PLAS në Teheran: luftë për pushtet, lideri ‘fantazmë’ dhe sfida direkte ndaj Amerikës
Ndërsa pritet në Islamabad me një avion nga Teherani që nuk niset, Mohammad Ghalibaf, president i Parlamentit iranian dhe kreu i delegacionit negociator, provokon Donald Trump në X duke përdorur të njëjtën formulë të tij. “Do ta shesin luftën si justifikim për të bërë përsëri të madhe çfarë?”, shkruan ai, duke shtrembëruar sloganin e presidentit amerikan “Make America great again”. “Nuk nisemi, duhet të ndryshojnë kushtet në tryezë”, na thotë një burim pranë negociatave. Ekipi iranian nuk tërhiqet asnjë hap dhe vazhdon t’i vendosë amerikanët përballë një muri kompakt, pothuajse të depërtueshëm.
Përçarje të brendshme
Por kjo ngurtësi nuk lind vetëm nga siguria se kanë në dorë kartën e Ngushticës së Hormuzit, gryka nga ku kalon fati i naftës botërore. Ajo buron edhe nga përçarjet e brendshme që kanë copëtuar regjimin pas vrasjes së Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei. Nga njëra anë janë të papajtueshmit, me uniformë ose të lidhur me Gardën Revolucionare dhe me kreun e tyre Ahmad Vahidi. Nga ana tjetër janë pragmatistët, si Ghalibaf dhe ministri i Jashtëm Abbas Araghchi, figura kyçe të delegacionit, të bindur se vetëm dialogu mund të shmangë rrëzimin e ekonomisë dhe ta shpëtojë vendin nga humnera. Dikur këto përplasje mbeteshin të mbyllura në dhomat e pushtetit. Tani shpërthejnë publikisht, mes X, televizioneve dhe agjencive të lajmeve. Kur Araghchi njofton rihapjen e Ngushticës — një ndërprerje që zgjati vetëm disa orë — Tasnim, megafoni i pasdaranëve, e sulmon duke e akuzuar për fjalë tepër të buta dhe të përkulura ndaj armikut. E njëjta gjë ndodh edhe me Ghalibaf, i cili gjendet i ekspozuar jo vetëm ndaj goditjeve amerikane, por edhe ndaj atyre të vetë bashkëbesimtarëve, të gatshëm ta sulmojnë në çdo hap që konsiderohet i gabuar.
Udhëheqës fantazmë
Edhe kjo luftë në majë e pushtetit e ngadalëson Teheranin në procesin e vendimmarrjes. Nuk rëndon vetëm ngërçi për një marrëveshje bërthamore apo ekonomike, por edhe pasiguria mbi pjesëmarrjen në raundet e ardhshme të bisedimeve. Republika Islamike është mbështetur gjithmonë te figura e Udhëheqësit Suprem, dhe që nga 8 marsi ai rol i është besuar Mojtaba Khameneit. Lideri i ri ende nuk është shfaqur publikisht, as nuk është dëgjuar zëri i tij. I plagosur në bombardimin ku u vra i ati, Ali Khamenei, ai komunikon vetëm përmes mesazheve në Telegram: mungesa e tij ka hapur një vakum pushteti që kërcënon të përpijë sistemin. Ghalibaf është, në fakt, drejtuesi operativ i kësaj faze, njeriu që lëviz fijet e regjimit të ri. Por, siç vëren Paul Salem nga Middle East Institute, ai nuk është “shefi” i vërtetë. Në strukturën iraniane “shefi” mbetet Udhëheqësi Suprem, siç kanë qenë themeluesi Ruhollah Khomeini dhe pasuesi i tij Ali Khamenei, të aftë të impononin një vullnet unik dhe të njohur. Mojtaba, sot, nuk e ka atë peshë. Pushteti fetar nuk dominon më i vetëm. Sistemi duket gjithnjë e më shumë ushtarak, me uniformat që peshojnë më shumë se rrobat fetare. Me përçarjet që e nxjerrin nga shinat. Salem kujton gjithashtu se «vetëm liderët vërtet të fortë mund t’i lejojnë vetes lëshime. Në Iran, ajo forcë nuk është më e përqendruar në një njeri të vetëm. Dhe kështu vendimet shpërndahen në një kakofoni zërash», ndërsa në Shtetet e Bashkuara gjithçka rrotullohet rreth Donald Trump. Është një përballje mes një komande vertikale dhe një pushteti të copëzuar, mes një lideri të vetëm dhe një kori që lufton për timonin.
Luftë për pushtet
Përplasjet e brendshme duhen lexuar jo vetëm si një konflikt ideologjik mes atyre që duan të negociojnë dhe atyre që jo: të dy kampet janë thellësisht ideologjike. Në Teheran luftohet mbi të gjitha për kontrollin e pushtetit. Të papajtueshmit e sulmojnë Ghalibafin për ta dobësuar përpara bazës së tij, por nuk është aspak e sigurt që, në vend të tij, figura si Vahidi do ta refuzonin një marrëveshje me Trump. Akuzat shërbejnë për të konsoliduar besnikëritë e brendshme, ashtu si Trump flet për popullin e tij Maga. Në Iran nuk ka pasur një ndryshim regjimi. Ka pasur më tepër një ndryshim brenda regjimit. Pasi u godit koka e udhëheqjes së vjetër, boshllëku u mbush nga njerëz të rinj që duan të rishkruajnë rregullat e lojës. Disa prej tyre i përkasin një brezi që e kundërshtonte Ali Khamenein, duke e akuzuar për mungesë veprimi. Tani mendojnë se ky është momenti i tyre dhe se koha e Republikës Islamike përkon më në fund me kohën e tyre./ Corriere della Sera