Kur turpi ulet në sofrën e iftarit
Saturday, 07 March 2026 14:22
Nga Brixhida Muca - Masha
Muaji i Ramazanit është një kohë reflektimi, përulësie dhe pastrimi shpirtëror. Në këtë muaj, besimtarët përpiqen të afrohen më shumë me Zotin, të distancohen nga padrejtësia dhe të forcojnë ndërgjegjen morale. Por çfarë ndodh kur tryeza e iftarit – simbol i përulësisë dhe devotshmërisë – përdoret si skenë politike? Çfarë ndodh kur në atë sofër ulet pushteti dhe kërkon legjitimitet moral nga feja?
Së fundmi, një iftar i shtruar publikisht ka ngritur pikërisht këtë dilemë. Jo thjesht si një darkë simbolike e Ramazanit, por si një akt publik ku pushteti politik përpiqet të paraqitet pranë komunitetit fetar, duke kërkuar një lloj afërsie morale me të. Në të njëjtën kohë, përmes elementëve artistikë dhe promovimeve kulturore, krijohet një skenografi që synon të ndërtojë një imazh më të pranueshëm të pushtetit.
Por pyetja që lind është më e thellë: a duhet feja të ulet në një tryezë ku pushteti kërkon të pastrojë imazhin e tij? Dhe kur kjo përpjekje bëhet e dukshme për publikun, a rrezikon ajo të kthehet në instrumentalizim të besimit? Sidomos kur po i njëjti pushtet është perceptuar nga shumë besimtarë si një pushtet që i ka zhgënjyer apo i ka prerë në besë.
Nëse një qeveri akuzohet për korrupsion, për mbrojtje të krimit apo për dobësim të institucioneve të vendit, atëherë prania e klerikëve apo e besimtarëve në një tryezë të tillë rrezikon të interpretohet si një formë miratimi moral. Në këtë rast, iftari nuk mbetet më një akt shpirtëror; ai shndërrohet në një instrument simbolik për të marrë një lloj bekimi publik. Në mënyrë të pavetëdijshme, pjesëmarrësit mund t’i japin vetë terren një lloj “lavazhi moral” të figurave politike që kërkojnë të përfitojnë nga simbolika e fesë.
Në traditën islame, feja gjithmonë ka pasur një marrëdhënie të ndjeshme me pushtetin. Shumë dijetarë kanë paralajmëruar për rrezikun që kleri të shndërrohet në dekor të politikës. Sepse kur feja përdoret për të zbukuruar pushtetin, ajo rrezikon të humbasë rolin e saj kritik dhe moral.
Në Kurani drejtësia paraqitet si një parim themelor. Besimtarëve u kërkohet të qëndrojnë në anën e së vërtetës dhe të drejtësisë, edhe kur kjo është e vështirë. Ndërsa në traditën e Muhamedit a.s gjendet një parim shumë i qartë: fjala e së vërtetës përpara një sundimtari të padrejtë konsiderohet një nga aktet më të larta të guximit moral.
Në këtë kuptim, përballë një situate të tillë, një formë qëndrimi mund të jetë edhe refuzimi i ftesës. Sepse sofra e iftarit në Ramazan duhet të udhëhiqet nga fryma e devotshmërisë dhe drejtësisë, jo nga interesat e politikës.
Kjo e bën dilemën edhe më të mprehtë. A është më e drejtë të marrësh pjesë në një tryezë të tillë për hir të dialogut dhe respektit institucional? Apo është më e ndershme të ruash distancën, për të mos i dhënë pushtetit një legjitimitet moral që mund të mos e meritojë?
Të ulesh me pushtetin në tryeza pune për të kërkuar drejtësi dhe për të ndryshuar të keqen është legjitime dhe madje e kërkuar në Islam. Por është diçka tjetër kur politika organizon iftarë me elita fetare për të ndërtuar imazh publik. Në një rast të tillë, raporti rrezikon të përmbyset: në vend që feja të korrigjojë pushtetin, pushteti përpiqet të përdorë fenë.
Ndoshta rendi duhet të jetë i kundërt: jo politika të organizojë iftarë për të ftuar besimtarët, por besimtarët të ftojnë pushtetin në sofrat e tyre për ta kujtuar për përgjegjësinë, drejtësinë dhe reflektimin.
Për disa, prania në një iftar të tillë mund të interpretohet si një akt diplomatik dhe institucional. Për të tjerë, ajo mund të shihet si një kompromis moral. Kjo dilemë nuk ka një përgjigje të thjeshtë, por një parim mbetet i qartë: feja nuk duhet të përdoret për të larë ndërgjegjen e pushtetit.
Në fund, çështja nuk është vetëm politike. Ajo është morale dhe shpirtërore. Sepse tryeza e iftarit është simbol i barazisë së njerëzve para Zotit, jo i marketingut të pushtetit.
Dhe kur pushteti ulet në atë sofër jo për pendesë, por për imazh, atëherë lind pyetja që duhet ta bëjë çdo besimtar:
A është kjo një tryezë e Ramazanit – apo një skenë ku turpi përpiqet të maskohet me devotshmëri?