Lidhje


Operacion në bashkinë e qytetit Uşak të Turqisë: Kryetari i bashkisë kapet me një punonjëse në hotel

 Në një operacion të kryer në bashkinë Uşak të Turqisë në orët e mëngjesit, kryetari i bashkisë Özkan Yalım u arrestua dhe u vu në paraburgim së bashku me një punonjëse 21-vjeçare të bashkisë, e cila dyshohet të jetë një nga dy të dashurat e tij, në një hotel luksoz në Ankara. Operacionet që synojnë bashkitë e udhëhequra nga Partia Republikane Popullore (CHP) në lidhje me ryshfetin dhe korrupsionin vazhdojnë. Ndërsa operacionet që synojnë Bashkinë Metropolitane të Stambollit po zgjerohen, rrëfimet kanë vënë nën shqyrtim bashkitë e udhëhequra nga CHP.

Read more ...


Kryeparlamentarja e Kosovës për çështjen e presidentit: Çka thuhet në takime të mbyllura të jetë qëndrim real

 

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se nevojiten diskutime serioze nëse partitë duan që përnjëmend ta zgjedhin presidentin e ri të shtetit.

 

Haxhiu, që vjen nga radhët e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, tha se vendi nuk ka nevojë të shkojë në zgjedhje sepse qytetarët kanë mbajtur votime në dhjetor.

 

“Nevojiten diskutime serioze nëse duam apo nuk duam përnjëmend ta zgjedhim presidentin. Për faktin se është e rëndësishme që ajo që thuhet në takime të mbyllura të jetë qëndrim real dhe jo vetëm diskutim sa për të thënë”, tha Haxhiu për mediat më 27 mars.

 

Më 25 mars, Gjykata Kushtetuese publikoi një aktgjykim, duke u thënë deputetëve se kanë edhe 34 ditë kohë për ta zgjedhur presidentin e ri, përkatësisht deri më 28 prill, në të kundërtën vendi shkon automatikisht në zgjedhje.

 

Çështja u dërgua në Kushtetuese nga Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti, pasi më 6 mars, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, nxori një dekret për shpërndarjen e Kuvendit, një ditë pasi deputetët dështuan të zgjidhnin paraardhësin e Osmanit. Kushtetuesja gjeti se dekreti i Osmanit nuk ka prodhuar ndonjë efekt juridik.

 

Kryeparlamentarja Haxhiu tha se seanca e 5 marsit nuk është mbyllur dhe ajo do të vazhdojë “sapo të krijohen kushtet”.

 

Haxhiu tha se kryeministri Kurti, njëherësh kreu i LVV-së, veçse ka kërkuar takime me subjektet opozitare.

 

Kurti u dërgoi ftesa krerëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike në kohën kur ende nuk ishte publikuar aktgjykimi. Të dy partitë u shprehën të gatshme për takim pas aktgjykimit, por që nga publikimi i aktgjykimit nuk është paralajmëruar ndonjë takim.

 

“Natyrisht që kërkesat për takime do të vazhdojnë, por në anën tjetër nevojitet edhe vullneti i palës tjetër. Grupi parlamentar i Vetëvendosjes më së shumti i ka 66 vota, por kjo është e pamjaftueshme për ta zgjedhur presidentin e vendit sepse nevojiten 80 vota në kuti të paktën në dy rundet e para. Në këtë pikë mendoj që është shumë i rëndësishëm kontributi i të gjitha palëve, por kontributi të jetë serioz sepse mendoj që pajtohemi që vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të reja sepse zgjedhjet sapo i kemi përfunduar, qytetarët kanë folur, kanë dhënë mesazhin e tyre, prandaj kemi shumë punë për të bërë”, tha Haxhiu.

 

Më 5 mars, LVV-ja propozoi dy kandidatë për president, zëvendëskryeministrin, njëherësh kryediplomatin e Kosovës, Glauk Konjufcën, dhe deputeten Fatmire Kollçaku. Megjithatë, emrat e tyre nuk u hodhën në votim, pasi nuk kishte kuorum.

 

Çfarë tha Gjykata Kushtetuese?

 

Në aktgjykimin e saj, gjykata më e lartë në vend tha se Kuvendi i Kosovës shpërndahet në tri raste: nëse brenda 60 ditësh nga data e caktimit të mandatarit nga presidenti nuk formohet Qeveria, nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë 2/3 e të gjithë deputetëve dhe nëse brenda 60 ditësh nga data e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjidhet presidenti i Kosovës.

 

“Gjykata marrë për bazë kontekstin specifik të rrethanave të konstituimit të Kuvendit më 11 shkurt 2026, vlerësoi se Kuvendi nuk ka pasur gjashtëdhjetë 60 ditë në dispozicion, brenda të cilës periudhë duhej përfunduar procedura për zgjedhjen e presidentit”, u tha në vendim të Kushtetueses.

 

Sipas Gjykatës Kushtetuese procedura për zgjedhjen e presidentit, “që nuk mund të zgjasë më shumë se 60 ditë”, duhet të përfundojë “ jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual”.

 

“Këto dy afate janë të ndërlidhura, në atë mënyrë që procedura duhet të zhvillohet brenda kufirit prej 60 ditësh dhe të përfundojë me zgjedhjen e presidentit jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual”, u tha në vendim.

 

Pas aktgjykimit, LVV-ja tha se ky moment duhet të shfrytëzohet “për reflektim dhe për angazhim të të zgjedhurve të popullit, në mënyrë që vendi të mos futet në një krizë të re dhe në një cikël të përsëritur zgjedhjesh”.

 

Nga PDK-ja thanë se e respektojnë vendimin dhe në ditët në vijim do të bëjnë publikë vendimet politike që do të ndërmarrin.

 

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se përgjegjësia kryesore për zgjedhjen e presidentit bie mbi LVV-në, duke shtuar se për këtë çështje duhet marrëveshje politike mes partive.

 

Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.

 

Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, përfundon mandatin e saj pesëvjeçar në krye të shtetit më 5 prill.

 

Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo ajo nuk gëzoi mbështetjen e partive.

 

Për partinë në pushtet, ajo nuk i kishte votat e nevojshme, ndërsa për partitë e tjera ajo nuk e ka personifikuar unitetin e nevojshëm që i duhet figurës së presidentit./ REL


Ambasada amerikane jep tjetër mesazh për kartelet e krimit të organizuar në Shqipëri

 

Tjetër mesazh që përsërit nevojën për të luftuar kartelet e krimit të organizuar si prioritet i qeverisë shqiptare. Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri ka njoftuar se e Ngarkuara me Punë, Nancy VanHorn, ka zhvilluar gjatë kësaj jave një seri takimesh me ministrat e emëruar së fundmi në detyrë.

 

Sipas njoftimit zyrtar, VanHorn është takuar me Zëvendëskryeministren Albana Koçiu, Ministrin e Mbrojtjes Ermal Nufi, Ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha, Ministrin e Energjisë dhe Infrastrukturës Enea Karakaçi, Ministrin e Drejtësisë Toni Gogu, Ministrin e Brendshëm Besfort Lamallari, si dhe Ministren për Marrëdhëniet me Parlamentin Erjona Ismaili.

 

Në fokus të këtyre takimeve, sipas Ambasadës, ka qenë bashkëpunimi institucional dhe prioritetet e përbashkëta mes dy vendeve.

 

“Gjatë javëve të fundit, e Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn zhvilloi takime me ministrat e emëruar së fundmi në detyra të reja; Zëvendëskryeministren Albana Koçiu, Ministrin e Mbrojtjes Ermal Nufi, Ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha, Ministrin e Energjisë dhe Infrastrukturës Enea Karakaçi, Ministrin e Drejtësisë Toni Gogu, Ministrin e Brendshëm Besfort Lamallari, si dhe Ministren për Marrëdhëniet me Parlamentin Erjona Ismaili.

 

Znj. VanHorn ritheksoi përkushtimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në zbatimin e agjendës së Shtëpisë së Bardhë të Trump: eliminimin e plotë të karteleve të krimit të organizuar, bindjen e aleatëve të NATO-s për të respektuar angazhimin e tyre të Hagës për shpenzimet në fushën e mbrojtjes dhe marrëveshje të drejta për kompanitë amerikane që bëjnë biznes në Shqipëri. Ne vazhdojmë të punojmë me partnerë në të gjitha ministritë dhe institucionet që ndajnë angazhimin tonë për dhënien e rezultateve si për amerikanët, ashtu edhe për shqiptarët“, thuhet në postimin e Ambasadës.


Trump: Ma ofruan të bëhesha ajatollahu i Iranit, po nuk pranova - vijojnë negociatat e fshehta me Teheranin

 

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se askush në Iran nuk dëshiron të marrë postin e liderit suprem. Duke folur në një aktivitet fondmbledhës të republikanëve në Uashington, Trump theksoi gjithashtu se Irani kërkon t’i japë fund luftës që ka zgjatur gati një muaj, duke këmbëngulur se zyrtarët në Teheran po negociojnë me SHBA-në, por kanë frikë ta pranojnë publikisht për shkak të rrezikut të rebelimit të brendshëm.

 

Trump pretendoi se pjesa më e madhe e lidershipit iranian ka frikë të marrë drejtimin e vendit, pasi mund të bëhet objektiv i sulmeve amerikano-izraelite. Edhe pse lideri suprem veteran dhe figura të tjera të larta, përfshirë komandantë të Gardës Revolucionare, janë vrarë në sulme, sistemi qeverisës iranian ka ruajtur aftësinë për të funksionuar dhe për të drejtuar luftën që nisi më 28 shkurt.

 

Gjatë darkës vjetore të National Republican Congressional Committee, Trump u shpreh:
“Askush nuk e ka dashur më pak këtë detyrë sesa të jesh në krye të Iranit. Ne i dëgjojmë qartë. Ata thonë: ‘Nuk e dua. Duam t’ju bëjmë ju liderin e ardhshëm suprem.’ Jo, faleminderit. Nuk e dua.”

 

Ndërkohë, sipas raportimeve, Irani ka ngritur në krye Mojtaba Khamenei pas vrasjes së të atit, ish-ajatollahut Ali Khamenei.

 

Trump këmbënguli se Teherani po negocion me Uashingtonin për t’i dhënë fund luftës, pavarësisht mohimeve publike nga pala iraniane.
“Ata po negociojnë dhe duan shumë të bëjnë marrëveshje, por kanë frikë ta thonë sepse mendojnë se mund të vriten nga njerëzit e tyre. Kanë frikë edhe nga ne,” u shpreh ai, duke iu referuar një serie atentatesh të profilit të lartë që kanë krijuar një vakum pushteti në Iran.

 

Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë ka këmbëngulur se bisedimet për paqe janë në zhvillim, edhe pse Teherani i ka refuzuar publikisht ofertat amerikane dhe ka paraqitur kushte të reja për përfundimin e konfliktit. Sipas medias shtetërore Press TV, këto kushte përfshijnë garanci që SHBA dhe Izraeli nuk do të rifillojnë sulmet, dëmshpërblime për dëmet e luftës dhe njohjen e autoritetit të Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit.

 

Pavarësisht bombardimeve të vazhdueshme nga SHBA dhe Izraeli, Irani nuk ka dhënë shenja tërheqjeje dhe vijon të kundërpërgjigjet në konfliktin që ka tronditur Lindjen e Mesme dhe tregjet globale.


Reuters: SHBA-të konfirmojnë shkatërrimin e vetëm 1/3 të raketave të Iranit

 

Shtetet e Bashkuara kanë arritur të shkatërrojnë me siguri vetëm rreth një të tretën e arsenalit raketor të Iranit, raportoi agjencia Reuters, duke cituar pesë burime të njohura me çështjen.

 

Sipas katër prej burimeve, që folën në kushte anonimiteti, një tjetër e tretë e raketave iraniane mbetet me status të paqartë, por besohet se është dëmtuar, shkatërruar pjesërisht ose është varrosur në tunele dhe strehimore nëntokësore pas bombardimeve amerikane. Ndërsa për pjesën e mbetur, vlerësohet se vijon të jetë funksionale.

 

Burimet theksuan se një vlerësim i ngjashëm vlen edhe për kapacitetet e Iranit me dronë, ku ekziston një shkallë sigurie se rreth një e treta e tyre është shkatërruar.

 

Megjithëse një pjesë e madhe e arsenalit raketor është dëmtuar ose bërë e paarritshme, vlerësimet tregojnë se Irani vazhdon të ketë një rezervë të konsiderueshme raketash. Sipas ekspertëve, Teherani mund të rikuperojë një pjesë të raketave të dëmtuara apo të fshehura në strukturat nëntokësore sapo të ndalen armiqësitë.

 

Ky vlerësim bie në kontrast me deklaratat publike të presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka pohuar se Irani ka “shumë pak raketa”.

 

Gjatë një mbledhjeje të kabinetit, Trump pranoi gjithashtu rrezikun që paraqet edhe një pjesë e vogël e arsenalit të mbetur:

 

“Edhe nëse shkatërrojmë 99%, 1% është e papranueshme, sepse mund të godasë një anije që kushton miliarda dollarë”, deklaroi ai.
Administrata amerikane ka theksuar se objektivi kryesor është dobësimi i kapaciteteve ushtarake të Iranit, përmes goditjes së marinës, neutralizimit të raketave dhe dronëve, si dhe parandalimit të zhvillimit të armëve bërthamore.


Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane, CENTCOM, bëri të ditur se operacioni i njohur si “Epic Fury” po përparon sipas planit. Sipas saj, janë goditur mbi 10 mijë objektiva ushtarake dhe është shkatërruar rreth 92% e flotës kryesore detare iraniane.

 

Megjithatë, autoritetet amerikane nuk kanë dhënë një shifër të saktë për përqindjen e kapaciteteve raketore dhe të dronëve të neutralizuara.
Zyrtarët amerikanë pranojnë se është e vështirë të përcaktohet saktë dëmi real, për shkak të rrjetit të gjerë të tuneleve nëntokësore të ndërtuara nga Irani për ruajtjen e armëve.

 

Edhe Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth ka theksuar këtë sfidë, duke e krahasuar sistemin e tuneleve me atë të përdorur nga grupet militante në Lindjen e Mesme.


Pavarësisht sulmeve intensive, Irani ka treguar se nuk i ka shteruar kapacitetet e tij ushtarake. Vetëm së fundmi, sipas autoriteteve, Teherani ka lëshuar 15 raketa balistike dhe 11 dronë drejt Emiratet e Bashkuara Arabe.

 

Gjithashtu, Irani ka demonstruar aftësi të reja, duke lëshuar për herë të parë raketa me rreze të gjatë drejt bazës ushtarake në Diego Garcia, në Oqeanin Indian.

 

Ekspertët paralajmërojnë se, pavarësisht dëmeve të shkaktuara, Irani mund të ketë ruajtur deri në 30% të kapaciteteve të tij raketore, duke vënë në pikëpyetje efektivitetin e plotë të operacionit ameri

XS
SM
MD
LG