BE: Në Evropë nuk ka vend për retorikë që justifikon spastrimin etnik
Zyrtarë të Bashkimit Evropian (BE) kanë reaguar lidhur me deklaratat e ministres serbe Snezhana Paunoviq për spastrimin etnik në Kosovë, transmeton Anadolu. Zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper, e pyetur lidhur me deklaratat e ministres serbe, ka dhënë një mesazh të qartë për të gjithë ata që përdorin retorikë diskriminuese dhe që justifikojnë krimet e luftës.
"Parimi kyç është se nuk duhet të ketë dhe nuk ka vend në Evropë për retorikë që justifikon ose promovon spastrimin etnik. Deklarata të tilla bien ndesh me vlerat e dinjitetit njerëzor, pajtimit, llogaridhënies dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian", deklaroi Hipper.
Ndonëse janë bërë gati tre vjet pa asnjë takim në nivelin më të lartë politik, procesi i normalizimit të marrëdhënieve mbetet në qendër të angazhimit të zyrtarëve evropianë në rajon. Madje, së fundmi, Komisioni Evropian kishte vlerësuar se Serbia po angazhohet në mënyrë konstruktive në dialog.
Ajo tha se po ashtu deklaratat e ministres serbe janë në kundërshtim me zotimet që Serbia i ka marrë në kuadër të procesit të dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
"Prandaj, ne presim që të gjithë liderët të veprojnë me përgjegjësi, të përmbahen nga retorika nxitëse dhe të kontribuojnë në krijimin e një klime besimi dhe stabiliteti rajonal", deklaroi Hipper.
Ministrja serbe e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, Paunoviq tha se “po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit më 1998, do ta spastronte etnikisht Kosovën”.
Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare në Kosovë, Andin Hoti, në kundërpërgjigje të deklaratës së ministres serbe, i tha asaj se edhe "babai yt ideologjik, Millosheviqi, provoi të njëjtën gjë në Kosovë, por përfundoi para drejtësisë ndërkombëtare ndërsa Serbia u largua nga Kosova me bisht ndër shalë".
Po ashtu, një reagim nga Kosova erdhi edhe nga Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës, të cilët thanë se "përballja me të kaluarën mbetet parakusht për ndërtimin e besimit dhe paqes së qëndrueshme në rajon".