Dronët e Hezbollahut makth për Izraelin: vritet oficeri i brigadës Golani në Libanin jugor
Një oficer i ushtrisë izraelite u vra të shtunën në Libanin jugor, pasi një dron i mbushur me eksploziv shpërtheu gjatë përplasjeve me Hezbollah. Ushtria izraelite njoftoi se kapiteni 24-vjeçar Maoz Israel Recanati, komandant toge në Batalionin e 12-të të Brigadës Golani, humbi jetën në luftimet në jug të Libanit.
Sipas gazetës izraelite Yedioth Ahronoth, Recanati u vra nga një goditje me dron dhe është ushtari i 20-të izraelit i vrarë në Liban që nga nisja e luftës me Iranin më 28 shkurt. Ai është gjithashtu ushtari i 7-të izraelit i vrarë që nga hyrja në fuqi e armëpushimit më 16 prill.
Kjo është vdekja e dytë e një oficeri izraelit e konfirmuar brenda 24 orëve në luftimet me Hezbollah në Libanin jugor. Sulmet me dronë të Hezbollahut ndaj forcave izraelite janë kthyer në një shqetësim serioz për Tel Avivin, i cili tashmë i konsideron ato si një nga sfidat më të ndërlikuara dhe më të rrezikshme të sigurisë për trupat e tij.
Së fundmi, qeveria izraelite ka zhvilluar konsultime urgjente me zyrtarë të lartë të sigurisë për të gjetur mënyra për t’iu kundërpërgjigjur kërcënimit në rritje nga dronët e Hezbollahut, në një kohë kur humbjet mes ushtarëve izraelitë po shtohen.
Pavarësisht armëpushimit të shpallur më 17 prill dhe të zgjatur më pas deri në fillim të korrikut, ushtria izraelite vazhdon goditjet e përditshme në Liban dhe shkëmbimet e zjarrit me Hezbollah. Sipas autoriteteve libaneze, që nga 2 marsi, sulmet izraelite në Liban kanë shkaktuar mbi 2,896 të vrarë, më shumë se 8,824 të plagosur dhe mbi 1.6 milionë të zhvendosur, rreth një e pesta e popullsisë së vendit.