Ambasada amerikane jep tjetër mesazh për kartelet e krimit të organizuar në Shqipëri
Tjetër mesazh që përsërit nevojën për të luftuar kartelet e krimit të organizuar si prioritet i qeverisë shqiptare. Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri ka njoftuar se e Ngarkuara me Punë, Nancy VanHorn, ka zhvilluar gjatë kësaj jave një seri takimesh me ministrat e emëruar së fundmi në detyrë.
Sipas njoftimit zyrtar, VanHorn është takuar me Zëvendëskryeministren Albana Koçiu, Ministrin e Mbrojtjes Ermal Nufi, Ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha, Ministrin e Energjisë dhe Infrastrukturës Enea Karakaçi, Ministrin e Drejtësisë Toni Gogu, Ministrin e Brendshëm Besfort Lamallari, si dhe Ministren për Marrëdhëniet me Parlamentin Erjona Ismaili.
Në fokus të këtyre takimeve, sipas Ambasadës, ka qenë bashkëpunimi institucional dhe prioritetet e përbashkëta mes dy vendeve.
“Gjatë javëve të fundit, e Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn zhvilloi takime me ministrat e emëruar së fundmi në detyra të reja; Zëvendëskryeministren Albana Koçiu, Ministrin e Mbrojtjes Ermal Nufi, Ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha, Ministrin e Energjisë dhe Infrastrukturës Enea Karakaçi, Ministrin e Drejtësisë Toni Gogu, Ministrin e Brendshëm Besfort Lamallari, si dhe Ministren për Marrëdhëniet me Parlamentin Erjona Ismaili.
Znj. VanHorn ritheksoi përkushtimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në zbatimin e agjendës së Shtëpisë së Bardhë të Trump: eliminimin e plotë të karteleve të krimit të organizuar, bindjen e aleatëve të NATO-s për të respektuar angazhimin e tyre të Hagës për shpenzimet në fushën e mbrojtjes dhe marrëveshje të drejta për kompanitë amerikane që bëjnë biznes në Shqipëri. Ne vazhdojmë të punojmë me partnerë në të gjitha ministritë dhe institucionet që ndajnë angazhimin tonë për dhënien e rezultateve si për amerikanët, ashtu edhe për shqiptarët“, thuhet në postimin e Ambasadës.