Lidhje


Hakan Fidan: Besimi ndaj Turqisë është rritur pas nisjes së luftës

 

 

Diplomati kryesor i Turqisë deklaroi se besimi ndaj Turqisë është rritur pas luftës mes SHBA-Izraelit dhe Iranit, duke theksuar se vendi i tij nuk ka qenë kurrë hipokrit në kritikimin e gabimeve të të gjitha palëve.

 

Ministri i Jashtëm, Hakan Fidan, shpjegoi zhvillimet e fundit dhe pasojat e luftës në Lindjen e Mesme pas një turi treditor në rajonin e Gjirit gjatë fundjavës.

 

“Shohim se besimi ndaj Turqisë është rritur pas kësaj lufte. Që nga fillimi nuk kemi mbajtur një qëndrim të paqartë. Të gjithë e shohin se kemi shpjeguar qartë gabimet e bëra nga të gjitha palët,” tha Fidan për një grup gazetarësh që udhëtonin me të.

 

“Po deklarojmë në mënyrën më të fortë dhe më të qartë se ajo që po i bëhet Iranit dhe vendeve të Gjirit është e gabuar,” shtoi ai.

 

Fidan vizitoi Arabinë Saudite, Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe me synimin për të shkëmbyer mendime mbi ecurinë e luftës dhe për të shprehur mbështetje ndaj tyre, duke zhvilluar edhe takime shumëpalëshe në kuadër të përpjekjeve për t’i dhënë fund konfliktit përmes diplomacisë.

 

“Shumë gjëra mund të ndryshojnë në Gjirin Persik më pas. Këto vende mund të fillojnë të eksplorojnë rrugë të reja në fushën e industrisë së mbrojtjes,” tha Fidan, duke shtuar se ato mund të rifillojnë marrëdhëniet ekonomike me Iranin vetëm nëse Teherani pranon disa kushte.

 

“Në këmbim, Irani mund të ngrejë disa kërkesa lidhur me bazat amerikane në rajonin e Gjirit,” theksoi ai, duke shtuar se do të mbeten shumë pikëpyetje për pritshmëritë e vendeve si Kina, BE-ja, Japonia dhe Koreja e Jugut, të cilat furnizohen me energji përmes anijeve që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit.

 

Autoritetet në vendet e Gjirit vlerësojnë se lufta mund të zgjasë edhe dy ose tre javë të tjera, por Izraeli do të përpiqet ta zgjasë atë, tha Fidan. “Ka gjithnjë e më shumë vlerësime se qëndrimet fillestare të SHBA-së dhe Izraelit po divergojnë. Kjo mund të çojë në një luftë të zgjatur.”

 

Izraeli nuk dëshiron paqe

 

Sipas Fidanit, nuk është e mundur të zhvillohen negociata ndërsa lufta vazhdon. “Izraeli mund të ndjekë një politikë të zgjatjes së luftës sa më shumë të jetë e mundur për t’i shkaktuar më shumë dëme Iranit. Reagimi i SHBA-së ndaj kësaj qasjeje do të jetë vendimtar. Izraeli jep përshtypjen se nuk do të ndalet derisa objektivat e tij të rëndësishme ushtarake dhe industriale të eliminohen.”

 

Ministri theksoi se kjo luftë është nisur nga Izraeli dhe se ai nuk dëshiron një përfundim të shpejtë.

 

Takim katërpalësh në Riad

 

I pyetur për një takim me homologët nga Pakistani, Arabia Saudite dhe Egjipti, Fidan shpjegoi se këto katër vende po kërkojnë mënyra për të bashkuar fuqitë e tyre për zgjidhjen e problemeve rajonale.

 

“Po theksojmë parimin e pronësisë rajonale. Po diskutojmë situatën reale me këto vende. Po shqyrtojmë se si mund të japin rezultat përpjekjet tona të përbashkëta. Duhet ta kuptojmë këtë: ose do të bashkohemi për të zgjidhur problemet tona, ose do të shohim shfaqjen e një fuqie hegjemonike që do të diktojë zgjidhjet e saj për problemet tona,” u shpreh ai.

 

Fidan vazhdon shkëmbimet diplomatike.


Trump porosit Kushnerin dhe Witkoffin: Ngrini ekip diplomatik për negociata me Iranin!

 

Administrata amerikane po përgatit një ekip të posaçëm për negociata me Iranin, me urdhër të presidentit Donald Trump. Sipas raportimit të Axios, të dërguarit e tij, Jared Kushner dhe Steve Witkoff, po punojnë për ngritjen e këtij ekipi diplomatik.

 

Ditët e fundit nuk ka pasur kontakte të drejtpërdrejta mes Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, por komunikimi është zhvilluar përmes ndërmjetësve si Egjipti, Katari dhe Mbretëria e Bashkuar.

 

Sipas mediave ndërkombëtare, Egjipti dhe Katari kanë informuar SHBA-në dhe Izraelin se Irani është i gatshëm të nisë negociatat, megjithëse me kushte të rrepta. Nga ana tjetër, Uashingtoni ka paraqitur gjashtë kushte kryesore, që përfshijnë një ndalesë pesëvjeçare të programit të raketave dhe ndalimin e plotë të pasurimit të uraniumit.


Irani mohon bisedimet me SHBA: Nuk ka pasur negociata me Trump! U tërhoq nga sulmet prej kërcënimeve tona

 

Irani ka mohuar se janë duke u zhvilluar bisedime me Shtetet e Bashkuara, siç njoftoi Presidenti Donald Trump. "Trump u tërhoq nga sulmi ndaj infrastrukturës jetësore pasi kërcënimet ushtarake të Iranit u morën seriozisht", citohet të ketë thënë një zyrtar i lartë i sigurisë nga agjencia e lajmeve Fars.

 

"Presioni nga tregjet financiare dhe kërcënimi i obligacioneve amerikane dhe perëndimore janë rritur, dhe ky ishte një faktor tjetër i rëndësishëm në këtë tërheqje", shtoi ai. "Që nga fillimi i luftës, disa ndërmjetës i kanë dërguar mesazhe Teheranit, ndaj të cilëve përgjigja e qartë ka qenë se ne do të vazhdojmë të mbrohemi derisa të arrijmë parandalimin e nevojshëm", sqaroi burimi. "Nuk ka pasur negociata dhe asnjë nuk është duke u zhvilluar."


Mbretëria e Bashkuar dërgon nëndetësen bërthamore në Detin Arab

 

Një nëndetëse britanike me energji bërthamore, e pajisur me raketa Tomahawk, është vendosur në Detin Arabik dhe është duke pritur një urdhër të mundshëm për sulme me rreze të gjatë veprimi në rast të përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit në Lindjen e Mesme, sipas një raporti nga Daily Mail.

 

Sipas gazetës britanike Daily Mail, nëndetësja me energji bërthamore HMS Anson ka zënë pozicion në Detin Arabik, duke pritur urdhra nga Londra.

 

Agjencia e lajmeve Reuters vëren se nuk është në gjendje të konfirmojë informacionin nga burime të pavarura, ndërsa Ministria Britanike e Mbrojtjes nuk ka komentuar mbi publikimin përkatës.

 

Sipas të njëjtit raport, HMS Anson është e pajisur me raketa Tomahawk Block IV dhe silura Spearfish, sisteme që i lejojnë asaj të kryejë sulme me rreze të gjatë veprimi dhe të operojë në kushte me intensitet të lartë.

 

Nëndetësja thuhet se u nis disa ditë më parë nga Perth, Australi, duke udhëtuar afërsisht 8,850 kilometra derisa arriti në Detin Arabik.

 

Sipas Daily Mail, nëndetësja me energji bërthamore del në sipërfaqe në intervale të rregullta për të komunikuar me selinë e forcave të armatosura britanike në Northwood.

 

Çdo urdhër sulmi, sipas të njëjtit botim, do të duhej të miratohej nga Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer.

 

Vendosja e mundshme e HMS Anson në Detin Arabik, vjen pasi Downing Street dha “dritën jeshile” për përdorimin e bazave ushtarake britanike nga Shtetet e Bashkuara për të kryer sulme ndaj objekteve raketore iraniane që konsiderohen një kërcënim për lundrimin në Ngushticën e Hormuzit.

 

Zhvillimi është pjesë e kontekstit më të gjerë të rritjes së lëvizshmërisë ushtarake në rajon, pasi forcat ndërkombëtare monitorojnë zhvillimet rreth sigurisë së korridoreve detare dhe tensionit midis Uashingtonit dhe Teheranit.


Flet liderja e muxhahedinëve të Manzës: Gati të marrim pushtetin në Iran!

 

Stavros Tzimas, për Ekathimerini

 

Ndërsa çështja e së ardhmes së Iranit po bëhet gjithnjë e më dominuese, edhe teksa lufta vazhdon, Maryam Rajavi, presidente e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), një opozitë e organizuar iraniane në mërgim me bazë në Paris deklaron se ajo udhëheq dhe përfaqëson të vetmen strukturë të organizuar opozitare ndaj regjimit aktual dhe se është e gatshme të jetë alternativa ndaj pushtetit të mullahëve.

 

E lindur në Teheran në vitin 1953 dhe e angazhuar aktivisht në luftën kundër shahut dhe regjimit të Khomeinit, Rajavi drejton një koalicion organizatash politike, ku trupi kryesor është organizata kundër regjimit Mojahedin-e-Khalq (MEK), dhe sot është ndoshta figura më e njohur e opozitës iraniane në mërgim. Nga Parisi, Rajavi foli për Kathimerini mbi rezultatin e luftës, ditën pas përfundimit të saj, rrezikun e një lufte civile dhe programin e koalicionit të saj për tranzicionin e vendit drejt një regjimi laik dhe demokratik.

 

Çfarë mendoni se nënkupton zgjedhja e djalit të Ali Khameneit, Mojtabës, si udhëheqës i ri suprem?

 

“Pushteti absolut klerikal në thelb është shndërruar në një monarki trashëgimore. Por kjo nuk mund të shpëtojë anijen e rrënuar të fashizmit fetar. Ky është një tjetër grabitje dhe uzurpim i sovranitetit të demokracisë së popullit iranian, duke provuar edhe një herë se një nepërkë nuk lind pëllumba. Për më shumë se tre dekada, Mojtaba Khamenei, së bashku me të atin, ka qenë një nga arkitektët kryesorë të represionit, eksportit të fundamentalizmit dhe terrorizmit, si dhe grabitjes së pasurisë së popullit iranian. Në praktikë, ai prej kohësh ka funksionuar si pasardhësi de facto i të atit.”

 

A e shihni të afërt disfatën dhe rrëzimin e regjimit islamik, sidomos pas vdekjes së Ali Khameneit?

 

“Kjo luftë është produkt i politikave aventuriere të regjimit të Velayat-e Faqih, që nga projektet bërthamore dhe raketore, deri te eksporti i terrorizmit dhe nxitja e luftërave në rajon, politika që rezistenca iraniane ka filluar t’i ekspozojë prej 35 vitesh. Në vitin 2002, duke zbuluar dy nga objektet kryesore bërthamore të regjimit në Natanz për pasurimin e uraniumit dhe në Arak për ujë të rëndë, rezistenca pengoi që bota të kapet në befasi nga një regjim fundamentalist që synon të marrë bombën atomike. Vdekja e Khameneit, megjithëse një goditje e madhe për majën e sistemit të Velayat-e Faqih – dhe megjithëse lufta e ka dobësuar qartazi regjimin – nuk do të çojë automatikisht në rrëzimin e tij. Ajo që është vendimtare është prania e një rezistence të organizuar brenda vendit, e aftë për ta rrëzuar regjimin dhe për të menaxhuar periudhën e tranzicionit.”

 

A ekziston rreziku që Irani të zhytet në kaos dhe luftë civile?

 

“Me një rezistencë të organizuar në terren dhe me një alternativë të njohur, Këshillin Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), me plane dhe programe të qarta për të ardhmen, lufta civile nuk do të ndodhë. Shoqëria iraniane, ndryshe nga shumë vende të tjera të rajonit, mbetet kohezive dhe e bashkuar pavarësisht diversitetit etnik. Në një mesazh drejtuar popullit iranian, unë bëra thirrje për unitet dhe solidaritet kombëtar mes të gjithë qytetarëve, pavarësisht orientimit politik, besimit fetar apo përkatësisë etnike.”

 

Si i interpretoni turmat e mëdha që morën pjesë në ceremonitë mortore për Khamenein?

 

“Për një regjim që sundon një metropol prej 10 milionë banorësh si Teherani, mobilizimi i disa dhjetëra apo edhe qindra mijëra njerëzve nuk është i vështirë. Regjimi përdor institucionet administrative, shkollat dhe organizatat shtetërore, ushtron presion mbi punonjësit dhe të varfrit, dhe mobilizon burime të mëdha shtetërore për të organizuar ngjarje të tilla. Madje detyroi edhe familjet, fëmijët e të cilave u vranë gjatë kryengritjes së janarit, të merrnin pjesë në ceremonitë zyrtare nëse donin të merrnin trupat e të afërmve të tyre. Mbi të gjitha, matësi real nuk është një ditë apo një imazh i vetëm; është trajektorja e kryengritjeve, grevave dhe rezistencës së organizuar që është shfaqur vazhdimisht vitet e fundit.”

 

A është Këshilli Kombëtar i Rezistencës i gatshëm të qeverisë vendin?

 

“NCRI ka parashikuar mekanizmat e nevojshëm për një transferim paqësor dhe të rregullt të pushtetit te populli. Sipas planit të NCRI, pas rrëzimit të regjimit, një qeveri e përkohshme do të marrë përgjegjësinë për administrimin e vendit dhe do të organizojë zgjedhje për një Asamble Kushtetuese brenda një periudhe maksimale prej gjashtë muajsh. Me krijimin e kësaj asambleje, mandati i qeverisë së përkohshme do të përfundojë. Asambleja Kushtetuese do të hartojë një kushtetutë të re dhe do të emërojë një qeveri për të administruar vendin. Ne jemi të angazhuar jo për hakmarrje, por për drejtësi; jo për pushtet personal, por për sovranitet popullor. Kjo rrugë është garancia më e mirë kundër luftës civile, separatizmit dhe kaosit.”/ Përkthyer nga Lapsi.al

XS
SM
MD
LG