimit të sulmeve ushtarake nuk është fenomen i ri. Në muajin mars 2022 pas sulmeve të Rusisë në Ukrainë, çmimi i naftës Brent u rrit ndjeshëm duke arritur mbi 100 USD për fuçi, nga rreth 92 USD për fuçi para nisjes së luftës, duke arritur nivele si mbi 105 USD për fuçi në ditët e para të konfliktit. Në ditët e para të luftës rritja e çmimeve ishte nga 8 deri 12%./ Monitor


Netanyahu mohon presionin mbi SHBA: Trump e kupton vetë rrezikun nga Irani!

 

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka mohuar raportet se Izraeli e ka tërhequr zvarrë SHBA-në në luftë me Iranin, duke i cilësuar ato si “pretendime qesharake”, ndërsa njëkohësisht ka lavdëruar ish-presidentin amerikan Donald Trump për vendosmërinë e tij.

 

“Donald Trump është udhëheqësi më i fortë në botë. Ai bën atë që mendon se është e drejtë për Amerikën. Ai gjithashtu po bën atë që mendon se është e drejtë për brezat e ardhshëm”, tha Netanyahu në një intervistë për Fox News.

 

Duke iu referuar Iranit, ai shtoi: “Pavarësisht nëse njerëzit e kuptojnë apo jo, udhëheqësi duhet ta kuptojë atë. Donald Trump e kupton këtë. Ju nuk keni pse ta tërhiqni atë në asgjë. Ai bën atë që mendon se është e drejtë, dhe kjo është e drejtë”. Sipas Netanyahut, Teherani është i përkushtuar për “shkatërrimin tuaj”, duke iu drejtuar SHBA-së.

 

Megjithatë, një raport i The New York Times, që citon zyrtarë amerikanë e izraelitë, diplomatë, ligjvënës dhe burime të inteligjencës, e përshkruan vendimin e SHBA-së për të goditur Iranin si një fitore të madhe për Netanyahun.

 

Sipas raportimit, Netanyahu kishte ngritur për herë të parë idenë e goditjes së objekteve raketore iraniane në dhjetor, gjatë një vizite në rezidencën e Trump në Florida. Në muajt në vijim, ai loboi vazhdimisht për veprime ushtarake, duke kërkuar që negociatat bërthamore nën ndërmjetësimin e Omanit të mos pengonin planet e tij.

 

Sulmet, të nisura më 28 shkurt në kuadër të operacionit “Epic Fury”, u realizuan me koordinim të ngushtë mes SHBA-së dhe Izraelit. Sipas qeverisë iraniane dhe mediave ndërkombëtare, ato çuan në vrasjen e udhëheqësit suprem iranian, Ali Khamenei.

 

Raporti thekson se takimet mes Netanyahut dhe Trumpit përfshinin diskutime të detajuara mbi kohën dhe shkallën e sulmit, ndërsa zyrtarë ushtarakë të dy vendeve koordinuan planifikimin deri në nisjen e operacionit. Koha dhe taktikat u rishikuan disa herë, përfshirë momentin kur Izraeli kërkoi më shumë kohë për përgatitjen e sistemeve mbrojtëse, kërkesë me të cilën Trump thuhet se u pajtua.

 

Edhe pse në Muscat dhe Gjenevë u zhvilluan raunde bisedimesh bërthamore që përfunduan vetëm dy ditë para nisjes së operacionit, zyrtarë amerikanë cituar nga media thanë se nuk kishte hapësirë reale për një marrëveshje që do të kënaqte të dyja palët. Fushata e koordinuar ushtarake vazhdon, me objektiva të gjerë dhe me raportime për viktima mes forcave amerikane.

XS
SM
MD
LG