Historiani italian: Duhet të garantojmë një shtet për palestinezët, Islami një element i qytetërimit tonë
Nga Francesca Schianchi “La Stampa”
“Për ideologjinë e MAGA-s, Charlie Kirk është një martir që e çimenton solidaritetin e shokëve të tij”. Pas funeralit të aktivistit të ri konservator në Arizona të SHBA-së, historiani italian Franco Cardini përpiqet të eksplorojë temat e urrejtjes, dhunës, madje edhe dashurisë dhe faljes në gjuhën e politikës aktuale.I rritur në gjirin e të djathtës, me një aktivizëm të gjatë në Lëvizjen Sociale Italiane që përfundoi në vitin 1965, “katolik, socialist dhe pro-evropian” sipas vetëpërshkrimit, Cardini sheh tek lëvizja e drejtuar nga Donald Trump “një tension të fortë, jo-racional që kufizohet me misticizmin”.
Giorgia Meloni tha se funerali i Kirk tregoi forcën e dashurisë kundër dhunës. Megjithatë, vetë Trump thotë:Unë e urrej kundërshtarin tim…
Kryeministrja jonë duhet të jetë prekur paksa nga komentet e gruas së Kirk mbi faljen e autorit të vrasjes. Por unë nuk shoh dashuri në ideologjinë e Trumpit. Në rastin më të mirë, shoh një burim hakmarrje që të çon shpejt drejt urrejtjes.
Që megjithatë sipas Trump, u përket vetëm kundërshtarëve të tij të krahut të majtë…
Jo, sepse në fjalimet publike të Trump, nuk kam dëgjuar kurrë shenja të zbutjes së tensioneve apo pajtimit me palën tjetër. Në fakt, kushdo që nuk bie dakord me të nuk është vetëm një kundërshtar, ai është një armik i Shteteve të Bashkuara.
Edhe nëse herë pas here përdor një zhargon paksa para-kristian, kjo ndodh sepse në botën perëndimore ekziston një retorikë dashurie; njerëzve u pëlqen ta paraqesin veten si qenie plot dashuri.
Pra Meloni gabon kur e sheh lëvizjen MAGA si përhapëse të dashurisë dhe të tjerët si përhapës të urrejtjes?
Ky është është në fakt neo-amerikanizmi i kryeministres sonë! Kur ishte në opozitë, ajo nuk ishte dhe aq pro-amerikane. Por tani që ndodhet në Palazzo Chigi, ka bërë zgjedhjen e saj pro-Trumpit. Dhe po e bën këtë duke ruajtur njëfarë paqartësie edhe ndaj Evropës, dhe pa hequr dorë nga ajo që duhet të hiqte.
Që është?
Nga marrëdhëniet e ngushta me Hungarinë e Orbanit, edhe nëse ajo i mban të fshehta dhe nuk i pëlqen të flasë për to. Por ato e ndihmojnë të dallohet nga politika kryesore evropiane, gjë që nga ana tjetër nuk e lumturon.
Sipas kryeministes, edhe këtu në Itali ekziston një klimë urrejtje. A jeni dakord?
Jo, besoj se Meloni po i referohet faktit se midis forcave politike po rritet një ndjenjë e fortë opozitare ndaj qeverisë, e cila kohët e fundit ishte dobësuar.
Një klimë për të cilën Meloni akuzon të majtën, a ka të drejtë?
Jo, mua më duket një vlerësim i gabuar. Rastet e fundit të dhunës - edhe pse nuk ndodhën gjatë Viteve të Plumbit - janë të kufizuara tek grupe të caktuara nga të dyja palët. Dhuna nuk mund të konsiderohet një përgjegjësi vetëm e palës kundërshtare.
Megjithatë, dje përleshjet gjatë demonstratave pro-palestineze e përforcuan bindjen e kryeministres. Ajo fajësoi për to “të vetëshpallurit antifashistë dhe të vetëshpallur pacifistë”…
Nuk është një klimë urrejtje, por një protestë e fortë kundër situatës në Gaza, e cila është bërë e padurueshme, e paqëndrueshme, e patolerueshme.
Megjithatë, në disa raste ato degjeneruan në akte dhune…
Po, sepse një grup protestuesish, që ka të ngjarë të përfshijë edhe shkaktarë problemesh dhe provokatorë, duan të bëjnë atë që policia nuk ua lejon. Sigurisht,
pati veprime jo korrekte, por jo urrejtje midis tyre.
Në rastin më të mirë, nëse ka urrejtje, ajo është kundër një kundërshtari që ndodhet larg nga këtu, kryeministrit izraelit Netanjahu. Por ky moment i tensonuar duhet t’i nxisë politikanët që jo vetëm të ndalin dhunën, por edhe të reflektojnë mbi atë që kërkon shoqëria.
Çfarë konkretisht?
Na është sosur durimi me situatën në Gaza, me qeveritë evropiane, përfshirë atë italiane, që rrinë duarkryq dhe shikojnë. Lexova që Ministri ynë i Jashtëm Tajani, thotë se duhet të ndërtojmë një shtet palestinez përpara se ta njohim atë. Por nuk është kështu! Ne duhet t'u garantojmë palestinezëve mundësinë për të pasur një shtet.
A do të ishit pro njohjes së Palestinës si shtet nga Italia?
Absolutisht po. Unë mbështes një rezolutë tashmë 70-vjeçare të Kombeve të Bashkuara, dhe e konsideroj të neveritshme që ka ende njerëz që nuk e pranojnë atë.
Ju thoni që nuk ekziston një klimë urrejtjeje, por më tepër një kundërshtim i fortë që duket se është zbehur. Çfarë e rigjallëroi atë?
Thelbi është se klasa politike italiane, si e djathta ashtu edhe e majta, ndihet sikur po i rrëshqet toka nën këmbë…
Çfarë doni të thoni me këtë?
Kur një në dy italianë nuk voton më, kjo do të thotë se nuk i besojnë politikës. Si Meloni ashtu edhe Shlein e ndiejnë këtë pakënaqësi, dhe duan të përpiqen të rikthejnë besimin si dikur. Ndarja e vërtetë sot në politikë nuk është më midis të djathtës dhe të majtës, por midis të lartës dhe të ulëtës.
Shpjegohuni pak më qartë…
Pra ka një ndarje midis atyre që administrojnë politikën, ose të paktën ata që janë klasa sunduese, dhe të gjithë atyre që ndihen të përjashtuar nga pushteti dhe mendojnë se ai është vetëm në duart e të tjerëve. Unë nuk e di se sa vlerë mund të prodhojë sulmi ndaj palës tjetër. Rrugëdalja e vetme është rritja e nivelit të pjesëmarrjes në vendimmarrje.
Si ju duken kritikat e Lega-s mbi atë që pretendon se është islamizim i qyteteve tona?
Unë sapo kam botuar një libër me titull “Faleminderit Islam!”, për të theksuar se si Islami është gjithashtu një element i qytetërimit tonë. Por unë nuk shoh askund islamizimin për të cilën flasin ata të Lega-s.
Lega i referohet migrantëve myslimanë, që sipas tyre janë të shumtë në numër…
Por ku e shohin ata propagandën pro-islamike? Le të na i tregojnë këto vende. Në rastin më të mirë, unë shoh në rrugë tezga që u përkasin kishave të ndryshme të krishtera. Nuk kam hasur kurrë tenda të ngjashme që t’u përkasin grupeve myslimane.