Argjentina rrezikon ndëshkim nga FIFA: Lojtarët festojnë eliminimin e Anglisë me pankartën për Malvinat
Argjentina mund të përballet me procedim disiplinor nga FIFA, pasi futbollistët e saj shpalosën një pankartë me mesazhin “Las Malvinas son Argentinas” pas fitores dramatike 2:1 ndaj Anglisë në gjysmëfinalen e Kupës së Botës. Pankarta u shfaq në fushën e stadiumit në Atlanta, gjatë festimeve për kualifikimin në finalen kundër Spanjës. Mesazhi, që në shqip do të thotë “Malvinat janë argjentinase”, përsërit pretendimin e Buenos Airesit për sovranitetin mbi Ishujt Falkland, të administruar nga Mbretëria e Bashkuar.
Veprimi ka shkaktuar menjëherë reagim politik në Britani. Qeveria britanike i ka kërkuar FIFA-s të hetojë incidentin, duke argumentuar se bëhet fjalë për një mesazh politik të papërshtatshëm në një aktivitet sportiv dhe për një shkelje të mundshme të kodit disiplinor të federatës ndërkombëtare. FIFA nuk kishte njoftuar ende zyrtarisht hapjen e një procedure në momentin e raportimit.
Rregulloret e FIFA-s ndalojnë shfaqjen e mesazheve politike, ideologjike ose territoriale përpara, gjatë dhe pas ndeshjeve. Për këtë arsye, Federata Argjentinase mund të përballet me gjobë ose masa të tjera disiplinore, megjithëse nuk ka indikacione se çështja mund të ndikojë te zhvillimi i finales.
Incidenti merr peshë të veçantë sepse FIFA kishte ndaluar paraprakisht futjen në stadium të flamujve, pankartave, veshjeve dhe materialeve të tjera me referenca ndaj Malvinave. Megjithatë, lojtarët e Argjentinës arritën ta shfaqnin pankartën pas përfundimit të ndeshjes.
Argjentina ishte ndëshkuar edhe në vitin 2014 për një veprim pothuajse identik. Atëherë, FIFA e gjobiti federatën argjentinase me 30 mijë franga zvicerane, pasi lojtarët shfaqën të njëjtin mesazh përpara një miqësoreje kundër Sllovenisë.
Mosmarrëveshja për ishujt mbetet një nga çështjet më të ndjeshme mes Argjentinës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Dy vendet luftuan për 74 ditë në vitin 1982, në një konflikt ku humbën jetën 649 ushtarakë argjentinas, 255 britanikë dhe tre banorë të ishujve. Ishujt vazhdojnë të administrohen nga Londra, ndërsa Argjentina nuk ka hequr dorë nga pretendimi i saj territorial.