Rrëmbeu djalin 10-vjeçar dhe e dërgoi në Kubë me qëllim “për ta kthyer në vajzë”, arrestohet aktivistja transgjinore
Një person transgjinor nga Utah (babai biologjik i fëmijës) dhe partnerja e tij janë akuzuar për rrëmbimin e fëmijës 10-vjeçar me qëllimin e dyshuar për ta dërguar në Kubë që t’i nënshtrohej kirurgjisë për ndryshimin e seksit.
Rose Inessa-Ethington, 42-vjeç, babai biologjik i fëmijës, i cili kaloi në identitet femëror pas lindjes së djalit, dhe partnerja e saj Blue Inessa-Ethington, u arrestuan të hënën pasi u deportuan nga Kuba. Prokurorët federalë deklaruan se çifti mori 10-vjeçarin dhe fëmijën 3-vjeçar të Blue-s drejt shtetit ishullor, me synimin për ta detyruar të miturin të kalonte në tranzicion gjinor.
Sipas dokumenteve të gjykatës, fëmija lindi djalë por identifikohet si vajzë, gjë që familjarët e alarmuar besojnë se është "kryesisht pasojë e manipulimit nga ana e Rose".
Çifti ngriti dyshime kur nuk u kthye nga një udhëtim i planifikuar kampingu në Kanada më 28 mars. Pas kontrolleve në banesën e tyre, policia gjeti lista detajesh që përfshinin:
-Mësimin e gjuhës spanjolle;
-Tërheqjen e 10,000 dollarëve cash;
-Marrjen e vizave turistike dhe boshatisjen e llogarive bankare
Prokurorët deklaruan se familjarët kishin frikë prej kohësh se fëmija do të detyrohej të kryente "kirurgji për ndryshimin e seksit përpara pubertetit". Më 13 prill, gjykata e Utah urdhëroi kthimin e menjëhershëm të fëmijës te nëna biologjike, duke i dhënë asaj kujdestarinë ekskluzive. Çifti u lokalizua në Havana tre ditë më vonë.
Rose Inessa-Ethington njihej si një "shtyllë e komunitetit LGBTQ+" në Utah. Ajo kishte organizuar marshime, protesta dhe mbante trajnime për diversitetin, si dhe lobonte te ligjvënësit. Sipas një fushate mbledhje fondesh të vitit 2021, ajo e rriste fëmijën si "gender open" (pa gjini të përcaktuar), duke trajnuar edhe mësuesit e shkollës për këtë qasje.
Tashmë, të dy përballen me akuzën federale të "rrëmbimit ndërkombëtar të fëmijës". Procesi gjyqësor do të vijojë në Utah, ku ata do të njihen me masat e mëtejshme të dënimit./joq