Lidhje


Gazetari i afërt me familjen Berisha sulmon pushtetin në protestë, por hesht për Berishën

Gazetari i televizionit të familjes Berisha, Syri TV, Flavio Qarri, u shfaq në protestën e zhvilluar para Kryeministrisë kundër investimit në Zvërnec, ku artikuloi një fjalim me tone të forta politike kundër kryeministrit Edi Rama. Në fjalën e tij, Qarri e paraqiti vendin si të zhytur në korrupsion, emigracion dhe kapje të institucioneve, duke e konsideruar kreun e qeverisë përgjegjës për situatën.

 

Megjithëse protesta u paraqit si reagim ndaj projektit në Zvërnec, ndërhyrja e gazetarit të Syri TV mori një drejtim të qartë politik, me sulme të drejtpërdrejta ndaj Ramës dhe thirrje për hetimin e tij. Qarri kërkoi krijimin e një “qeverie të sheshit”, duke argumentuar se vetëm një formulë e tillë mund të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

 

Në të gjithë fjalimin e tij, ai përqendroi kritikat te kryeministri dhe qeveria, ndërsa nuk artikuloi asnjë qëndrim kritik ndaj opozitës apo liderit demokrat Sali Berisha. Retorika e përdorur u shoqërua me akuza për korrupsion masiv, lidhje të pushtetit me trafikun e drogës dhe manipulim të procesit zgjedhor, duke e kthyer protestën në një tribunë të hapur politike kundër qeverisë.

XS
SM
MD
LG