Erdogan në 10-vjetorin e 15 Korrikut: “Zmbrapsja e grushtit të shtetit ishte deklarata e pavarësisë së Shekullit të Turqisë”
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka përkujtuar 10-vjetorin e tentativës së dështuar për grusht shteti të 15 korrikut 2016, duke e cilësuar rezistencën e asaj nate si një nga momentet më të rëndësishme të historisë moderne të vendit. Në një artikull të publikuar me rastin e Ditës së Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar, Erdogan deklaroi se zmbrapsja e grushtit të shtetit nuk ishte vetëm mbrojtje e qeverisë dhe institucioneve, por një “fitore e madhe e demokracisë” dhe, sipas tij, “deklarata e pavarësisë së Shekullit të Turqisë”.
Presidenti turk kujtoi se natën e 15 korrikut 2016 qytetarët dolën në rrugë dhe sheshe pas thirrjes së tij për të kundërshtuar ushtarakët që po përpiqeshin të merrnin pushtetin. Sipas të dhënave të përmendura nga Erdogan, 253 persona humbën jetën dhe mbi 2 mijë të tjerë u plagosën gjatë përballjeve.
Erdogan tha se gjatë dhjetë viteve të fundit Turqia ka zhvilluar një luftë të vazhdueshme kundër FETO-s, organizatës që Ankaraja e konsideron përgjegjëse për organizimin e tentativës për grusht shteti. Ai deklaroi se strukturat e saj janë goditur në administratë, ushtri, sistemin e drejtësisë dhe botën e biznesit, por paralajmëroi se lufta kundër organizatave të tilla nuk mund të konsiderohet e përfunduar.
Sipas presidentit turk, ruajtja e kujtesës së 15 Korrikut është e domosdoshme për të parandaluar rikthimin e strukturave që, sipas tij, mund të tentojnë sërish të depërtojnë në institucionet e shtetit.
Në mesazhin e tij, Erdogan theksoi se Turqia e vitit 2026 është më e fortë dhe më e bashkuar se një dekadë më parë, ndërsa u zotua se lufta kundër FETO-s dhe organizatave të tjera që Ankaraja i konsideron terroriste do të vazhdojë me të njëjtën vendosmëri.
Presidenti turk e mbylli mesazhin duke nderuar viktimat e 15 korrikut dhe duke e cilësuar unitetin kombëtar si forcën kryesore të Turqisë përballë kërcënimeve të brendshme dhe të jashtme.