Lidhje


MEDIOKRITETI- Si paradigmë e shfaqjes dhe si krizë e shkrimisisë

Nga Fatmir Baci

 

Mediokriteti, në marrëdhëniet administrative të shtetit dhe në ndërveprimet e sektorit privat, shfaqet si një mekanizëm i heshtur, ndërsa veprimtaria e tij mbetet e qëndrueshme. Ai del në pah përmes veprimit të shtirjes, e cila imiton në mënyrë të përpiktë format e sinqeritetit dhe e turbullon dallimin etik në sipërfaqe. Kjo ngjashmëri e jashtme merr një natyrë strukturore, sepse sistemi orienton drejt përmbushjes së pritshmërive minimale dhe e lë autenticitetin në një periferi funksionale.

 

Në kontekstin burokratik, funksionaliteti i individit merr vendin e autenticitetit dhe ia zhvesh veprimit dimensionin moral. Kështu, mediokriteti maskohet brenda korrektësisë formale dhe zbatimit të rregullave, duke krijuar një iluzion të efikasitetit. Në të njëjtën kohë, ai e riprodhon strukturën me një zell të pavetëdijshëm dhe e mban veten të padukshme për mekanizmat e vlerësimit, ndërsa veprimi vijon me largim nga devocioni i drejtësisë ndaj sistemit.

 

Arsyeja qëndron në faktin se mediokri përputhet me pritshmëritë minimale të sistemit; ai i përmbush ato me zell të pavetëdijshëm dhe imiton gjuhën e autoritetit, si edhe ritmin e rutinës së përditshme. Kjo përputhje rrjedh nga një përshtatje imituese që e bën veprimin të duket i pranueshëm. Në këtë mënyrë, mediokriteti e konfirmon strukturën përmes një loje të heshtur të përsëritjes dhe qëndron në distancë nga çdo fjalë ose veprim që do të shfaqej si sfidë.

 

Pikërisht ky imitacion shndërrohet në armën e tij më të fortë; ai riprodhon me besnikëri atë që ekziston, e zhvesh veprimin nga dimensioni kritik dhe e vendos në largësi nga çdo rrethanë që krijon vlerë të re. Ky pozicion e bën atë të padukshëm, sepse sistemi funksionon përmes mekanizmave që matin përputhjen me formën dhe nuk krijojnë kritere të sakta për autenticitetin. Në sjelljen e përditshme, mediokriteti ngjitet si një formë e pranueshme e funksionit dhe qëndron në sfond si një prani me natyrë mungese.

 

Më tej akoma, shtirja dhe sinqeriteti, edhe pse në thelb ndjekin kahe të ndryshme, ndajnë një ekspozim të ngjashëm retorik dhe një orientim praktik që i drejtohet bashkësisë. Të dyja kërkojnë pranueshmëri sociale dhe funksionojnë brenda të njëjtit horizont komunikativ, duke e bërë dallimin mes tyre të vështirë për t’u pikasur në nivel forme, e aq më tepër në nivel përmbajtjeje. Në këtë përputhje të jashtme, retorika dëshmon aftësinë për t’u integruar, ndërsa në dinamikën e përditshmërisë autenticiteti mbetet në kufijtë e padukshmërisë.

***


Në këtë pikë ndërthuren dy realitete; ai i njeriut që vepron me bindje të brendshme dhe ai i njeriut që vepron me marrëveshje të heshtur me strukturën. Të dy marrin pamjen e pranueshmërisë, sepse të dy përmbushin pritshmëritë e sistemit. Për këtë arsye, mediokriteti hyn në sistem si një hije e pakapshme; ai imiton dhimbjen e punës së sinqertë dhe e paraqet përpjekjen si formë me substancë të zbehur.


Ky imitacion merr pamjen e një aktrimi të vazhdueshëm, ku shtirja dhe sinqeriteti paraqiten si dy forma retorike të të njëjtit veprim social dhe rrjedhin pa dallime morale ndërmjet tyre. Kështu, të qenit i dukshëm brenda një strukture që shpërblen praninë, pavarësisht nga përmbajtja klasifikohet si mendim dhe veprim i arrirë. Në këtë kontekst, retorika shndërrohet në instrument të përshtatjes dhe e zbeh nevojën për dëshmi të brendësisë; kësisojë, dallimi mes autenticitetit dhe simulimit tretet në sipërfaqe, me një ndjesi të përzier mes tyre.


Mediokriteti, në këtë skenë të përhershme, e gjen qëllimin në përfshirjen me turmën dhe në ruajtjen e ritmit të saj, nga ku, suksesi matet me aftësinë për të ruajtur harmoninë e strukturës dhe për të qëndruar brenda pritshmërisë së saj. Krijimi paraqitet si një fushë që sjell risi dhe vendos strukturën përballë formave të papërshtatura me kornizën ekzistuese; dhe në këtë mungesë mirëkuptimi të menjëhershëm, çdo risi përjetohet me ndjesinë e një ngarkese që kërkon shpjegim të ri.


Në këtë kuptim, mediokriteti funksionon si mjet i heshtur për ngjitjen hierarkike përmes përsëritjes së strukturës dhe qëndron larg çdo qëndrimi që krijon tensione të panevojshme; kësisojë, ai mban një pozicion që e lë strukturën të pandryshuar dhe e orienton vëmendjen drejt qetësisë së funksionit. Kjo natyrë e padukshme merr formën e një përshtatjeje të përkryer, e cila, edhe kur shfaqet në padije të plotë, paraqitet si gjendje e plotfitueshme.


Struktura e vlerëson këtë lloj sjelljeje, sepse sjell parashikueshmëri, lehtësi në menaxhim dhe ruajtje të ekuilibrave ekzistues. Në këtë mënyrë, mediokriteti merr rolin e njësisë themelore të stabilitetit të sistemit. Si i tillë, ai paraqitet dhe vepron si pjesa më e rëndësishme e tij, duke e konfirmuar veten përmes pranisë së qetë dhe të përfshirë, e cila qëndron në distancë nga standardet e vlerave të ngurtësuara dhe krijon një formë të vetën të vazhdimësisë.

 

***


Në anën tjetër, mediokriteti në letërsi paraqitet si dukuri krejt tjetër, me natyrë që e tejkalon çdo krahasim me format e tij sociale. Letërsia nuk funksionon si sistem i kodifikuar me rregulla sjelljeje; ajo është një sipërfaqe e shkrirë, ku brendësia e autorit shfaqet në mënyrë të pashmangshme, qoftë në harmoni, qoftë në përballje me principin që e udhëheq. Në këtë terren, mediokriteti mbetet i pambrojtur, sepse fjala e shkruar nuk ofron mbrojtje diplomatike; ajo e ekspozon autorin në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të pandryshueshme.


Mediokriteti në letërsi paraqet rrezik më të lartë sesa dobësia stilistike, sepse lidhet me një gjendje të vetëdijes së paaktivizuar. Shkrimtari vepron në një terren që e përfshin krejtësisht; ai ndërton një botë ku çdo marrëdhënie me personazhet, rrethanat dhe idetë varet nga pozicioni i tij si vëzhgues dhe krijues. Në këtë pozitë, shkrimtari, përtej interpretimit, mban përgjegjësi për tërësinë e mekanizmit që ndërton.


Një shkrimtar i dobët mund të gabojë në përpjekje, duke mbajtur të paprekur sinqeritetin e qëllimit. Një shkrimtar mediokër jeton me qetësinë e përshtatjes dhe e sheh rrugën para vetes me paqartësi të plotë; drejtimi i zhdukur, thellësia e pakapshme dhe largësia nga vetëdija krijojnë një terren pa orientim. Ai ndërton tekst që heq dorë nga mundësia e zbulesës, e lë fjalën jashtë semantikës dhe kontekstit, dhe i zhbën me dije apo me padije të gjitha premisat që sjellin tensionin e krijimit.


Tek shkrimtari, marrëdhënia me “bashkësinë” e tij merr natyrë ontologjike. Ai jeton në një botë të përbërë nga personazhe, ide, situata dhe koncepte që marrin formë vetëm brenda tekstit dhe veprojnë si modalitete antropologjike, në harmoni ose në përballje me principin që i përshkon. Kjo botë virtuale nuk përbën material të dokumentueshëm, nuk mban identifikim zyrtar dhe nuk fiton përfaqësim konvencional, dhe megjithatë qëndron si prani e brendshme.
Këto entitete marrin jetë përmes shkrimtarit, dhe në rastin e letërsisë së vërtetë, ato tejkalojnë kufijtë e tekstit dhe bëhen pjesë e përvojës së secilit njeri. Fjala e shkruar i mishëron, i thërret në ekzistencë dhe i emërton, ndërsa ruan natyrën e saj jo përfaqësuese. Në këtë mënyrë, letërsia është akt i përbashkët të jetuarit brenda saj, dhe njëkohësisht ndërtim i një bote të posaçme që i flet njeriut nga brenda.


Shkrimtari vepron në kushtet e një pamjeje të plotë, sepse ai e sheh tërësinë e mekanizmit që ndërton nga lartësia e autorit. Pra, ai qëndron si autor i një bote që nuk fiton jetë jashtë ndërgjegjes së tij krijuese, kështu që drejtimi dhe qëllimshmëria marrin përmasën e përgjegjësive themelore, të cilat mbeten përtej fushës së zakonshme interpretuese.


Personazhet nuk shfaqin aftësi për t’u përballur me të, për t’i kthyer përgjigje, apo për t’i vënë në pikëpyetje gjykimin. Ata nuk shfaqen si subjekte autonome, sepse veprojnë vetëm në përmasën që u jep autori. Prandaj, çdo mangësi, çdo zbrazëti, çdo pasaktësi e tij regjistrohet në tekst si dëshmi e pakthyeshme, e cila merr vlerën e një shenje të brendshme që qëndron e pa tejkalueshme.

 

***


Letra e zhvesh autorin nga çdo mbulim, duke nxjerrë në sipërfaqe çdo mangësi me prerje të saktë dhe me vështrim të drejtëpërdrejtë, sepse aty mungon çdo lloj hierarkie, çdo lloj mbledhjeje, çdo lloj komisioni vlerësimi, të cilat do mund të ndërmjetësonin korrupsionin. Fjala e shkruar qëndron jashtë procedurave ndërmjetëse; ajo vepron si akt i menjëhershëm, ku pesha e vërtetë e shprehjes matet me thellësi dhe me përmbajtje, përtej mënyrës se si paraqitet në publik. Në këtë hapësirë të brendshme, çdo zbrazëti e autorit shfaqet si boshësi substanciale për të vetë atij, sepse edhe mendësia e tij del në dritë si dukuri e qartë, larg justifikimeve teknike.


Mediokriteti në letërsi qëndron i ekspozuar përballë tekstit, sepse vetë teksti e vlerëson autenticitetin përtej çdo sjelljeje të përditshme. Fjalët e shkruara distancohen nga gjestet diplomatike, nga manovrat e sjelljes ose nga rrugët ndreqëse, sepse vlera e tyre del mbi çdo përpjekje për zbukurim. Kështu, shkrimi artistik hedh poshtë çdo manovër për të krijuar përshtatje retorike që mbulojnë boshllëkun e brendshëm; fjala e vërtetë e zbulon menjëherë mungesën. Letërsia shndërrohet në mekanizëm zbulesash, ku çdo cen paraqitet si dëshmi dhe çdo fjalë vjen si provë e pandashme e qëllimit krijues.


Mediokriteti dhe sinqeriteti në shkrimin artistik qëndrojnë si dëshmi të gjendjes së brendshme të autorit; ato mbeten të fiksuara, pasi përfaqësojnë kategori të pandryshueshme. Retorika dhe praktika bashkohen brenda fjalës, sepse shkrimi i mirëfilltë i ka të dyja si pjesë të një forme të unifikuar shprehjeje. Fjala e shkruar paraqet aktin e zbulesës dhe krijon pamundësi për të funksionuar si mjet ndërmjetës, sepse dallimi mes dëshirës dhe qëllimit del nga ajo që fjala pasqyron natyrshëm, jo nga kalkulimi i autorit.


Në art, fjala dhe veprimi qëndrojnë të ndërthurura; fjala paraqet vetë veprimin artistik, ndërsa veprimi artistik mishërohet në fjalë. Kjo lidhje e brendshme e çliron shkrimin nga çdo mundësi fshehjeje. Gënjeshtra artistike qëndron si çështje e thellësisë shpirtërore dhe mendore të autorit, duke bartur një ngarkesë që kapërcen moralin, sepse ajo flet për nivelin e brendshëm të krijuesit dhe për mënyrën se si ai e formëson botën. Në këtë mënyrë, fjala përçon të vërtetën e autorit dhe gjithçka që ai vendos në letër pasqyron botën e mendimit të tij.


Në shkrimin artistik, çdo shenjë e fjalës qëndron mbi sipërfaqe me qartësi; fjala e hedhur varet në hapësirën e tekstit si provë që qëndron në kohë dhe shfaq sinqeritetin, ose mungesën e tij, me një prezencë të pandryshueshme. Teksti e mban fjalën në gjendje të përfunduar dhe e paraqet si gjurmë të një akti që mbetet i regjistruar. Në këtë frymë, retorika e shkrimit distancohet nga veprimi i përditshëm, sepse në krijimtarinë artistike fjala përfaqëson vetë aktin krijues dhe merr rolin e veprimit të kryer.


Kur sinqeriteti dobësohet, boshllëku krijues shfaqet menjëherë përmes strukturës së fjalës, e cila lëshon qartësi pa kërkuar ndërhyrje nga të tjerët. Krijimtaria sipërfaqësore e tregon vetveten në çdo element të shprehjes, sepse fjala paraqet përmbajtjen e brendshme me transparencë. Autori mund të paraqitet me arsyetime para njerëzve, ndërsa teksti i jep vend fjalës së tij sipas vlerës që mbart. Fjalët e shkruara e ruajnë atë që autori shpreh dhe e paraqesin në mënyrë të drejtë, sepse çdo njeri e ka të pamundur të krijojë një sipërfaqe të qëndrueshme përballë vetes së tij.

 

***


E shprehur në mënyrë tjetër, teksti ka fuqinë ta lartësojë autorin dhe po aq fuqinë ta shembë, sepse fjala e shkruar përfaqëson njëherazi teorinë dhe praktikën e tij. Ajo vjen si pasqyrë e së vërtetës, e cila shfaqet me qartësi të plotë dhe e vendos fjalën shumë më lart se çdo shprehje thjesht retorike. Në këtë mënyrë, letërsia i jep vlerë substancës dhe e anashkalon pretendimin e autorit, duke i dhënë pikërisht atë që ai ka në vetvete, asnjë grimë më shumë dhe asnjë grimë më pak.


Në një shoqëri ku mediokriteti administrativ merr trajtë karriere, ndërsa mediokriteti letrar përkthehet në dështim, del në pah se vlera e vërtetë njerëzore lidhet me thellësinë e botës që njeriu ndërton brenda vetes. Ajo matet me aftësinë për të krijuar një hapësirë ku fjala bëhet dëshmi e brendësisë dhe qëndron shumë përtej funksioneve të përditshme. Letërsia pranon vetëm substancë dhe shmang çdo mundësi aktrimi, sepse i lë jashtë të gjitha rolet. Në këtë terren, njeriu paraqitet i zhveshur nga funksionet, titujt dhe hierarkitë, sepse fjala e shkruar varet vetëm nga brendësia e autorit. Ajo vepron si pasqyrë që nxjerr në sipërfaqe çdo përpjekje të autorit apo përkrahësit e rij, për mbulim të zbrazëtisë, duke ia bërë tërësisht të pamundur ta fshehë veten pas sistemit të përfaqësimit.

 

Fjala artistike e shkruar krijon një hapësirë ku shtirja humbet terren, sepse retorika qëndron plotësisht e ndarë nga veprimi, ndërsa veprimi nuk merr trajtë përmes fjalës së zbrazët. Drejtimi dhe qëllimi shfaqen si figura që i ngjasojnë maskës kur mbështetja e substancës mungon, dhe në atë çast pushojnë së funksionuari si mjete orientimi.


Në këtë kuptim, dallimi mes sinqeritetit dhe mediokritetit në krijimin artistik qëndron tek ajo që shfaq vetë teksti. Fjala e sinqertë gjeneron jetë, sepse buron nga një thellësi e papërfytyrueshme përmes simulimit; ndërsa fjala mediokre çon drejt shkatërrimit të saj, jo përmes dhunës, por përmes zbrazëtisë që përçon. Teksti merr parasysh vetëm praninë e substancës dhe e vlerëson autorin sipas thellësisë që ai sjell.


Letërsia paraqitet si hapësirë ku logjika e mediokritetit social humbet funksionin e vet, sepse autoriteti lind nga thellësia dhe ndërtohet përmes intensitetit të zbulesës. Ajo qëndron e pavarur nga pozitat dhe nuk lidhet me rrjetin e roleve. Në thelb, letërsia është akt drejtësie; ajo shpërblen qenien dhe vlerën e saj të brendshme, dhe përmes këtij akti, njeriu del i pandryshuar përballë së vërtetës së vet.

XS
SM
MD
LG