Kosova dhe Shqipëria përfaqësohen në Konferencën e Rimëkëmbjes së Ukrainës në Gdansk
Edi Rama mori pjesë sot në Konferencën për Rindërtimin e Ukrainës (Ukraine Recovery Conference – URC 2026), e cila zhvillohet me pjesëmarrjen e kryetarëve të shteteve dhe qeverive, institucioneve financiare ndërkombëtare, përfaqësuesve të biznesit dhe organizatave të shoqërisë civile nga mbarë bota. Konferenca për Rimëkëmbjen e Ukrainës 2026, që këtë vit po organizohet bashkërisht nga Qeveritë e Polonisë dhe të Ukrainës në Gdańsk të Polonisë, po dëshmon sërish se rimëkëmbja e Ukrainës nuk po shtyhet deri në përfundimin e luftës.
Këtë vit Republika e Kosovës po përfaqësohet në konferencë, nga Ambasadori Drilon S. Gashi, shefi i Misionit të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Varshavë, në emër të Shtetit të Kosovës dhe Presidentes në detyrë Albulena Haxhiu dhe në emër të Qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit në detyrë Albin Kurti.
Partnerët e Ukrainës po punojnë për të rindërtuar infrastrukturën, për të tërhequr investime, për të forcuar institucionet dhe për të mbështetur rritjen ekonomike, ndërkohë që Ukraina vazhdon të luftojë kundër agresionit të paprovokuar dhe të pajustifikueshëm të Rusisë. Konferenca mbledh qeveri, organizata ndërkombëtare, institucione financiare dhe biznese për ta shndërruar mbështetjen politike në projekte konkrete rindërtimi dhe investime afatgjata.
Konferenca e Rimëkëmbjes gjithashtu përbën një sinjal të rëndësishëm të përkushtimit të vazhdueshëm ndërkombëtar ndaj sovranitetit, qëndrueshmërisë dhe të ardhmes evropiane të Ukrainës. E organizuar nga Polonia bashkërisht me Ukrainën, konferenca nënvizon rolin strategjik të partnerëve rajonalë dhe sidomos Polonisë në rimëkëmbjen e Ukrainës. Në fund konferenca tregon se siguria, rindërtimi dhe integrimi evropian duhet të ecin përpara njëkohësisht në mënyrë që Ukraina të dalë më e fortë nga kjo luftë.