NATO e pezulloi për korrupsion - Edi Rama i hap derën kompanisë izraelite të armëve në Shqipëri
Kompania izraelite e armëve Elbit Systems, një nga prodhuesit më të mëdhenj ushtarakë në botë, ka hapur degë në Shqipëri, vetëm pak muaj pasi u raportua se ishte pezulluar nga agjencia e prokurimit të NATO-s për shkak të akuzave për korrupsion dhe praktika të dyshimta në kontrata. Dega e re është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe do të ushtrojë të njëjtin aktivitet si kompania mëmë në Izrael.
Sipas raportimit, ardhja e Elbit në Shqipëri lidhet me një marrëveshje të madhe ushtarake të nënshkruar mes Shqipërisë dhe Izraelit, e cila fillimisht u paraqit si bashkëpunim normal në fushën e mbrojtjes, por më pas u raportua nga media izraelite Haaretz si një kontratë shumë milionëshe me kompaninë private Elbit Systems. Kontrata dyshohet se përfshin furnizimin e Shqipërisë me armatim të rëndë, murtaja, dronë dhe hapjen e shkollës së aviacionit në Vlorë.
Shifra zyrtare nuk është bërë publike, por burime të cituara në artikull pretendojnë se marrëveshja mund të arrijë deri në 400 milionë dollarë. Po sipas këtij raportimi, po shqyrtohet një skemë financimi ku kompania do të sigurojë kreditimin, ndërsa Shqipëria do ta garantojë me garanci sovrane dhe do të marrë përsipër shlyerjen me interesa.
Pika më e rëndë e çështjes është se Elbit Systems raportohet të jetë pezulluar më 31 korrik nga Agjencia e Mbështetjes dhe Prokurimit të NATO-s, pas akuzave serioze për ryshfet, parregullsi në dhënien e kontratave dhe praktika të sanksionueshme. Pezullimi e pengon kompaninë të konkurrojë në tenderë të rinj të NATO-s, ndërsa rreth 15 kontrata ekzistuese janë pezulluar. Ende nuk ka një vendim përfundimtar gjyqësor, por çështja ngre pikëpyetje të forta: pse një kompani nën hije skandali në NATO po fiton terren në Shqipëri për një kontratë të madhe dhe të mbajtur sekret?