Lidhje


SKANDAL NË ZYRËN E NETANYAHUT/ Ish-sekretari ushtarak denoncon falsifikimin e dokumenteve të 7 tetorit!

 

Akuza të rënda për manipulimin e dokumentacionit zyrtar lidhur me sulmet e 7 tetorit 2023 janë ngritur ndaj Zyrës së Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu. Avi Gil, ish-sekretari ushtarak i kryeministrit, ka deklaruar se nga brenda institucionit ishte dhënë një urdhër për të ndryshuar orën e regjistruar të një telefonate të rëndësishme, duke ngritur dyshime mbi saktësinë e dokumenteve që mund të përdoren për hetimin e dështimeve të sigurisë. Akuzat u bënë gjatë një interviste për Channel 12, të raportuar nga Ynet dhe Anadolu, ndërsa Netanyahu i ka mohuar pretendimet.


Sipas Gilit, i cili shërbeu pranë Netanyahut nga korriku 2021 deri në maj 2024, në janar të vitit 2024 një stenografe e Zyrës së Kryeministrit e kishte informuar se shefi i kabinetit i kishte kërkuar të ndryshonte orarin e një telefonate katërminutëshe, nga 06:40 në 06:29. Stenografja, sipas dëshmisë së tij, kishte kundërshtuar ndërhyrjen, pasi sistemi kompjuterik regjistronte qartësisht se telefonata ishte zhvilluar nga ora 06:40 deri në 06:44. Gil pretendon se e dokumentoi menjëherë këtë informacion me shkrim dhe ia përcolli prokurorit të përgjithshëm, duke kërkuar që çdo komision hetimor të shqyrtojë regjistrimet origjinale dhe jo vetëm transkriptet.


Ish-zyrtari ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi vendimmarrjen politike përpara sulmeve të Hamasit, duke deklaruar se strukturat izraelite të sigurisë kishin propozuar vazhdimisht operacione të shënjestruara në Gaza, por rekomandimet nuk ishin miratuar nga udhëheqja politike. Ai konfirmoi edhe se ish-kreu i Shin Bet, Ronen Bar, e kishte paralajmëruar Netanyahun në korrik 2023 për rrezikun e një lufte, ndonëse sqaroi se paralajmërimi nuk lidhej konkretisht me një sulm të afërt nga Gaza.


Megjithatë, Gil hodhi poshtë pretendimet se informacionet e inteligjencës gjatë natës përpara sulmit tregonin një kërcënim të menjëhershëm që kërkonte zgjimin urgjent të kryeministrit. Sipas tij, raportimet e asaj nate e përshkruanin situatën si rutinë. Ai gjithashtu nuk konfirmoi ekzistencën e paralajmërimeve të pretenduara nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.


Netanyahu i ka hedhur poshtë akuzat dhe ka kundërshtuar versionin e ish-sekretarit të tij ushtarak. Ndërkohë, sipas Ynet, policia izraelite ka hetuar dyshimet për ndryshimin e dokumenteve, por prokuroria ende nuk ka vendosur nëse do të ngrejë akuza.

 

Zbulimet kanë nxitur reagime të forta të opozitës izraelite, e cila kërkon hetim penal dhe zbardhjen e përgjegjësive për ngjarjet e 7 tetorit. Përplasja zhvillohet në prag të zgjedhjeve parlamentare të 27 tetorit, ndërsa Netanyahu vazhdon të përballet me presion për dështimet e sigurisë dhe pasojat e luftës në Gaza.

XS
SM
MD
LG