Lidhje


Prenga trondit Joshuan, por britaniku ngrihet nga tapeti dhe e mbyll me nokaut

 

Anthony Joshua është rikthyer me fitore në ring, por përballja me boksierin shqiptar Kristian Prenga rezultoi shumë më e vështirë nga sa pritej. Në duelin e zhvilluar më 25 korrik në Jeddah Superdome të Arabisë Saudite, Prenga e nisi sfidën në mënyrë shpërthyese. Vetëm pak sekonda pas gongut të parë, shqiptari e rrëzoi Joshuan dhe vijoi ta godiste fuqishëm, duke e çuar edhe një herë në tapet gjatë raundit hapës. Ish-kampioni i botës u gjend pranë një disfate të bujshme, ndërsa Prenga fitoi bindshëm raundin e parë.

 

Joshua arriti të mbijetonte deri në pushim dhe u rikthye më i qetë në raundin e dytë. Britaniku kontrolloi distancën me goditjen e majtë, e detyroi Prengën të tërhiqej drejt litarëve dhe më pas e goditi me një kombinim të fuqishëm, duke e rrëzuar dhe mbyllur përballjen pas 2 minutash e 43 sekondash të raundit të dytë.

 

Pavarësisht humbjes, Prenga la përshtypje të forta në sfidën më të madhe të karrierës së tij. Shqiptari tregoi se fuqia e tij goditëse mund të rrezikojë edhe emrat më të mëdhenj të peshave të rënda, duke e vendosur dy herë në vështirësi serioze një ish-kampion bote.

 

Për Joshuan, kjo ishte fitorja e parë pas rikthimit nga aksidenti i rëndë automobilistik i fundvitit 2025 dhe pas përballjes së tij të mëparshme me Jake Paul. Rezultati i hap rrugën duelit të shumëpritur me Tyson Fury, i cili pritet të zhvillohet në nëntor; kontratat janë nënshkruar, por vendi i ndeshjes ende nuk është shpallur.

XS
SM
MD
LG